
Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Forcës së Posaçme Operacionale, Igli Haxhiaj, u arrestua më 27 nëntor 2025 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore AMP, pas ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Posaçme.
Haxhiaj akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç i Kodit Penal.
Hetimet paraprake tregojnë se ai i ka zbuluar personave të dyshuar të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor” dhe ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të këtyre informacioneve.
“Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat provojnë se shtetasi I.H, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale për procedimin penal në fjalë u ka zbuluar personave të dyshuar, të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Arrestimi i Igli Haxhiaj
Arrestimi i oficerit lidhet me një hetim të gjerë ndërkombëtar mbi një grup kriminal të strukturuar, i cili sipas SPAK vepronte kryesisht në Shqipëri dhe Itali.
“Shtetasi I.H ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës” – sqaron prokuroria.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore mes Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë Antimafia të Breshias dhe Prokurorisë Publike të Zvicrës. Grupi dyshohet se kishte ngritur një skemë transportimi të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës, me hyrje në portet e Bashkimit Europian dhe me shpërndarje në territorin italian.
Sipas të dhënave të Prokurorisë italiane, lënda narkotike transportohej përmes rrugëve tokësore me automjete të tonazhit të rëndë dhe më pas ruhej në gjashtë baza logjistike në Itali, prej nga shpërndahej.
Përfitimet financiare të aktivitetit kriminal mblidheshin cash dhe dërgoheshin drejt organizatorëve përmes personave të angazhuar në transferimin fizik të parave, përfshirë shoferë autobuzësh të linjës Itali–Shqipëri.
“Në brendësi të këtyre bazave që përdoreshin për ruajtjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike, personat përgjegjës, dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e sasive të lëndëve narkotike dhe me mbledhjen e parave ‘cash’, të përfituar nga shitja. Shuma e konsiderueshme e parave të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike dyshohet se është transferuar tek drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’ (korrierë /transportues financiarë), të cilët bëjnë pjesë në grupin kriminal, ku bënin pjesë edhe disa shoferëve të autobuzëve, që vepronin në linjën Itali- Shqipëri” – sqaron prokuroria.
Në kuadër të operacioneve të kryera nga autoritetet italiane janë arrestuar 10 persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 550.000 euro, 10 automjete, një pistoletë gjysmëautomatike, si dhe 130 kg lëndë narkotike, me një vlerë të vlerësuar në treg rreth 12 milionë euro. Në total, sipas të dhënave të hetimit, janë sekuestruar mbi 1.300 kg kokainë përgjatë fazave të ndryshme të operacionit.
Nga 24 personat ndaj të cilëve autoritetet italiane kishin caktuar masa sigurie, 6 ndodheshin në Shqipëri dhe 3 u arrestuan, përfshirë oficerin Igli Haxhiaj.
Sipas SPAK, përfshirja e punonjësve të policisë në këtë çështje është identifikuar përmes analizës së komunikimeve të aplikuara në platformën SKY ECC, e cila ka ndihmuar në dokumentimin e veprimtarisë së grupit.
Ky nuk është rasti i parë që SPAK evidenton implikimin e forcave të policisë në grupet kriminale. Më herët hetimet kanë treguar se zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë përdorur funksionin publik për të mbështetur rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës, duke siguruar informacione të klasifikuara, duke ndihmuar persona në kërkim të shmangnin arrestimin dhe duke u përfshirë në pastrimin e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale. Rasti më i fundit përfshin ish-drejtues policie si Dedan Gjoni dhe Jonida Babameto, të cilët dyshohen për bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal që operonte mes Shqipërisë, Europës dhe Amerikës Latine.
Sipas SPAK, këta punonjës policie kanë lehtësuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës, kanë shpërndarë të dhëna konfidenciale, janë përfshirë në sigurimin e kushteve për vrasje dhe kanë ndihmuar në fshehjen e të ardhurave të paligjshme, duke dëshmuar një lidhje të thellë midis elementëve të korruptuar të policisë dhe botës së krimit të organizuar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























