Çfarë duan sorrat dhe korbat, që nuk mund ta ofrojnë grabitqarët socialistë?

Një akuzë ndaj qeverisë për varfërinë, çmimet e larta dhe një ekonomi të mbështetur te konsumi, ndërsa debati për “koncertin privat” rikthen përplasjen politike.

24
Kryeministri Edi Rama dhe reperi amerikan Kanye West
Credits: kryeministria.al - Kryeministri Edi Rama dhe reperi amerikan Kanye West

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale janë turrur me një furi glasash, duke bërë llogari perverse prej manipulatorësh të paskrupullt e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do të mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.

Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur, me këtë rast, nga duart e armiqve dhe dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profileve false, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.”

Këtë pasazh e lexova në statusin e një miku tim, deputet socialist, të cilit i shkrova: “Mblidhi mendtë se jeni bërë për t’u lidhur!”

Kam një lloj ligështie ndaj çdo ligësie, sidomos kur, prej pamundësisë, ajo përdoret për t’iu arratisur thelbit. Ndaj po i vë gjuhës fre këtë herë, por po marr mundimin t’i shpjegoj mikut tim, edhe çdo burri apo gruaje në atë organizatë të gangrenizuar nga paaftësia dhe ligësia, se çfarë duan sorrat dhe korbat, që nuk mund ta ofrojnë grabitqarët socialistë.

Duan që çmimet e ushqimeve në Shqipëri të mos jenë 3.8% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Evropian, në një kohë kur të ardhurat janë sa 41% e mesatares së BE-së.

Duan që çmimet e larta të ushqimeve të mos u “rrëmbejnë” 39.6% të buxhetit familjeve shqiptare, ose gati tri herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Duan që kequshqyerja në Shqipëri të mos jetë më e larta në Evropë, e për më tepër të mos jetë në rritje. Nga të dhënat e FAO-s, “sorrat dhe korbat” kanë mësuar se, në fillim të qeverisjes së grabitqarëve socialistë, në periudhën 2014–2016, prevalenca e kequshqyerjes ishte 4.5%. Pas viteve 2019–2020, prevalenca e kequshqyerjes arriti në 5.4%; për vitet 2020–2021 u rrit më tej në 5.8%, duke shënuar një kulm të ri prej 6.2% në periudhën 2021–2023.

Duan që 19.2% e shqiptarëve (ose një në pesë shqiptarë) të mos jetojnë në kufirin absolut të varfërisë, ose me një të ardhur mesatare mujore nën 27,028 lekë për individ. Duan që 40.5% e popullsisë (gati një në dy shqiptarë) të mos jetojë nën kufirin relativ të varfërisë ose në rrezik varfërie apo përjashtimi social, sepse, dreqi e mori, këto shifra janë më të lartat në Evropë.

Por nuk ka shqiptar që nuk e di pse ju, “kuç e me maç”, jeni vënë në mbrojtje të një koncerti privat. Ekonomia e konsumit që keni ndërtuar nuk mund të mbijetojë pa koncerte, pa kazino, pa paranë e pistë.

Vizioni socialist i ekonomisë së bazuar në konsum, ose “bukës dhe cirkut”, ku dominojnë shitja me pakicë, mikpritja dhe argëtimi; ku importohet thuajse çdo gjë dhe prodhohet pothuajse asgjë; ku varësia nga zinxhirët globalë të furnizimit është e dukshme; ku mungesa e elasticitetit rrit ndjeshmërinë ndaj inflacionit, rritjes së normave të interesit dhe sentimentit të konsumatorit, ka nevojë për nxitjen e kërkesës, ka nevojë për koncerte, ka nevojë për cirk. Ndaj zabrahanisni ku të mundni në kurriz të taksapaguesve.

Por, edhe pse halli juaj është i dukshëm dhe diareja juaj orale është irrituese, ky koncert, edhe një mijë të tjerë, nuk e ndryshojnë dot faktin që ne jetojmë në një vend me mundësi të pabarabarta në arsim dhe shëndetësi, me vende pune me paga të ulëta dhe produktivitet të ulët, me tregje që nuk funksionojnë siç duhet dhe me korrupsion.

Në këto rreshta, të gjitha shifrat janë zyrtare. Ndaj, sido që t’i quani ata që kërkojnë një qeverisje më të mirë, kjo nuk e zbeh faktin që ju keni ndërtuar një ekonomi grabitqare.

Ju të gjithë, pa më të voglin përjashtim, keni kohë që e dini se jeni bërë për t’u lidhur, por nuk e prisnit reagimin. Ndaj keni lëshuar gjuhën.

Irena Beqiraj
+ posts

Irena Beqirajështë ekonomiste shqiptare, eksperte e financave publike dhe mbajtëse e titullit ndërkombëtar Chartered Financial Analyst (CFA). Ajo ka një karrierë të gjatë në administratën publike dhe në fushën e politikave fiskale, duke shërbyer si zëvendësministre e Financave në qeverinë shqiptare, ku ka mbuluar çështjet e fiskut dhe administrimit të financave publike. Për një periudhë ka ushtruar edhe detyrën e Drejtores së Përgjithshme në detyrë të Doganave.

Pas angazhimit në administratën shtetërore, Beqiraj është bërë një nga zërat më aktivë në debatin publik për ekonominë, qeverisjen, financat publike dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Përmes analizave, artikujve dhe komenteve të saj në media dhe rrjetet sociale, ajo trajton tema që lidhen me transparencën fiskale, politikat ekonomike, investimet publike, shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike.