Gjykata kthen në SPAK dosjen e Elvis Roshit

Ish-kryebashkiaku i Kavajës akuzohet për shpërdorim detyre për një dëm ekonomik të evidentuar nga KLSH në periudhën 2013-2014.

23
Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku i Kavajës
Credits: Facebook i Elvis Roshit - Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku i Kavajës

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer sërish në SPAK dosjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullave në procedurat e prokurimeve publike.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila i ka kërkuar Prokurorisë të saktësojë mënyrën e formulimit të akuzës, pasi edhe më herët i kishte lënë SPAK-ut mundësinë për të rregulluar problematikat e evidentuara në ndërtimin e saj.

GJKKO nuk ka bërë ende publik arsyetimin e plotë të vendimit, ndërsa pritet që detyrat konkrete që i janë lënë SPAK-ut t’u komunikohen palëve pas zbardhjes së vendimit.

Avokati mbrojtës i Roshit, Andi Skënderi, ka pretenduar gjatë procesit se gjetjet e prokurorisë, afatet e hetimit dhe mënyra e finalizimit të akuzës nuk janë në përputhje me kërkesat procedurale.

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht ish-kryebashkiakut akuzën për “shpërdorim detyre”, pas një kallëzimi penal të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Hetimi lidhet me periudhën 2013–2014, kur Elvis Roshi drejtonte Bashkinë e Kavajës.

Sipas materialeve të administruara në dosje, një auditim i KLSH-së evidentoi një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh në fushat e prokurimeve publike dhe urbanistikës.

Pas përfundimit të raportit auditues, KLSH depozitoi kallëzim penal fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa më pas çështja kaloi për hetim në SPAK.

Hetimet janë fokusuar në dyshimet se Roshi, së bashku me 10 zyrtarë të tjerë të Bashkisë Kavajë, kanë shkaktuar dëm ekonomik përmes 12 procedurave të tenderimit, që lidhen me rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa akseve rrugore.

Sipas dyshimeve të ngritura nga KLSH, në disa raste operatorë ekonomikë me oferta më të ulëta janë skualifikuar pa argumentim të mjaftueshëm ligjor, ndërsa janë shpallur fituese kompani me oferta më të larta dhe me dokumentacion të paplotë.

Raporti auditues ka evidentuar gjithashtu raste ku dokumentet e tenderëve janë ndryshuar vetëm pak ditë përpara hapjes së ofertave, si dhe procedura ku janë shpallur fitues operatorë që nuk plotësonin kriteret minimale, me qëllim shmangien e anulimit të tenderëve.

Përveç prokurimeve publike, auditimi ka evidentuar edhe problematika në sektorin e urbanistikës.

Sipas KLSH-së, janë konstatuar 12 raste miratimesh ndërtimore pa respektuar distancat ligjore nga kufiri i pronës, si dhe 20 raste të tjera ku lejet e ndërtimit janë dhënë pa dokumentacionin e nevojshëm teknik dhe ligjor.

Kjo nuk është përballja e parë e Elvis Roshit me drejtësinë. Ai u largua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës pas publikimit të të dhënave për një dënim të mëparshëm penal në Itali, për të cilin ai deklaroi se nuk kishte pasur dijeni.

Ndërkohë, një hetim i publikuar nga BIRN ka raportuar më herët për një dënim të Roshit në Zvicër nën akuzën e trafikut të drogës dhe më pas deportimin e tij.

Emri i ish-kryebashkiakut u rikthye në vëmendjen publike edhe pas zgjedhjeve të 11 majit, kur ai u shfaq në krah të kushëririt të tij, Elton Roshi, kandidat i koalicionit PD–ASHM. Edhe pse nuk mbante funksione zyrtare, Elvis Roshi vijoi aktivitetin politik.

Pas zgjedhjeve parlamentare, SPAK urdhëroi kontrolle dhe sekuestrime në banesën e tij, ku u gjetën dokumente që ngritën dyshime për ndërhyrje të mundshme në procesin zgjedhor.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.