Spak përfundon hetimet për Elvis Roshin

Dosja e ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi i akuzuar për “shpërdorim detyre” pritet të kalojë për gjykim.

632
Ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi
Credits: LSA - Ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi

Spak mbylli hetimet për ish-kryebashkiakun socialist të Kavajës Elvis Roshi.

Ai u paraqit paraditen e ditës së sotme në Spak, i shoqëruar me avokatin e tij mbrojtës Andi Skënderi ku iu komunikua mbyllja e hetimeve ndaj tij dhe kalimi i çështjes për gjykim.

Dosja voluminoze pritet të kalojë për shqyrtim gjyqësor pas hetimit që zgjati 6 muaj që prej datës 9 Qershor 2025, kur Spak i komunikoi zyrtarisht akuzat për “shpërdorim detyre”, pas një kallëzimi penal të bërë nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Akuzat lidhen me periudhën e viteve 2013-2014, kohë kur Elvis Roshi drejtonte Bashkinë e Kavajës.

Do të ishte një auditim rutinë i KLSH-së në ato vite, që evidentoi një dëm ekonomik prej  33,792,933 lekësh, i konstatuar në fushat e prokurimeve publike dhe urbanistikës.

Pas përfundimit të Raportit Auditues, KLSH depozitoi kallëzimin penal fillimisht në Prokurorinë e Tiranës derisa dosja përfundoi në duart e SPAK.

Raporti i KLSH-së hodhi dyshimet e para se Roshi në bashkëpunim me 10 zyrtarë të tjerë të Bashkisë shkaktuan një dëm prej 33 milionë lekësh përmes 12 tenderave të ndryshëm që lidhen me rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Gjithashtu Roshi dhe punonjësit e bashkisë akuzohen se  kanë ndikuar në procesin e disa tenderëve si ai për ndriçimin e shëtitores “Indrit Cara” dhe rikonstruksionin e rrugës “Dhimitër Pjeshkazini”.

Dyshohet se ata kanë ndjekur standarte të ndryshme në vlerësimin e ofertave duke skualifikuar operatorë ekonomikë me oferta më të ulëta pa arsye ligjore ndërsa fitues janë shpallur kompani me oferta më të larta dhe pa dokumentacion të plotë.

Gjithashtu raporti i KLSH-së kishte evidentuar se në disa raste dokumentet e tenderit janë modifikuar vetëm tre ditë përpara hapjes së ofertave apo raste kur janë shpallur fitues të gjithë operatorët ekonomikë, vetëm pavarësisht se ato nuk përmbushnin as kushtet minimale, bërë kjo me qëllim për të mos e anuluar tenderin.

Por tenderët nuk janë subjekti i vetëm i abuzimeve. Audituesit e KLSH-së zbuluan dhe 12 raste të miratimeve ndërtimore pa respektuar distancat ligjore nga kufiri i pronës dhe 20 raste të tjera ku lejet e ndërtimit janë dhënë pa dokumentacion teknik apo ligjor.

Dosja voluminoze e KLSH-së për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014 bëri që ish-kryebashkiaku të përballej me akuza të errëta për  “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera” ndërsa tashmë pritet që Gjykata të marrë vendim.

Emri i Elvis Roshit, u lakua sërish pas zgjedhjeve të 11 Majit, periudhë kur ai u pozicionua në krah të kushëririt të tij Elton Roshi-t, kanditat i PD-ASHM.

Edhe pse qëndroi larg funksioneve dhe posteve zyrtare, ai mbeti shumë aktiv politikisht.

Spak, pas zgjedhjeve qëndrore urdhëroi sekuestrimin dhe ushtrimin e kontrrolleve në banesën e tij ku u zbuluan dokumente që ngritën  dyshime për ndërhyrje në procesin zgjedhur.

Duket se ky nuk është rasti i parë që Roshi përballet me drejtësinë. Edhe dorëheqja nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës erdhi pas daljes në pah të një dënimi penal të mëparshëm në Itali, për të cilin Roshi pretendonte se nuk kishte dijeni më parë. Ndërsa një hetim i BIRN, ka zbuluar se ish-kryebashkiaku është dënuar më parë në Zvicër nën akuzën e trafikut të drogës dhe është deportuar.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.