
Kryeministri Edi Rama sulmoi ashpër të martën gjyqtarët dhe Gjykatën Kushtetuese, në një kohë kur kjo e fundit po shqyrtonte kërkesën e dy shoqatave të magjistratëve për shpalljen antikushtetuese të disa neneve të ligjit që lidh pagën e gjyqtarëve me atë të Presidentit të Republikës.
Në një reagim publik, të bërë pikërisht gjatë zhvillimit të seancës, Rama përdori një gjuhë të ashpër, duke e cilësuar kërkesën e gjyqtarëve si “marrëbabëzi”, “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues” dhe duke paralajmëruar se një vendim në favor të tyre do të përbënte një “turp kombëtar”.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese nuk u transmetua për publikun për shkak të “defekteve teknike”. Në këtë kontekst, kryeministri ndërhyri me një postim në rrjetin social X, ku e përshkroi procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, të imponuar, sipas tij, nga dy shoqata gjyqtarësh që synojnë të rrisin pagat e tyre përmes gjykatës.
Rama pretendoi se gjyqtarët janë tashmë kategoria më e paguar në Shqipëri falë mbështetjes së mazhorancës për Reformën në Drejtësi dhe se përmes kësaj padie po përpiqen të uzurpojnë kompetencat e parlamentit dhe qeverisë për politikën e pagave. Ai deklaroi se gjyqtarët synojnë të fitojnë “të drejtën për t’ia rritur vetes pagën në përjetësi”, sa herë që rriten pagat e tjera në sektorin publik.
Në të njëjtën kohë, kryeministri përdori një retorikë përçarëse brenda sistemit të drejtësisë, duke veçuar dhe lavdëruar Prokurorinë e Posaçme për mospjesëmarrjen në këtë padi. “Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie,” shkroi Rama, duke e përdorur këtë fakt për të delegjitimuar kërkesat e pjesës tjetër të trupës gjyqësore.
Padia në Gjykatën Kushtetuese ka në fokus një ligj të miratuar nga Kuvendi në vitin 2023, i cili vendosi lidhjen e pagës referuese të magjistratëve me pagën e Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të gjyqtarëve në atë periudhë, në përputhje me ligjet e reformës në drejtësi. Ndërkohë, në vijim u miratuan edhe rritje të konsiderueshme të pagave për administratën civile.
Sipas Unionit të Gjyqtarëve, lidhja e pagës së tyre me atë të Presidentit i ka përjashtuar nga përfitimi i rritjeve të mëvonshme dhe bie ndesh me nenin 138 të Kushtetutës, i cili garanton pavarësinë financiare të gjyqësorit.
Pas rreth shtatë orësh seancë, ku u dëgjuan palët kërkuese – Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve – si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, i cili pritet të shpallet brenda pak ditësh.
Sulmi i kryeministrit ndaj gjyqtarëve vjen vetëm pak ditë përpara se Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë edhe kërkesën e tij për vendimin e Gjykatës së Posaçme që pezulloi zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në të njëjtën kohë, shumica parlamentare mban të papërpunuar një kërkesë të dytë të SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e lidhur atë politikisht me vendimmarrjen e Kushtetueses, ndonëse çështjet janë të ndryshme.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























