Beteja për vendin vakant në Kushtetuese

Një votë e kontestuar, një padi që sfidon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe pezullimi i dekretimit nga Presidenti nxjerrin në pah tensionet dhe pasigurinë në ekuilibrin e Gjykatës Kushtetuese.

1006
Gjykata Kushtetuese
Credits: exit.al - Gjykata Kushtetuese

Procesi për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është shoqëruar me tensione dhe dyshime për manipulim të votave brenda Gjykatës së Lartë. Kandidati Asim Vokshi u shpall fitues i vendit vakant, ndërsa Naureda Llagami pretendon se vota e saj u shpall e pavlefshme në mënyrë të padrejtë, duke i mohuar shumicën e nevojshme prej 3/5 të votave.

Llagami ka ngritur padi në Gjykatën Administrative, por kërkesa e saj për pezullimin e vendimit u rrëzua. Më pas ajo paraqiti një ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rigjykim dhe shpalljen e saj fituese. Vendimi i Kushtetueses më 11 nëntor pritet të vendosë jo vetëm për plotësimin e vendit vakant, por edhe për besueshmërinë dhe integritetin e procesit të emërimeve gjyqësore.

Presidenti Bajram Begaj ka vendosur të mos dekretojë Asim Vokshin deri pas vendimit të Kushtetueses, duke shmangur çdo precedent të dëmshëm për institucionin.

Gjykata kundër Gjykatës

Në një ditë të zakonshme të fundshtatorit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u mblodhën për të vendosur mbi kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Ajo që u duk fillimisht si një proces rutinë u shndërrua në një përplasje institucionale, që do të vendoste jo vetëm fatin e një anëtari të Kushtetueses, por edhe besueshmërinë e sistemit gjyqësor.

Kandidatët kryesorë ishin Asim Vokshi, me 89.5 pikë sipas vlerësimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), dhe ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, me 89.3 pikë. Një kandidat tjetër, Florian Ballhysa, mori 77.83 pikë.

Mbledhja e 30 shtatorit, dokumentuar nga procesverbalet dhe një regjistrim audio tregoi tensionet që nisën që në fillim.

Të drejtë vote kishin 15 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Pas votimit, Llagami mori 8 vota, Vokshi 6, Ballhysa asnjë, dhe një votë u shpall e pavlefshme nga komisioni teknik administrativ.

Në audion që rrodhi në media pretendohet se nga mbledhja e posaçme e gjyqtarëve më 30 është fshehur një regjistrimin në procesverbalin zyrtar të Gjykatës së Lartë në lidhje me kontestimin e një vote që u shpall e pavlefshme nga komisioni.

Regjistrimi flet për kundërshtitë dhe ndërhyrjet në mbledhje nga kryetari i Gjykatës së Lartë, duke krijuar dyshime për manipulim.

Nga ana saj Gjykata e Lartë i ka konsideruar këto akuza si sulme të qëllimshme ndaj këtij insitucioni.

“Gjykata e Lartë rithekson se procesi i zhvilluar më 30 shtator 2025 është i ligjshëm, transparent dhe i dokumentuar në çdo hap të tij. Çdo veprim është kryer në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret në fuqi, pa asnjë prapavijë apo qëllim të fshehtë. Në këtë kuptim, Gjykata e Lartë nuk ka asgjë për të shpjeguar jashtë fakteve, dhe asgjë për t’u justifikuar ndaj fyerjeve apo insinuatave që qarkullojnë në publik” – thuhet në deklaratën për shtyp.

Por përkundër të gjithë sqarimeve të dhëna nga Insitucioni, pas mbledhjes së kontestuar, Llagami ngriti padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë më 14 tetor, duke kërkuar pezullimin e vendimit të 30 shtatorit dhe njohjen e rezultatit në favor të saj.

Padia referohet pikës 6 të nenit 12 dhe pikës “b” të nenit 13 të Rregullores së Gjykatës së Lartë, sipas të cilave vetëm gjyqtarët kanë kompetencë për të vendosur mbi vlefshmërinë e votës.

Gjykata Administrative, përmes gjyqtares Semiramis Hoxholli, rrëzoi kërkesën, duke argumentuar mungesën e juridiksionit dhe shmangien e precedentëve të rrezikshëm. Në përgjigje, Llagami paraqiti më 14 tetor një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rigjykimin e çështjes nga një trup gjykues tjetër dhe shpalljen e saj fituese me 9 vota.

Vetë Llagami refuzoi të komentojë procedurat ligjore të ndjekura prej saj, por nga ana tjetër avokati Redi Ramaj thotë për “shteg.org” se komplikimet burokratike kanë sjellë deformimin e rezultatit të zgjedhjes së anëtarit të gjykatës kushtetuese.

“Procesi i Gjykatës së Lartë duhet të ishte më i thjeshtë dhe më transparent. Komplikimet burokratike sjellin deformime të qarta, dhe në këtë rast, vullneti i gjyqtarëve u cënua.” thotë Ramaj.

Ndërsa për Ermal Hamataj “vota që u shpall e pavlefshme ishte mëse e qartë për zonjën Llagami, por komisioni i administratës dhe ndërhyrja e kryetarit e ndryshuan rezultatin.”

Në deklaratën e Gjykatës së Lartë saktësohet se procesi i vlerësimit është bazuar në rregullore, e cila është zbatuar identikisht në të gjitha procedurat e mëparshme të zhvilluara për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, pa asnjë kontestim institucional.

“Nëse sot opinioni publik dëgjon regjistrimin audio të mbledhjes, kjo është falë vetë vendimit të Gjykatës së Lartë për t’i dhënë akses të plotë palës së interesuar, jo ndonjë ‘zbulim’ apo ‘sekret’ i nxjerrë jashtë institucionit, siç deklarohet nga disa media” – sqarohet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

Në rastin konkret, sipas deklaratës zyrtare, “në fletën e shpallur të pavlefshme janë bërë dy shenja të ndryshme: një kryq votimi dhe një rrethim i numrit në krah të kandidatit gjë që, pavarësisht se mund të japë përshtypjen e një “qartësie të vullnetit”, cenon hapur fshehtësinë e votës dhe hap mundësinë që ajo të identifikohet”.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke parë tensionet dhe dyshimet për ligjshmëri, vendosi të mos dekretojë Asim Vokshin deri pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 11 nëntor.

Në një njoftim zyrtar thuhet: “Dekretimi është pezulluar deri pas shqyrtimit të padisë së zonjës Llagami nga Gjykata Kushtetuese, për të shmangur çdo dëm të pariparueshëm në emërimet e ardhshme.”

Vendimi i 17 tetorit 2025 i Gjykatës Kushtetuese përcakton gjithashtu se fillimi i mandatit të gjyqtarëve të rinj merret nga data e përfundimit të mandatit të parardhësit, duke garantuar rifreskimin 1/3 të trupës çdo tre vite dhe duke pasqyruar rëndësinë e transparencës në emërime, përfshirë vakancat e ardhshme të Sonila Bejtjes dhe Elsa Toskës.

Pas nisjes së Reformës në Drejtësi, e cila pati kulmin në procesin e Vettingut, Gjykata Kushtetuese ka përjetuar vështirësi të shumta. Shumë nga anëtarët kanë dalë nga sistemi, gjë që ka bërë të vështirë ripërtëritjen e 1/3 së trupës çdo tre vite. Në sfond të kësaj historie, përplasjet mes institucioneve shihen qartë.

Sidoqoftë, tensionet politike u evidentuan edhe gjatë përplasjes ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetarja në detyrë e Kushtetueses, Holta Zaçaj, kanë pasur debate të hapura mbi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës.

Gjatë ceremonisë së 30-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama theksoi: “Venecia është udhërrëfyes për vettingun dhe Reformën në Drejtësi.” Ndërsa kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, reagoi duke kujtuar se ky institucion nuk mund të jetë pronë e politikës.

“Gjykata Kushtetuese nuk është dekorative, është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e politikave, është kontratë me qytetarin. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen vetëm sepse njihen nga shteti; ato janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtim,” tha Zaçaj, duke nënvizuar pavarësinë dhe rëndësinë e Gjykatës në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve.

Gjithësesi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 11 nëntor pritet të vendosë jo vetëm për plotësimin e vendit vakant, por edhe për integritetin e procesit të emërimeve dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë. 

Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që garanton zbatimin e Kushtetutës dhe ekuilibrin ndërmjet tre pushteteve kryesore të shtetit: Kuvendit, Qeverisë dhe sistemit gjyqësor. Ajo ka në përbërje 9 anëtarë: tre emërohen nga Presidenti i Republikës, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Kushtetueses qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi, dhe vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve dhe në fatet e Shqipërisë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.