GJKKO refuzon për herë të katërt kërkesën për lirim nga burgu të Ilir Metës

Ish-presidenti ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë katër herë, duke argumentuar tejkalimin e afateve ligjore, por gjykata lë në fuqi “arrest me burg”.

961
Ilir Meta, Kryetari i Partisë së Lirisë
Credit: LSA - Ilir Meta, Kryetari i Partisë së Lirisë

Ish-presidenti Ilir Meta ka shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore që i njeh Kodi i Procedurës Penale lidhur me afatet e paraburgimit, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Megjithatë, pas katër kërkesash të njëpasnjëshme, të shoqëruara me rekursa e apelime në çdo shkallë gjyqësore, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar sërish kërkesën e tij të fundit.

Në vendimin e marrë gjatë ditës së sotme, GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës dërguar një ditë më parë për shuarjen e masës së sigurisë dhe zëvendësimin e saj me një masë më të lehtë, duke e lënë ish-presidentin në paraburgim, ku ndodhet prej tetorit të vitit 2024.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, me vendimin nr. 672, datë 22.10.2025, vendosi rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, me objekt “Shuarjen e masës së sigurimit personal të arrestit në burg për të pandehurin Ilir Metaj”, si të pambështetur në ligj” – thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër, sipas mbrojtjes, afatet ligjore të paraburgimit janë tejkaluar, çka përbën sipas tyre, shkelje të të drejtave themelore të Metës si i pandehur.

“Kërkuam shuarjen e masës së sigurisë sepse janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore. Gjykata nuk e ka arsyetuar vendimin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për mbajtjen peng të Metës në burg,” – deklaroi avokati Kujtim Cakrani pas seancës.

Ky është refuzimi i katërt me radhë i kërkesave për lirimin nga paraburgimi.

Më herët, Gjykata e Lartë kishte rrëzuar dy rekursë të Metës, duke lënë në fuqi vendimet e GJKKO-së dhe të Apelit të Posaçëm.

Pavarësisht se dosja ndaj tij ka kaluar për gjykim që në fund të gushtit 2025, procesi ndodhet ende në fazën paraprake, pa u zhvilluar as edhe një seancë gjyqësore.

“Jemi në fazën paraprake, por ende nuk është zhvilluar asnjë seancë. Hetimet kanë përfunduar, por procesi gjyqësor nuk ka nisur,” – shtoi Cakrani.

Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po gjykohen për disa vepra penale që lidhen me korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimi nisi nga afera CEZ–DIA e vitit 2009, ku dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 6.5 milionë euro.

Në të njëjtën dosje janë të pandehur edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monikës, ish-drejtori i AKEP-it Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. SPAK dyshon se Meta dhe Kryemadhi kanë ndërhyrë gjithashtu në tregun e fibrave optike gjatë vitit 2014 për të favorizuar një kompani të huaj, duke përfituar përmes kartave krediti të padeklaruara.

Hetimet përfshijnë edhe kontratat e lobimit të LSI-së në SHBA gjatë viteve 2016–2017, me një shumë prej 463 mijë dollarësh të padeklaruar në KQZ, si dhe blerjen e një apartamenti prej 310 mijë eurosh në emër të nënës së Kryemadhit, që dyshohet se është paguar tërësisht në cash për të fshehur origjinën e fondeve.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.