Ministria e Drejtësisë dorëzon në Zvicër kërkesën për ekstradimin e Arben Ahmetaj

SPAK kërkon 14 dëshmitarë dhe zbulon transferta të mëdha parash në BE, ndërsa Arben Ahmetaj gjykohet në mungesë.

1521
Arben Ahmetaj dhe avokati Henrik Ligori
Credits: LSA - Arben Ahmetaj dhe avokati Henrik Ligori

Ministria e Drejtësisë ka depozituar zyrtarisht në autoritetet zvicerane kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Lajmi u bë i ditur këtë të premte në sallën e Gjykatës së Posaçme, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi informacionin e mbërritur nga Interpol Tirana, në një seancë ku u vendos që procesi ndaj Ahmetajt në dosjen “Buka” të vijojë në mungesë.

Në të njëjtën seancë, SPAK kërkoi dërgimin për gjykim në themel të çështjes, ndërsa prokurori Elvin Gokaj lexoi akuzat dhe listën me 14 dëshmitarë që Prokuroria kërkon të thërriten, përfshirë ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Prokurori sqaroi se gjatë hetimeve janë identifikuar transferta të mëdha parash nga Shqipëria drejt një vendi të Bashkimit Europian, të cilat po verifikohen për origjinën dhe qëllimin e tyre.

Nga ana e tij, avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, deklaroi se për këtë çështje ndaj klientit të tij “nuk ekziston asnjë masë sigurie”, duke nënvizuar se kërkimi ndërkombëtar lidhet me procedime të tjera. Ai kundërshtoi gjithashtu referimin e Prokurorisë për hetime të reja, duke kërkuar që procesi të zhvillohet pa “akte surprizë”.

Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi dërgimin e çështjes për gjykim në themel, pas dy shtyrjeve të hetimeve që zgjatën gjithsej 6 muaj.

Sipas hetimeve të SPAK, Arben Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, vepër penale që dyshohet t’i ketë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh. Prokuroria pretendon se Ahmetaj, në kohën kur drejtonte Ministrinë e Financave, ka favorizuar biznesmenin Lirim Fezollari në procesin e privatizimit të shoqërisë “Buka sh.a”.

SPAK ka ndarë hetimin për Fezollarit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Financave, ndërsa për gjykim ka sjellë vetëm Ahmetajn.

Hetimet ndaj privatizimit të shoqërisë “Buka sh.a” kanë zbuluar se Fezollari zotëron aktualisht 89.48% të aksioneve, ndërsa Ministria e Financave mban 4.73%. Kompania operon në fusha të ndryshme, nga administrimi i pasurive, tregtia dhe import-eksporti, deri te gastronomia dhe aktivitetet kulturore.

Sipas SPAK-ut, marrëdhëniet mes Ahmetajt dhe Fezollarit dyshohet se kanë qenë përtej komunikimit institucional, duke i hapur rrugë biznesmenit të përfitonte në mënyrë të padrejtë nga procesi i privatizimit.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej korrikut 2023, pas hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. SPAK e akuzon atë për “fshehje pasurie”, “korrupsion pasiv” në gjashtë episode dhe “pastrim parash”. Dy procedime të mëparshme janë bashkuar në një, ndërsa dosja “Buka” përbën çështjen më të fundit të hapur ndaj ish-zv.kryeministrit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.