SPAK, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, së bashku me 10 persona të tjerë, lidhur me fraksionin e dosjes për Inceneratorin e Elbasanit.
Ahmetaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, fshehje dhe mosdeklarim pasurie në 15 raste, si dhe pastrim parash. Ai dyshohet se ka përfituar rreth 700 mijë euro nga sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes fatura fiktive dhe transaksionesh të simuluara.
Sipas hetimeve, Ahmetaj dyshohet se ka favorizuar biznesmenët për të fituar kontrata për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Të njëjtat akuza për korrupsion rëndojnë edhe mbi Zoton dhe Mërtirin.
Hetimi zbulon një rrjet të ndërlikuar transaksionesh fiktive dhe pagesash, që përmes kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, me pronar Klodian Zoto, lehtësuan përfitimet personale të Ahmetajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas SPAK, Ahmetaj “Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur burimin, kohën e fitimit dhe vetë pronësinë e vilës në Green Coast, Palasë” – thuhet në njoftimin e SPAK duke shtuar më tej se vila bashkë me parkimin arrin në vlerën e mbi 387 mijë euro.
Ahmetaj dyshohet gjithashtu për deklarim të rremë të vilës së tij në Green Coast, Palasë, duke fshehur burimin dhe pronësinë e saj. Në dosje përfshihen edhe bashkëshortja Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortja Albina Mançka, të cilat dyshohen për fshehje të parave dhe mosdeklarim të burimeve të pasurisë.
Megjithatë, vetë Ahmetaj i ka mohuar këto akuza nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë tre vite më parë, duke i cilësuar të pavërteta dhe akuzat për zhdukjen e 430 milionë eurove nga tre inceneratorët.
Sipas hetimeve, Ahmetaj dyshohet se ka favorizuar biznesmenët për të fituar kontrata për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Të njëjtat akuza për korrupsion rëndojnë edhe mbi Zoton dhe Mërtirin.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej korrikut 2023, pas hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.
Në qershor 2025, Gjykata e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të Ahmetajt, duke përfshirë një apartament, një depozitë dhe një llogari bankare, pavarësisht ankimit të avokatëve të tij.
Afera e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro. Një numër i madh zyrtarësh janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Lora Dusha.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























