SPAK shtyn për herë të gjashtë hetimet ndaj Arben Ahmetajt

Ish-zëvendëskryeministri, në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, vijon hetimet për aferën e inceneratorëve, ku janë përfshirë edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e tij.

788
ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj
Credits: LSA -

Për të gjashtën herë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të zgjasë afatin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Ahmetaj hetohet me masë sigurie në mungesë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, ndërsa në këtë çështje janë përfshirë edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e tij, të cilat akuzohen për pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 24 korrikut 2023, nën akuzat për mosdeklarim dhe deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Dosja voluminoze përfshin dyshimet se Ahmetaj ka favorizuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për të fituar kontratat për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.

Megjithatë, vetë Ahmetaj i ka mohuar këto akuza nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë tre vite më parë, duke i cilësuar të pavërteta dhe akuzat për zhdukjen e 430 milionë eurove nga tre inceneratorët.

Sipas SPAK, kompleksiteti i veprimeve hetimore dhe periudhat e ndryshme kohore në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale kanë qenë arsyeja për shtyrjen e mëtejshme të hetimeve, të cilat tani janë zgjatur deri më 22 mars 2026. 

Mbrojtësi ligjor i Ahmetajt, avokati Henrik Ligori, ka deklaruar se klienti i tij e ka pritur me indiferencë këtë shtyrje të njëpasnjëshme, duke theksuar se interesi kryesor mbetet zbardhja e së vërtetës dhe sigurimi që organi i akuzës të ketë gjithë kohën e nevojshme për hetimet.

Në përputhje me ligjin, kjo është hera e fundit që SPAK mund të shtyjë afatet hetimore. Pas kësaj, prokuroria duhet të vendosë nëse çështja do të dërgohet për gjykim apo jo.

Një tjetër procedim penal ndaj Ahmetajt kaloi për gjykim në korrik 2025. Gjykata e Posaçme vendosi të çojë për gjykim çështjen penale të quajtur “Buka”, pas dy shtyrjeve të hetimeve që e zgjatën procesin për rreth gjashtë muaj.

Në qershor 2025, Gjykata e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të Ahmetajt, duke përfshirë një apartament, një depozitë dhe një llogari bankare, pavarësisht ankimit të avokatëve të tij.

Afera e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro. Një numër i madh zyrtarësh janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Lora Dusha. Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan nga SPAK në mars 2022 dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara (AAPKS).

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.