Nëntë muaj pas ngritjes së akuzës, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, u thirr këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve mbi tenderin 700 mijë eurosh që lidhet me periudhën kur ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Beci qëndroi për rreth dy orë në prokurori, por nuk dha asnjë koment për median ndërsa sipas Prokurorisë, Ai akuzohet për shkelje të ligjit në tenderin me objekt “Zhvillimi strategjik i sektorit energjetik”, një procedurë që u zhvillua në vitin 2019.
Hetimi për këtë çështje nisi pas disa të dhënave të gjetura në celularin e Evis Berberit, ish-drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat çuan prokurorinë drejt hetimeve për shkelje të mundshme në sektorin energjetik.
Dokumentet e hetimit tregojnë se më 18 dhjetor 2019, KESH shpalli një procedurë prokurimi me fond limit 69,500,000 lekë (rreth 700 mijë euro) për një projekt kërkimor të titulluar “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”. Nga hetimet rezulton se ka pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë, duke u cituar si prova kryesore e SPAK.
Beci, i kontaktuar pas paraqitjes në SPAK, nuk ka dhënë asnjë koment mbi akuzat që rëndojnë mbi të.
Përveç Becit, për këtë çështje janë nën akuzë edhe gjashtë persona të tjerësi Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti. Të gjithë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim.
Hetimet ndaj Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Becit janë nxitur nga provat e dala gjatë një hetimi paralel kundër Evis Berberit, ish-drejtor i ARRSH-së, i arrestuar më herët nga SPAK. Gjatë hetimeve ndaj tij, prokuroria sekuestroi dhe analizoi telefonin e bashkëshortes së tij, Adela Ruko, e cila rezulton të ketë qenë në atë kohë kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e KESH.
Gjatë analizës së telefonit, hetuesit kanë zbuluar komunikime direkte midis Adela Rukos dhe Benet Becit, i cili në atë periudhë ishte drejtor i KESH. Sipas hetimit, Ruko ka marrë udhëzime si nga Beci, ashtu edhe nga bashkëshorti i saj Berberi, për të siguruar favorizimin e një kompanie të paracaktuar në tender.
Në një nga SMS-të e gjetura, Evis Berberi i shkruan Benet Becit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“…500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”
Ky mesazh, sipas prokurorëve ngre dyshimet se pas tenderit fshihej një skemë ndarjeje të parave, në të cilën përfitues të drejtpërdrejtë do të ishin zyrtarët e lartë dhe persona të lidhur me ta.
Dokumentet tregojnë se tenderi është fituar nga kompania “Consulting & Management Albania” SHPK, në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari. Kjo kompani ishte e vetmja pjesëmarrëse në garë dhe bëri një ofertë sa 99.8% e fondit limit, një tregues tipik i mungesës së konkurrencës së lirë. Vetëm një ditë pas mbylljes së procedurës, kompania u shpall fituese, duke përforcuar dyshimet për paracaktim.
Sipas SPAK, kompania në fjalë dyshohet se do të shërbente si mjet për ndarjen e shumës së kontratës ndërmjet personave të përfshirë. Ndërsa një pjesë e parave pretendoheshin për profesorë të angazhuar nga Universiteti i Harvardit, pjesa tjetër do të shpërndahej në formë korrupsioni ndaj vendimmarrësve.
Më 4 nëntor 2024, Benet Beci u paraqit në ambientet e SPAK, ku dha deklarime për rreth 40 minuta, ndërsa më 23 prill 2025, Prokuroria e Posaçme vendosi zgjatjen e afatit të hetimeve, për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes dhe nevojës për analiza të mëtejshme të komunikimeve dhe dokumenteve të sekuestruara.
Benet Beci, një prej figurave më të promovuara nga Partia Socialiste në nivel vendor, përballet tani me akuza serioze që rrezikojnë jo vetëm karrierën e tij politike, por edhe administrimin e Bashkisë së Shkodrës nëse ai gjendet fajtor nga gjykata.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























