Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten më 9 janar 2025 përfundimin e hetimeve ndaj kryetarit të bashkisë së Shkodrës dhe dërgimin e dosjes së tij për gjykim.
Benet Beci, së bashku me 6 funksionarë të tjerë shtetëror, akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, një vepër që, sipas Kodit Penal, mund ta çojë deri në tre vjet burg.
Hetimet lidhen me procedurat e ndjekura nga Beci kur drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), ku dyshohet se Beci ndikoi në një tender të zhvilluar me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)” dhe fond limit 69.5 milionë lekë.
SPAK njofton se gjatë procedurës janë evidentuar veprime që kanë favorizuar kompaninë fituese, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
“I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, ‘Consulting & Management Albania’ sh.p.k.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK njofton se gjatë hetimit janë përdorur prova të siguruara përmes teknikave të posaçme hetimore, si dhe materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, bashkëshort i të pandehurës Adela Ruko.
Hetimet ndaj Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Becit, janë nxitur nga provat e dala gjatë një hetimi paralel kundër Evis Berberit, ish-drejtor i ARRSH-së, i arrestuar më herët nga SPAK.
Gjatë hetimeve ndaj tij, prokuroria sekuestroi dhe analizoi telefonin e bashkëshortes së tij, Adela Ruko, e cila rezulton të ketë qenë në atë kohë kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e KESH.
Gjatë analizës së telefonit, hetuesit kanë zbuluar komunikime direkte midis Adela Rukos dhe Benet Becit, i cili në atë periudhë ishte drejtor i KESH. Sipas hetimit, Ruko ka marrë udhëzime si nga Beci, ashtu edhe nga bashkëshorti i saj Berberi, për të siguruar favorizimin e një kompanie të paracaktuar në tender.
Dokumentet tregojnë se tenderi është fituar nga kompania “Consulting & Management Albania” SHPK, në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari. Kjo kompani ishte e vetmja pjesëmarrëse në garë dhe bëri një ofertë sa 99.8% e fondit limit, një tregues tipik i mungesës së konkurrencës së lirë. Vetëm një ditë pas mbylljes së procedurës, kompania u shpall fituese, duke përforcuar dyshimet për paracaktim.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave” – sqarohet në njoftimin e SPAK, e cila ka ngritur akuzat që kanë lidhje me procedurat e tenderimit referuar Kodit Penal.
Benet Beci është thirrur disa herë në SPAK gjatë hetimeve, dhe herën e fundit, më 19 dhjetor, qëndroi rreth dy orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pa dhënë deklarata për mediat.
Benet Beci, një prej figurave më të promovuara nga Partia Socialiste në nivel vendor, përballet tani me akuza serioze që rrezikojnë jo vetëm karrierën e tij politike, por edhe administrimin e Bashkisë së Shkodrës nëse ai gjendet fajtor nga gjykata.
Sipas nenit 258 të Kodit Penal, kryerja nga personi i ngarkuar në funksione shtetërore apo në shërbim publik e veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























