Astriti u mbyt në detyrë, por Bashkia e konsideron jashtë orarit

Dëshmitë e familjes dhe filmimet e fundit sfidojnë versionin zyrtar, ndërsa qyteti përballej me përmbytje dhe rrjedha e ujit e mori atë pranë urës.

590
Astrit Hysenaj
Credits: Familja Hysenaj - Astrit Hysenaj

Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale në Bashkinë e Durrësit, humbi jetën gjatë javës së parë të janarit 2026, në një periudhë kur qyteti po përballej me reshje të dendura shiu dhe përmbytje në disa zona. 953 banesa dhe 100 ha tokë bujqësore u përmbytën, ndërsa u evakuan 160 persona. Në mes të këtij kaosi, më 6 janar 2026 trupi i 54-vjeçarit u gjet në një kanal kullues pranë urës në rrethin e unazës, në një zonë ku uji i përmbytjeve vërshonte nga të katër anët.

Dy ditë më pas, Bashkia Durrës publikoi një njoftim ku deklaronte se Astriti ishte paraqitur në punë në orën 06:00 dhe kishte punuar deri rreth orës 10:30, dhe se më pas ishte larguar nga ambientet e punës, ndërsa rrjedha e ujit e kishte marrë. Kjo deklaratë sugjeronte se ngjarja kishte ndodhur jashtë orarit të punës, duke e paraqitur si një rast të ndodhur pas largimit nga puna.

Por realiteti i familjes dhe dëshmitë e komunitetit tregojnë një tjetër pamje. Ata theksojnë se ai ishte në krye të detyrës kur u mor nga uji, dhe e kundërshtojnë versionin e Bashkisë. Për familjen, kjo nuk është vetëm një debat për oraret, por për faktin që vdekja e Astritit lidhet direkt me detyrën dhe rrethanat e përmbytjeve, ndërsa deklarata e Bashkisë nuk përputhet me atë që ata e kanë parë dhe përjetuar.

Mëngjesi i fundit

Përmbytjet në Durrës
Credits: shteg.org – Përmbytjet në Durrës

Astriti u ngrit si çdo ditë në orën 05:30. Shiu binte pa pushim. Përmbytjet ishin të dukshme në çdo cep të qytetit. Por për Astritin, puna nuk ishte zgjedhje. Ai ishte kryefamiljar i një familjeje me shtatë anëtarë. Ishte i vetmi që punonte dhe e dinte se, nëse nuk dilte në punë, familja e tij do të mbetej pa bukë.

Edhe pse familjarët i thanë të mos shkonte, duke e paralajmëruar për rrezikun, ai u largua, për mos t’u kthyer më kurrë i gjallë.

Trupi i pajetë i 54-vjeçarit u gjet në afërsi të urës pranë rrethit të unazës, në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit ushtarak. Ujërat e pambarimta vinin nga të katërta anët dhe në cepin e urës u pa mbi sipërfaqen e ujit trupi i Astritit.

Shtëpia e familjes Hysenaj gjendej jo më shumë se 25 minuta larg vendit ku u gjet trupi i pajetë i familjarit të tyre.

Në lagjen Arapaj, pranë Plepave, dyert e mortit ishin hapur në shtëpinë e Astritit, një ndërtesë njëkatëshe, e lyer me gëlqere të bardhë, ku stoli i vetëm syri shihte vazo me lule të vendosura në shkallët hyrëse të banesës.

Ndërsa familja Hysenaj ishte në ditët e para të zisë, më 8 janar, Bashkia Durrës publikoi një deklaratë ku shpjegonte se Astrit Hysenaj kishte qenë në punë deri rreth orës 10:30 dhe se më pas ishte larguar nga ambientet e punës, duke u marrë nga rrjedha e ujit.

“Punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.” – u shpreh Bashkia Durrës në një njoftim të shpërndarë për mediat.

Por familjarët kundërshtuan menjëherë këtë version. Ata ishin të bindur se Astriti ishte në orarin e punës kur ndodhi tragjedia.

“Ai në orarin e punës ishte përderisa nuk u kthye në shtëpi. Kjo është dhimbje e madhe, mos të na hapin plagë më të mëdha, të paktën mos ta përbaltin emrin e tij.” – u shpreh e përlotur mbesa e viktimës.

Në oborrin e vogël të shtëpisë, familjarë të tjerë vinin e shkonin, duke përsëritur të njëjtën gjë: Astriti nuk kishte humbur jetën jashtë orarit të punës, por në krye të detyrës.

Pasi doli nga shtëpia për t’u nisur drejt punës, e fundit herë që Astriti është parë ka qenë rreth orës 08:30 me anë të një filmimi që ka bërë një biznes aty pranë.

“Ja ku është. Ky është filmimi, i kapur nga një biznes anës rrugës” – u shpreh një tjetër familjar i z. Hysenaj.

Në pamje dukej 54-vjeçari, i cili kishte veshur uniformën e punës dhe mbante në duar një fshesë. Ishin këto sekondat e fundit që do të dokumentoheshin për Astritin, të cilin më pas do ta merrte rrjedha e ujit që vërshonte nga të katërta anët.

Në ligjin për sigurimet shoqërore në Shqipëri, një vdekje në krye të detyrës konsiderohet sigurim shoqëror i detyrueshëm, dhe familja e viktimës ka të drejtë për një trajtim financiar të veçantë.

Neni 5 i ligjit parashikon se familja e një punonjësi që humb jetën aksidentalisht gjatë ushtrimit të detyrës mund të përfitojë deri në tetëfishin e pensionit social.

“Nëse flasim nga ana njerëzore kjo është më normalja dhe më e pakta që duhet bërë sepse punonte që të mbante 7 anëtarë të familjes.” – shprehet mbesa lidhur me pensionin që duhet të përfitojnë familjarët e viktimës.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.