Shqipëria nën ujë

Qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë janë përmbytur, ndërsa ekspertët deklarojnë se pasojat janë rezultat i keq-qeverisjes dhe infrastrukturës së dobët.

685
Shqipëria nën ujë
Credits: shteg.org - Shqipëria nën ujë

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në të gjithë vendin, duke prekur qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Në Durrës janë evidentuar 953 banesa të përmbytura dhe 100 ha tokë bujqësore, ndërsa janë evakuuar 160 persona. Në Lezhë dhe Kurbin, përmbytjet kanë prekur 3,010 ha tokë bujqësore dhe disa dhjetëra banesa, ndërsa në Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Korçë dhjetëra fshatra dhe aks rrugorë janë të bllokuar, duke izoluar komunitete dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomi dhe infrastrukturë.

Për të menaxhuar emergjencën, qeveria ka angazhuar mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete në qarqet më të prekura, duke përdorur pompa me kapacitet të lartë dhe hidrovore për të thithur ujërat.

Në zonat më kritike si ish-Kënetë, Laç, fshatrat e Kukësit dhe lumi Vjosë në Vlorë, ndërhyrjet po kryhen për të mbrojtur banorët dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka minimizuar përgjegjësinë e qeverisë, duke e konsideruar fenomenin si një ngjarje natyrore që ndodh kudo, edhe në vendet e tjera të rajonit. Ai ka deklaruar se përmbytjet nuk janë rezultat i menaxhimit të keq të situatës, duke e krahasuar Shqipërinë me Italinë, Greqinë dhe vende të tjera të Europës, ku sipas tij, opozitat nuk fajësojnë qeveritë e tyre për fatkeqësitë natyrore.

Kronika e një vendi të përmbytur

Në Durrës, në orët e para të mëngjesit, banorët e zonës së ish-Kënetës u zgjuan me oborret e mbuluara dhe me ujin që po hynte në shtëpi. Në disa banesa, niveli arriti deri në 30 centimetra, ndërsa rrugicat u kthyen në kanale improvizuese.

Vetëm në Durrës u raportuan mbi 953 banesa të përmbytura, 160 persona të evakuuar dhe mbi 100 hektarë tokë bujqësore nën ujë. Në burgun e Durrësit, oborri dhe kati i parë mbetën të përmbytur, ndërsa pamjet me gomone brenda institucionit shënuan një situatë të paprecedentë.

Sipas urbanistit dhe aktivistit të qytetit të Durrësit, Artan Kacani, përmbytjet nuk janë thjesht pasojë e reshjeve intensive, por rezultat i drejtpërdrejtë i ndërhyrjeve të gabuara në infrastrukturën kulluese.

“Në vend që të ruhej kanali ekzistues, autoritetet publike kanë hartuar një devijim artificial, duke e orientuar ujin drejt hidrovorit kryesor,” shpjegon aktivisti. Ky veprim, sipas tij, ka sjellë pasoja zinxhir.

“Ka mbingopur kanalin e hidrovorit, shpesh mbi nivelin e detit, ka përmbytur qindra familje për ditë të tëra dhe ka përhapur përmbytjet në të gjithë qytetin. Në vend që uji të futej në kanalin e dedikuar në rrëzë të kodrës dhe të kullonte në mënyrë të pavarur, ai hyn në qytet dhe e përmbyt atë,” thotë ai, duke shtuar se devijimi aktual nuk mund të quhet hidrovor.

Po ashtu, ai vë në dukje ndërtimin e një kanali të ri betoni, i cili pretendohet se duhet të mbledhë ujërat e kanalit të mbyllur dhe t’i çojë drejt rrjedhës së hidrovorit. “Është ndërtuar në mënyrë absurde, mes një kabine elektrike,” shton ai.

Në të njëjtën kohë, Gjirokastra po përjetonte një nga ditët më të vështira. Në lagjen “18 Shtatori”, lumenjtë dhe përrenjtë sollën gurë e inerte, duke shkatërruar biznese dhe makina.

“Kjo nuk është përmbytje, është katastrofë. Gjithçka është e mbuluar nga balta,” thotë një tregtar, duke treguar dyqanin e rrënuar.

Me kalimin e orëve, situata u përkeqësua në Lezhë dhe Kurbin. Edhe pse reshjet u ulën, uji nuk u tërhoq. Në Kurbin, rreth 3,100 hektarë tokë bujqësore mbetën nën ujë dhe dhjetëra banesa u rrethuan. Banorët u izoluan për më shumë se 24 orë.

“Kjo nuk është nga shiu. Kanali është i bllokuar prej vitesh. Bashkia e ka lënë përgjysmë,” thotë një fermer nga Laçi.

Në Korçë, rrëshqitjet e dherave bllokuan aksin Qukës–Qafë Plloçë, ndërsa lumi Rrëmenj doli nga shtrati duke përmbytur rrugë dhe banesa në Pogradec, Dardhas dhe Progër. Një shofer i shpëtuar për pak nga një masiv dheu rrëfen:

“Sapo dola nga tuneli, dheu ra mbi makinë. Vetëm fati më shpëtoi,” deklaroi qytetari për mediat lokale.

Në jug, lumi Vjosë shënoi rritje alarmante. Niveli arriti deri në 8 metra, duke rrezikuar fshatrat Çerven, Kashishtë dhe Ferras.

“Vjosa ka dalë edhe në ’71-shin. Iku gjithë fshati,” kujton një 87-vjeçar, ndërsa shikon lumin që i afrohet shtëpisë.

Përballë përshkallëzimit të situatës, Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile u dislokuan në zonat më problematike. Mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë u angazhuan në Durrës, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, nga Durrësi deklaroi se shteti po merr të gjitha masat për përballimin e situatës.

“Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë. Strukturat janë në gatishmëri dhe monitorimi vijon në kohë reale,” deklaroi ministri.

Të njëjtën garanci dha nga Oboti i Shkodrës, prefektja Holta Duda, zonë ku uji ka arritur në 60 cm në rrugë, duke e bërë të pamundur lëvizjen me mjete të vogla.

“Jemi në terren dhe në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve,” tha ajo.

Në Vlorë, prefektja Evis Allushi theksoi se prioritet mbeten banorët pranë shtratit të Vjosës, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e zhvendosjes së familjeve në rrezik.

Ndërkohë që qytetarët përballeshin me ujin në pragun e derës, kryeministri Rama gjeti fajtorët e përmbytjeve duke shkruar se faji iu mbetet qytetarëve, të cilët hedhin plehra në kanale duke sjellë bllokimin e tyre.

Kryeministri shkruante në rrjetet e tij sociale se Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po përballet me përmbytje, dhe ai e krahasoi situatën në Shqipëri me përmbytjet në vende të tjera të Europës, ku sipas tij, opozitat atje nuk akuzojnë qeveritë e tyre për menaxhimin e keq të situatës.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf,” shkruan Rama.

Teksa përmbytjet kanë paralizuar qytete dhe fshatra nga veriu në jug, duke nxjerrë në pah dobësitë e infrastrukturës dhe menaxhimit të territorit, Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor, e sheh krizën si pasojë të drejtpërdrejtë të keq-qeverisjes dhe zhvillimit urban pa vizion. I ftuar në studion e News24, ai theksoi se situata aktuale nuk mund të shpjegohej vetëm me reshjet e dendura, por me vite neglizhence dhe mungesë planifikimi të qëndrueshëm.

Sipas Haxhimalit, qytetet janë zgjeruar në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa rrjetet e kullimit dhe kanalizimeve janë lënë pa mirëmbajtje, duke u shndërruar në pika kritike sapo reshjet intensifikohen.

“Nuk u përmbyt nga shiu, u përmbyt nga keq-qeverisja. Ka politika të dobëta të planifikimit urban, shkujdesje për mirëmbajtjen e sistemeve të kullimit dhe mungesë investimesh serioze. Investimet janë të copëzuara, pa strategji dhe pa vizion afatgjatë,” u shpreh ai.

Eksperti vuri në dukje se ndërtimet e viteve të fundit janë fokusuar kryesisht mbi sipërfaqen urbane, ndërsa infrastruktura nëntokësore – thelbësore për përballimin e emergjencave – është lënë pas dore. Sipas tij, pa investime të qëndrueshme dhe një qasje të re në menaxhimin e territorit, përmbytjet do të mbeten një plagë e përsëritur për qytetet shqiptare.

Haxhimali bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor në planifikimin urban dhe ndarjen e përgjegjësive institucionale, duke theksuar se vetëm përmes vizionit, llogaridhënies dhe investimeve të mirëorientuara mund të shmangen pasojat e rënda që sot po i përballojnë mijëra qytetarë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.