Gjykata e Posaçme lehtësoi masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest në shtëpi për Hongping Xiao, administratorin kinez të kompanisë naftëmbajtëse Bankers Petroleum Albania Ltd.
Vendimi vjen pas kërkesës së tij për rishikimin e masës, e cila u pranua më 7 janar 2026. Sipas urdhërit të gjykatës, Xiao lirohet menjëherë nga qelia, por duhet të qëndrojë brenda banesës së tij.
“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Hongping Xiao nga ambientet e paraburgimit…” – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata për mediat, ku më tej vihet re urdhërimi që i hetuari të mos dalë nga banesa.
Hongping Xiao është drejtuesi aktual i Bankers Petroleum, një kompani që operon në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëzë që nga viti 2004. Ai, së bashku me 15 subjekte të tjera, po hetohet për fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Hetimi lidhet me dyshime për skema mashtruese me TVSH dhe evazion fiskal, ku kompania rezulton me humbje për mbi 20 vite me radhë për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin, duke përfituar gjithashtu rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Hongping Xiao u arrestua më 2 korrik 2025, së bashku me ish-drejtorin e kompanisë, Leonidha Çobo, i cili më vonë iu lehtësua masa në “arrest në shtëpi”.
Vendimi i Gjykatës vjen pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen e afateve hetimore me tre muaj, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe nevojës për kryerjen e veprimeve hetimore shtesë. I vetmi që mbetej në arrest me burg për këtë çështje ishte Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë janë nën masa më të buta, përfshirë arrestin në shtëpi.
Më 30 dhjetor 2024, Prokuroria e Fierit regjistroi procedim penal për 15 subjekte, shoqëri tregtare dhe individë, ndër to edhe Hongping Xiao, për akuzat “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, ku sipas prokurorisë, i kanë shkaktuar Shqipërisë, miliona euro humbje duke përdorur mashtrimin me TVSH-në dhe evazionin fiskal.
Kompania naftënxjerrëse Bankers, në vitin 2004, me koncesion mori fushën naftëmbajtëse në zonën Patos-Marinëzë, në të cilën ndodhen 2000 puse nafte.
Si shoqëri mëmë, “Bankers Petroleum Albania Ltd” është themeluar në Ishujt Cayman, me emrin “Saxon International Energy LTD” dhe e kryen aktivitetin e saj në bazë të kontratës me shoqërinë “Albpetrol” sh.a. Kjo kompani, në vitin 2016, iu shit një kompanie kineze.
Organi i akuzës pretendon se kjo shoqëri rezulton me humbje për 20 vite me radhë, duke argumentuar se janë rritur fiktivisht shpenzimet e saj, për të dalë me humbje dhe për të mos paguar asnjë tatim fitimi për shtetin, ndërkohë që kjo shoqëri ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së përmes skemave të dyshuara mashtruese, të ndihmuara edhe nga individë dhe shoqëri të tjera.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.




















