Në arenën e përkohshme “Eagle Stadium”, mes skelave metalike, vinçave dhe reve të pluhurit në periferi të Tiranës, kryeministri Edi Rama ecte me një entuziazëm që të kujtonte më shumë një producent koncertesh sesa drejtuesin e një qeverie. Në krah kishte ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Përballë tyre ngrihej me shpejtësi stadiumi ku, pas pak ditësh, pritet të performojë reperi amerikan Kanye West, i njohur tashmë si Ye.
Ajo që deri pak ditë më parë paraqitej si një sipërmarrje tërësisht private, rrezikonte të dështonte nëse shteti nuk do të akordonte, nga fondi i emergjencave një shumë prej 4.2 milion euro.
“Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë. Nëse koncerti nuk zhvillohej, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e qytetit.” – deklaroi Rama para kamerave.
Dokumentet zyrtare tregojnë se qeveria nuk ka miratuar thjesht një subvencion. Ajo ka përdorur një “Akt Normativ”, instrument kushtetues i rezervuar për raste nevoje dhe urgjence, për të krijuar bazën ligjore që mungonte për financimin e një aktiviteti privat.
Paradoksi është se vetë dokumenti pranon se ligji nuk e lejon një financim të tillë dhe, në vend që kjo të çojë në mosdhënien e fondit, kjo përdoret si arsye për të krijuar përkohësisht një bazë të re ligjore.
Relacioni thotë se problemi është komunikuar autoriteteve më 3 korrik, ndërsa koncerti zhvillohet më 11 korrik 2026, e për rrjedhojë procedura normale parlamentare nuk funksionon.
Por ekspertët, nisur nga fakti që zhvillimi i koncertit ishte shpallur publikisht që në fund të prillit dhe organizimi kishte muaj që zhvillohej, emergjenca u krijua për të justifikuar lëvrimin e 4.2 milion eurove.
Vetëm pak ditë para miratimit të fondit, përfaqësues të qeverisë kishin këmbëngulur se organizimi i koncertit ishte tërësisht privat dhe se shteti nuk kishte asnjë rol financiar.
Por më 6 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi një Akt Normativ që transferon 400 milionë lekë nga fondi rezervë i shtetit për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me qëllim bashkëfinancimin e aktivitetit.
Në relacionin shpjegues, që shoqëron aktin, qeveria argumenton se koncerti nuk duhet parë si një aktivitet muzikor privat, por si një instrument strategjik për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Dokumenti e përshkruan artistin si një figurë globale me ndikim unik tek të rinjtë dhe argumenton se një pjesë dërrmuese e pjesëmarrësve pritet të jenë shtetas të huaj. Sipas relacionit, rreth 70 për qind e biletave janë blerë nga vizitorë ndërkombëtarë, çka pritet të gjenerojë të ardhura për hotelerinë, transportin, gastronominë dhe ekonominë vendase.
Në të gjithë tekstin bie në sy një zgjedhje e kujdesshme e gjuhës. Fjala “koncert” shfaqet rrallë.
Në vend të saj përdoren vazhdimisht shprehje si “aktivitet kulturor-turistik”, “interes publik”, “promovim ndërkombëtar”, “zhvillim ekonomik”, “turizëm eventesh”.
Sipas qeverisë, vetëm nëse koncerti konsiderohet një interes publik i jashtëzakonshëm, mund të argumentohet përdorimi i një instrumenti të jashtëzakonshëm si Akti Normativ.
Kur spektakli shpallet emergjencë

Relacioni shpjegues që mban firmën e ministrit Blendi Gonxhe përpiqet të bindë se një koncert privat është një interes publik, se mungesa e bazës ligjore justifikon krijimin e një baze të re të përkohshme dhe se rreziku i anulimit të një eventi përbën një emergjencë kushtetuese.
Argumentet e qeverisë mbështeten mbi nenin 101 të Kushtetutës.
Ky nen i jep Këshillit të Ministrave të drejtën të nxjerrë akte me fuqinë e ligjit vetëm në raste nevoje dhe urgjence.
Relacioni argumenton se organizatorët njoftuan Ministrinë më 3 korrik se aktiviteti rrezikonte të dështonte për shkak të kostove shtesë dhe se procedurat normale parlamentare nuk mund ta zgjidhnin problemin përpara datës së koncertit, të planifikuar më 11 korrik.
Vetë kryeministri Rama kishte njoftuar ardhjen e Kanye West që në fund të prillit. Por vetëm 5 ditë përpara koncertit, qeveria duket se shpalli “emergjencë” turistike mbi të cilën justifikoi financimin prej 4 milionë eurosh.
Ekonomisti Zef Preçi e cilëson aktin normativ të pajustifikueshëm nga pikëpamja ligjore.
Sipas tij, fondi rezervë ekziston për katastrofa natyrore, emergjenca të shëndetit publik, rreziqe për sigurinë kombëtare ose ngjarje të tjera të paparashikuara.
“Ku është emergjenca?” pyet ai, duke kujtuar se koncerti ishte shpallur publikisht më shumë se dy muaj përpara.
Për Preçin, edhe nëse shteti do të vendoste të mbështeste një aktivitet privat, kjo do të kërkonte procedura konkurruese dhe transparencë, jo një akt normativ të miratuar me urgjencë.
“Ky është një veprim arrogant me taksat, ashtu siç është e gjithë qeverisja e kryeministrit z. Rama” – thotë Preçi.
Ekonomisti Zef Preçi thekson se financimi publik i një aktiviteti privat kërkon transparencë, justifikim ekonomik dhe procedura të qarta. Sipas tij, edhe në rastet kur një aktivitet mund të ketë ndikim në turizëm ose promovim ndërkombëtar, shteti duhet të tregojë qartë përfitimin publik.
Dokumenti pranon se ligjet për artin, kulturën dhe turizmin nuk lejojnë një ndërhyrje emergjente të kësaj natyre. Normalisht, kjo do të përbënte pengesë. Por në logjikën e relacionit ndodh e kundërta.
Mungesa e bazës ligjore përdoret si arsye për të krijuar përkohësisht një bazë të re ligjore përmes Aktit Normativ.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa akuzoi qeverinë se po përdor fondin e emergjencave për financimin e një koncerti privat, duke e cilësuar vendimin si shkelje të Kushtetutës.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe kompania e cila organizon eventin nuk iu përgjigjën pyetjeve të ngritura nga shteg.org për shkaqet që çuan qeverinë në shpalljen e emergjencës dhe mënyrën se si do të përdoren 4.2 milionë euro.
Bukë dhe cirk

Vendimi i qeverisë shqiptare për të akorduar 4.2 milionë euro nga fondet publike për bashkëfinancimin e infrastrukturës së përkohshme për koncertin e Kanye West ka ngritur pyetje të forta mbi mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve.
Publicisti Fatos Lubonja e ka cilësuar këtë vendim për përdorimin e fondit rezervë të shtetit si një nga rastet më të pazakonta të përdorimit të parave publike, ku spektakli përdoret si instrument politik. Ai sjell në vëmendje shprehjen romake “bukë dhe cirk”, duke argumentuar se spektakli masiv mund të përdoret për të shpërqendruar opinionin publik nga problemet reale.
“Më duket një gjë e pabesueshme që mund të ndodhë, një gjë që mund të ndodhë vetëm në një shtet si ky i yni, i cili, përveç të tjerave, ka edhe atë praktikën e vet sipas thënies romake ‘bukë dhe cirk’. Domethënë, populli do cirk dhe bukë, dhe kërkohet t’i ofrohet një spektakël publikut, ndërkohë që janë gjithë këto halle. Për të bërë këtë cirk harxhohen edhe 4 milionë euro nga paratë publike, ndërkohë që bëhet fjalë për një koncert privat të një këngëtari të famshëm kudo në botë”, thotë Lubonja.
Sipas Lubonjës, është e vështirë të justifikohet që një shtet të përdorë miliona euro për një koncert komercial të një artisti ndërkombëtar, ndërkohë që përballë tij ekzistojnë probleme të shumta sociale dhe kulturore.
“Pra, këtu shteti mund të hedhë 4 milionë euro, por t’ia japë një privati, një kompanie, 4 milionë euro për një këngëtar komercial që nuk është se ndikon në ngritjen kulturore të këtij populli, i cili ka shumë nevojë, por thjesht për të bërë një shfaqje, për të bërë një paradë aty dhe për t’u dhënë lekë këtyre. Unë e quaj këtë njëlloj si këto gradaçelat që ngre ky me paratë e drogës për t’i bërë si spektakël dhe për të ndarë paratë. Më duket gjëja më qesharake. Ndoshta e bën edhe për t’iu kundërvënë kësaj proteste, për të bërë një spektakël të madh. Prandaj do të ishte bukur që në Kashar, nuk e di nëse mund të shkojnë të gjithë këta protestues atje për të parë, por është një skandal. Është një skandal, siç ka bërë shumë gjëra ky, dhe kjo do t’i shtohet listës.”
Lubonja argumenton se ndryshimi thelbësor qëndron mes mbështetjes së kulturës si pasuri publike dhe financimit të një shfaqjeje komerciale të një artisti privat. Në këndvështrimin e tij, një koncert i tillë nuk rrit domosdoshmërisht nivelin kulturor të shoqërisë, por krijon një moment spektakli dhe konsum mediatik.

Edhe për gazetaren Elsa Demo modeli i kulturës si spektakël nuk është i ri dhe lidhet me një mënyrë të caktuar të menaxhimit politik të imazhit.
Ajo kujton periudhën kur Edi Rama ishte Ministër Kulture dhe Blendi Gonxhe drejtonte kabinetin e tij, duke thënë se atëherë u hodhën bazat e një koncepti ku eventet dhe spektaklet morën një rol të madh në politikat kulturore.
“Dua thjesht të kujtoj modelin e menaxhimit të fondeve publike që historikisht kjo dyshe Rama-Gonxhe kanë bërë sa herë atyre iu ka rënë rasti të punojnë kaq ngushtë si tani. Kur po i shihja në prononcimin e të dyve thashë që kjo është një dyshe që, që në krye të herës është sjellë në këtë mënyrë, kur ishin në të njëjtin kabinet si ministër kulture Edi Rama dhe shef kabineti Blendi Gonxhe. Kur ata filluan të aplikojnë modelin e kulturës si spektakël, ne nuk kemi pse të presim sot që të kenë një sjellje tjetër”, thotë Demo, sipas të cilës ishte pikërisht Rama dhe Gonxhja që shpikën modelin që përdorte spektaklin për të qëndruar gjatë në pushtet.
“Ata ishin shpikësit e stabilitetit politik, dhe qëndruan kaq gjatë në pushtet edhe me këto forma, këto forma që ato përdorin, format e spektaklit, janë forma që iu garantojnë popullaritet dhe jetëgjatësi në pushtet dhe grabitje.
Ata e kanë bërë këtë gjë edhe me fëmijët politikë, si rasti i Veliaj, modeli që ai ndoqi në botën e spektaklit se si e mbajti ai këtë botë, artistësh, spektakli, kllounësh, aktorësh ishte pikërisht me një rritje ekstreme që i ka bërë buxhetit të Bashkisë për projekte kulturore”, shton Demo, e cila nuk gjen arsye që nga buxheti i shtetit të shpenzohet një shumë kaq e madhe kur ekzistojnë projekte kulturore të papërfunduara dhe nevoja të tjera publike.
Sipas saj, e drejta e qytetarëve për t’u zbavitur është legjitime, por po aq e jetike është e drejta për t’u shkolluar dhe për të pasur një shërbim të denjë shëndetësor.
“E drejta e njeriut për t’u zbavitur ekziston, por e drejta e njeriut për t’u kulturuar, që shteti i vet t’i japë mundësinë për t’u kulturuar dhe të kultivohet, është e drejtë [po aq jetike sa për t’u shkolluar në shkolla të mira që nuk i ke dhe po aq sa për t’u mjekuar në spitale të mira që nuk i ke. Nuk mund të ankohesh kur është bërë zullumi mullar”, thotë Demo.
Artisti që ndan botën

Vetë figura e Kanye West, të cilin relacionet e qeverisë shqiptare e përshkruajnë si artist unik për potencialin e tij global, e bën vendimin edhe më të debatueshëm për opinionin publik.
Gjatë viteve të fundit, reperi amerikan është përballur me një valë kritikash ndërkombëtare pas deklaratave antisemite, teorive konspirative dhe gjuhës së urrejtjes.
Ai është përjashtuar nga partnerë të mëdhenj tregtarë, është përballur me procese gjyqësore dhe në disa vende koncertet e tij janë anuluar ose kufizuar.
Për qeverinë shqiptare, megjithatë, relacioni nuk ndalet te polemikat.
Dokumenti e trajton West pothuajse ekskluzivisht si një aset marketingu për Shqipërinë.
Por për pedagogun Ervin Goci, problemi nuk kufizohet te koncerti. Ai e sheh rastin si një shembull të mënyrës sesi shteti ndërhyn për të garantuar fitimin e një aktiviteti privat.
“Pyetja kryesore është, a është e ligjshme që para publike të përdoren për aktivitete private. Kjo më duket një gropë shumë e madhe e një koncesioni ku shteti zëvendëson fitimin e munguar. Në Shqipëri, po të ka me sy të mirë gjylykja e kryeministrit, mund të arrish gjithçka, madje je dhe model suksesi. Tani që kemi më shumë info, rasti është korrupsion i pastër, kanalizim parash publike tek xhepat e klientelës së tij, siç ndodh kudo” – thotë Goci.
Sipas Gocit, përdorimi i parave publike në këtë rast nuk prodhon një të mirë publike të matshme, por kanalizon fonde drejt një klientele të privilegjuar.
“Ne mund të rrimë gjithë ditën dhe të kërkojmë një rast ku paratë tona përdoren dhe publiku të dalë i fituar. Nuk ka. Nuk ekziston. Thjesht ngushëllohemi kur dëmi është më i vogël se zakonisht. Shteti shqiptar është kthyer si vrimë e zezë ku graviteti i vjedhjes nuk lë fashë drite të dalë jashtë, çdo qindarkë tretet për të mos iu gjendur gjurma si në rastin e inceneratorëve” – shton Goci, sipas të cilit në Shqipëri është krijuar një model ku spektakli dhe zhurma mediatike mund të shërbejnë për të mbuluar pyetjet themelore mbi transparencën dhe përfitimin real për qytetarët.
Por për Zef Preçin, financimi i koncertit nuk është një rast i izoluar.
Ai e lidh financimin e koncertit me 4.2 milion euro me një seri vendimesh të tjera të qeverisë, nga Air Albania te satelitët shtetërorë dhe investimi në startup-in e Mira Muratit.
Në secilin prej këtyre rasteve, argumenton ai, shteti ka përdorur fonde publike për projekte të prezantuara si investime strategjike, ndërsa transparenca dhe rezultatet konkrete kanë mbetur objekt debatesh.
“Mendoj se kështu nuk duhen shpenzuar taksat e shqiptarëve. Ja pse mijëra qytetarë dhe bashkatdhetarë që jetojnë jashtë protestojnë në sheshet e Tiranës prej gjashtë javësh. Keq-qeverisja, siç tregojnë rastet e mësipërme dhe qindra të tjerë si këta, janë një faturë që i rëndon të gjithë dhe kështu shuan shpresat për ta bërë Shqipërinë më të jetueshme”, përfundon eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.























