Arrestime dhe tensione gjatë protestës para Kuvendit

Gjashtë aktivistë, përfshirë Dritan Goxhajn, u ndaluan pas ndërhyrjes së policisë në tubimin para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa protestuesit akuzojnë forcat e rendit për përdorim të forcës dhe paralajmërojnë vijimin e protestave.

11
Protesta te parlamenti 30.06.2026
Credits: shteg.org - Protesta te parlamenti 30.06.2026

Policia e ndaloi të martën gjashtë aktivistë, përfshirë organizatorin Dritan Goxhaj, gjatë një proteste përpara godinës së Kuvendi i Shqipërisë, në një përshkallëzim të tensioneve pas më shumë se një muaji tubimesh në kryeqytet.

Sipas dëshmitarëve dhe pamjeve të publikuara, ndërhyrja e policisë u shoqërua me përplasje fizike, ku disa protestues u rrëzuan në tokë dhe u prangosën me forcë. Protestuesit akuzuan forcat e rendit për përdorim të tepruar të forcës gjatë shoqërimeve.

Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende një deklaratë të detajuar mbi incidentin. Më herët, autoritetet kanë njoftuar se rreth 150 persona janë proceduar penalisht për pjesëmarrje në tubime të paligjshme, prishje të rendit dhe pengim të qarkullimit.

Protesta nisi në mëngjes, kur qindra qytetarë u mblodhën përpara Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe duke hedhur slogane kundër qeverisë. Situata u tensionua pasi protestuesit hodhën vezë drejt makinave të disa deputetëve, pas daljes së tyre nga godina parlamentare.

Ndërhyrja e policisë pasoi këto incidente, duke çuar në shpërndarjen e turmës dhe ndalimin e disa pjesëmarrësve.

Pas disa orësh shoqërimi, gjashtë të ndaluarit u liruan nga Komisariati nr. 1 në Tiranë. Jashtë godinës së policisë, dhjetëra protestues vijuan të mblidhen duke kërkuar sqarime dhe duke paralajmëruar vijimin e protestave.

Endri Shabani ishte i pranishëm gjatë shoqërimeve dhe tha se institucioni kishte nisur verifikime mbi mënyrën e ndërhyrjes së policisë, duke e cilësuar situatën shqetësuese.

Dritan Goxhaj deklaroi pas lirimit se nuk kishte pasur dhunë ndaj tij në komisariat, por pretendoi se incidentet kishin ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë në terren. Ai tha se ndalimi i tij lidhej me “kundërshtim të punonjësve të policisë”.

Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve dhe mundësi përshkallëzimi, përfshirë forma të mosbindjes civile nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Pas incidentëve të ndodhura gjatë protestës jashtë Kuvendi i Shqipërisë, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili  ka akuzuar disa parti të vogla politike si të përfshira në ngjarje.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se personat që morën pjesë në përplasjet dhe incidentet ishin të lidhur me mbështetës të partive të drejtuara nga Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, duke pretenduar se veprimet e tyre nuk përfaqësonin protestuesit që ishin mbledhur për arsye qytetare apo mjedisore.

“Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët dhe çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre… Ajo që ndodhi sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga tre dështakë politikë”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se protestuesit që shkaktuan incidentet nuk përfaqësonin qytetarët e pranishëm në protestë, por sipas tij ishin të organizuar nga këto forca politike.

Në të njëjtën linjë, Balla hodhi akuza edhe ndaj Dritan Goxhaj, të cilin e cilësoi si pjesë të asaj që ai e quajti “element terrorist” të protestës, duke pretenduar lidhje me Iranin dhe duke kërkuar që ai të hetohet më tej për këto lidhje.

Sipas Policisë së Shtetit, deri më tani janë proceduar penalisht rreth 150 persona për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.