Një grup shkencëtarësh shqiptarë dhe të huaj ka ngritur shqetësimin për dëmet e shkaktuara gjatë ditëve të fundit nga punimet ndërtimore në zonat e Zvërnecit dhe Pishë-Poros, duke paralajmëruar se ndërhyrjet mund të kenë pasoja të pakthyeshme për ekosistemet e ndjeshme të këtyre hapësirave bregdetare.
Pas një investigimi dyditor në lagunë dhe në pyllin me pisha mijëvjeçare, studiuesit deklarojnë se dëmtimet e konstatuara në terren rrezikojnë të cenojnë një nga asetet më të rëndësishme natyrore të vendit, i cili lidhet jo vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me zhvillimin e qëndrueshëm dhe potencialin turistik të zonës.
Në një konferencë për shtyp, shkencëtarët Aleko Miho, Taulant Bino, Ferdinand Bego, Friedrich Schiemer dhe Perikli Qirjazi theksuan se situata duhet të trajtohet me urgjencë institucionale, për të shmangur degradime të mëtejshme.
Ata nënvizuan se zonat e mbrojtura nuk duhet të shihen si pengesë për zhvillimin ekonomik, por si një avantazh strategjik për vendin. Sipas tyre, mbrojtja e natyrës përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike afatgjatë.
“Mbrojtja e deltës së Vjosës është urgjente. Ekspertët bëjnë thirrje për anulimin e planeve të zhvillimit me ndikim të lartë, integrimin e deltës në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe promovimin e një modeli turizmi të qëndrueshëm që respekton kapacitetet natyrore të zonës”, deklaroi Prof. Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.
Sipas tyre, ndërhyrjet e kryera deri më tani kanë sjellë dëmtime në habitate të mbrojtura dhe kanë shtuar presionin mbi një prej ekosistemeve më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri. Për këtë arsye, komuniteti shkencor kërkoi ndalimin e projekteve me ndikim të lartë në deltën e Vjosës, duke paralajmëruar se zhvillimet e pakontrolluara turistike mund të rrezikojnë integritetin ekologjik të zonës dhe vlerat e saj të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Gjatë dy ditëve që kaluam në terren, pamë nga afër sesi dunat janë rrafshuar dhe sesi kjo ndërhyrje po paraqitet si një model bashkëjetese mes zhvillimit dhe natyrës. Megjithatë, shumë gjëra nuk po bëhen publike”, tha Prof. Ferdinand Bego.
Sipas gjetjeve paraprake, ndërhyrjet e kryera deri më tani kanë prekur disa prej habitateve më të ndjeshme të zonës së mbrojtur. Ekspertët evidentuan dëmtime në habitatet e folezimit të breshkës së detit, një specie e mbrojtur dhe e kërcënuar globalisht, si pasojë e lëvizjes së mjeteve të rënda përgjatë plazheve të Dajlanit dhe Portonovës.
Shqetësime janë ngritur edhe për ndërhyrjet në kanalin e Portonovës, të cilat mund të ndikojnë në procesin natyror të shkëmbimit të ujërave mes lagunës dhe detit, një mekanizëm kyç për funksionimin ekologjik të kompleksit ligatinor.
Shkencëtarët argumentojnë se vlera e zonës nuk qëndron vetëm te speciet e veçanta, por mbi të gjitha te ruajtja e integritetit të një sistemi kompleks ekosistemesh tranzitore, ku laguna, kriporet, dunat, pylli, lumi dhe deti funksionojnë si pjesë e një tërësie të pandashme.
“Lidhja funksionale mes lagunës, kriporeve, dunave, pyllit dhe detit krijon ekuilibra ekologjikë shumë delikatë, të cilët mund të prishen në mënyrë të pakthyeshme nga ndërhyrjet njerëzore, sidomos ato me karakter urban”, argumentoi Prof. Aleko Miho.
Ai thekson se ndërtimi në këtë zonë do t’i zhbënte atributet natyrore që e karakterizojnë atë si një zonë me rëndësi të veçantë.
“Ndërtimi i resorteve turistike me intensitet të lartë brenda zonave të mbrojtura nuk është në përputhje me ruajtjen afatgjatë të këtyre ekosistemeve dhe rrezikon të transformojë në mënyrë rrënjësore karakterin dhe funksionimin e tyre natyror”, u shpreh Prof. Miho.
“Flamingo”, simboli i një beteje më të gjerë

Në vitin 2023, pas një procesi të gjatë dhe një vëmendjeje të shtuar ndërkombëtare, Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë. Megjithatë, një nga pjesët më të vlefshme të këtij mozaiku natyror, delta e Vjosës dhe kompleksi Pishë-Poro–Nartë, mbeti jashtë kufijve të parkut.
Kjo shprehet me keqardhje nga studiuesit, të cilët thonë se zona përfaqëson një nga ekosistemet bregdetare më të ruajtura në Mesdhe, me tre monumente me vlerë të pakrahasueshme ekologjike.
Sipas Prof. Perikli Qirjazit, zona përfshin tre monumente natyrore me vlera të veçanta: dunat ranore të Nartës, lagunën e Nartës dhe kodrat molasike të Zvërnecit.
Ai argumenton se e gjithë zona mbart me vete një kujtesë mijëravjeçare ekologjike, që dëshmon historinë e vijës bregdetare, ndryshimet klimatike dhe proceset natyrore formuese ndër shekuj.
“Ato shërbejnë si laboratorë natyrorë për studiues nga fusha të ndryshme dhe, si të tilla, meritojnë mbrojtjen më të lartë. Për këtë arsye, shkatërrimi i tyre nga ndërhyrje dhe investime intensive përbën një humbje të rëndë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për trashëgiminë natyrore të Mesdheut”, thotë Prof. Qirjazi.
Si një nyje e rëndësishme e korridorit migrator Adriatiko-Jonian, zona shërben si strehë për mbi 200 lloje shpendësh që dimërojnë, folezojnë dhe shtegtojnë. Kjo bën që çdo cenim i funksioneve të saj natyrore të ketë pasoja që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.
Kësisoj, mbrojtja e Pishë-Poro–Nartës dhe protestat e nisura pas ndërhyrjeve të para kanë marrë vëmendje të gjerë, përfshirë edhe arenën ndërkombëtare.
Për drejtuesin e AOS, Taulant Bino, çështja e Zvërnecit nuk është thjesht lokale, por lidhet drejtpërdrejt me identitetin natyror të vendit.
“Prandaj, mbrojtja e Zvërnecit nuk është vetëm një çështje lokale; ajo lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biodiversitetit në Shqipëri. Nëse humbasim këto peizazhe, humbasim një pjesë të identitetit tonë natyror dhe kulturor që nuk mund të rikthehet më”, tha Bino.
Nga brigjet e Zvërnecit, beteja për mbrojtjen e zonës u zhvendos në Tiranë. Aty, flamingot u kthyen në simbolikën e një revolte që zhvillohet çdo ditë përpara Kryeministrisë, duke përfaqësuar kauza edhe më të gjera.
“Simbolika e flamingove është e rëndësishme, por kjo betejë nuk bëhet vetëm për flamingot. Ajo bëhet edhe për pelikanët, për qindra lloje të tjera shpendësh dhe për të gjitha speciet që varen nga ky ekosistem unik. Është protesta e atyre që duan t’i mbrojnë këto vlera dhe t’ua trashëgojnë brezave të ardhshëm”, u shpreh Bino.
Mes protestave që prej javësh kanë zhvendosur debatin në zemër të Tiranës, qeveria vijon ta mbrojë projektin, duke argumentuar se zhvillimi turistik mund të bashkëjetojë me natyrën dhe speciet që strehohen në zonë. Por komuniteti shkencor ka dalë me një qëndrim të unifikuar, duke paralajmëruar se dëmet e konstatuara në terren janë një sinjal alarmi që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas Prof. Ferdinand Bego, humbësit më të mëdhenj nga shkatërrimi i kësaj pasurie natyrore do të ishin vetë qytetarët shqiptarë.
“Po humbasim habitate të pazëvendësueshme dhe laboratorë natyrorë që duhet t’u shërbejnë brezave të sotëm dhe të ardhshëm të studiuesve. Sado emra joshës t’u vihen këtyre projekteve, qoftë ‘Dubai’ apo ‘Maldivet’ shqiptare, humbësi i vërtetë do të jetë publiku dhe trashëgimia natyrore e vendit.”
Për studiuesit, çdo vonesë në ndalimin e punimeve përgjatë deltës rrit rrezikun e cenimit të një ekosistemi të krijuar ndër mijëra vite dhe të konsideruar si një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të Mesdheut.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.






















