Kritikat dhe entuziazmi që prodhoi miratimi i raportit nga Parlamenti Europian 

Raporti për Shqipërinë u miratua pas një seance debatesh, ku u vlerësua progresi i vendit në rrugën drejt BE-së, por u theksuan gjithashtu vështirësitë në zbatimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe menaxhimin e çështjeve të ndjeshme mjedisore.

13
Votimi në Parlamentin Europian
Credits: Facebook, Taulant Balla - Votimi në Parlamentin Europian

Ndërsa prej ditësh Shqipëria ka qenë nën prozhektorët e botës, vendi është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve në Parlamentin Europian, ku 720 eurodeputetët kanë shqyrtuar Raportin 2025 për ecurinë e saj në procesin e integrimit.

Më 17 qershor 2026, draft-raporti i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), i cili kishte qenë në tryezën e eurodeputetëve që prej 5 majit, u miratua pas një seance debatesh në Strasburg.

Pas miratimit paraprak në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, raporti u votua në seancë plenare me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime.

Në të njëjtën seancë plenare, ku u votuan edhe raportet për Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, raportuesi Andreas Schieder theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet më të avancuara në grupin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Raporti vlerëson angazhimin proeuropian të Shqipërisë dhe progresin e arritur në procesin e integrimit, por nënvizon se sfida kryesore mbetet zbatimi i plotë dhe efektiv i legjislacionit të përafruar me atë të Bashkimit Europian.

Por, pavarësisht shumicës që i dha dritën jeshile miratimit të tij, raporti nuk kaloi pa debat.

Projekti në Zvërnec, nga sheshi i protestave në Tiranë, “mbërriti” në sallën plenare të Parlamentit Europian, duke rikthyer vëmendjen te ndikimi i projekteve në zonat e mbrojtura.

Eurodeputetët e grupit “The Left” depozituan katër amendamente që prekin çështje të mjedisit, ligjin për investimet strategjike dhe procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Një prej amendamenteve shpreh shqetësim për ndryshimet ligjore që, sipas eurodeputetëve, mund të ndikojnë në mbrojtjen e zonave natyrore, duke përmendur veçanërisht projektet e zhvillimit në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe në zonën e Zvërnecit.

Protestat që prej më shumë se dy javësh zhvillohen në Tiranë kanë zënë një pjesë të madhe të diskutimit.

“Shqipëria është vërtet një model për Europën këtë javë. Shumë njerëz kanë dalë në shesh për të protestuar kundër një qeverie që nuk po mbron interesat e popullit. Shqipëria nuk është në shitje,” deklaroi eurodeputetja e së Majtës, Ilaria Salis.

Edhe raportuesi Andreas Schieder, si një nga zërat më mbështetës për procesin e zgjerimit, theksoi se zhvillimi ekonomik, përfshirë turizmin, mund të sjellë përfitime afatgjata vetëm nëse nuk dëmton mjedisin dhe zonat e mbrojtura.

Përtej rishikimit të kuadrit për investimet strategjike dhe shqetësimeve për dobësimin e kontrollit mjedisor, në amendamente ngrihet edhe çështja e marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë për menaxhimin e migracionit dhe funksionimin e qendrës në Gjadër.

“The Left” kërkoi pushimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët dhe mbylljen e qendrave italiane në momentin që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE-së.

“…rikujton, në lidhje me këtë çështje, shqetësimet e shprehura nga Gjykata e Apelit e Romës lidhur me përdorimin aktual të qendrës së Gjadrit si një qendër e plotë ndalimi para dëbimit (“centro di permanenza per i rimpatri”), e cila duket se është në kundërshtim me nenin 9(1) të Direktivës 2013/32/BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 26 qershor 2013, mbi procedurat e përbashkëta për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare”, thuhet në paragrafin e ri “49a”, që eurodeputeti Danilo Della Valle synon të modifikojë Raportit për Shqipërinë.

Raporti vjetor i Parlamentit Europian vlerëson progresin e shpejtë të Shqipërisë në procesin e integrimit, por thekson se sfida kryesore mbetet zbatimi i plotë dhe efektiv i reformave.

“Besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit”, thuhet në raport.

Forcimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i luftës kundër korrupsionit dhe demokracia funksionale nënvizohen në raport si elementë vendimtarë në rrugëtimin drejt BE-së.

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, por se puna që mbetet është ende e madhe.

“Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, u shpreh ajo.

Në një deklaratë në rrjetet e tij sociale, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cilësoi deklaratat e Marta Kosit dhe raportuesit për Shqipërinë, Andreas Schieder, si një “moment krenarie”.

“Çfarë krenarie të jem në Sallën Plenare të Parlamentit Europian dhe të dëgjoj Komisioneren Kos dhe Raportuesin Schieder të thonë se Shqipëria mund të quhet me krenari ‘favoritja kryesore’, së bashku me Malin e Zi, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale.

Duke nënvizuar mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë për integrimin, raportuesi Andreas Schieder tha gjithashtu se Shqipëria “ka një këmbë në kampin europian”.

Megjithatë, mesazhi i Parlamentit tregon qartësisht se rruga drejt Bashkimit Europian është e hapur, por jo e pakushtëzuar. Objektivi i vitit 2027 për mbylljen e negociatave konsiderohet i arritshëm, por vetëm nëse Shqipëria thellon reformat dhe përballet me sfidat e brendshme si polarizimi politik, forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.