Pas më shumë se dy javësh protestë të pandërprerë, pyetja nuk është më sa do të zgjasë rezistenca në rrugë, por si do të reagojë sistemi politik.
Mes sloganeve të shumta, ai që përcakton këtë moment është “Shqipëria e Re” – një kërkesë e qartë për ndryshim modeli.
Historia politike tregon se kur në shoqëri krijohet një masë kritike pakënaqësie, ajo herët a vonë gjen përfaqësim. Pyetja që do të përcaktojë javët e ardhshme është: kush do ta lexojë dhe kush do ta “kapë” i pari këtë ndryshim?
Dinamika aktuale dikton katër skenarë të mundshëm:
- Kooptimi nga pushteti: Ndryshimi i rregullave të lojës pa ndryshuar aktorët
Ky është skenari më pragmatik për partinë në pushtet. Nëse qeveria vazhdon ta trajtojë protestën si një “dalldi/dallgë” kalimtare, ajo rrezikon të keqkuptojë thellësinë dhe perimetrin e krizës.
Pakënaqësia, veç të tjerash, buron nga lodhja me përqendrimin e pushtetit, babëzia dhe arroganca.
Për të mbijetuar, pushteti mund të zgjedhë të ndryshojë i pari, jo duke u tërhequr, por duke hapur lojën: ndryshime në kodin zgjedhor, hapje të listave apo mekanizma të rinj të demokracisë direkte (referendume). Për PS-në, ky do të ishte një proces “vetëkorrigjimi” i detyruar për të rikuperuar terrenin e humbur përpara se të përplaset me valën.
- Sfida nga e reja
Lëvizja qytetare (bashkë me partitë e reja) që po ushqehet nga kjo protestë ka avantazhin moral, por vuan nga fragmentimi dhe sëmundja gjenetike që gjithkush e mendon veten “të parin”. Aktualisht, ajo rrezikon të konkurrojë me vetveten për vendin e dytë apo të tretë në një garë ku ende nuk janë korrigjuar rregullat e lojës.
Që ky pol (pa përjashtuar një parti të re) të jetë fituesi i këtij momenti, duhet të kalojë nga faza e frymës dhe zemërimit në fazën e strukturës dhe koordinimit. Nëse arrin të ndërtojë një platformë minimale të përbashkët dhe të thithë, kanalizojë e strukturojë energjinë e sheshit, mund të kthehet në përfituesin kryesor të këtij ekuacioni. Nëse jo, energjia do të shpërndahet dhe do të kthehet sërish në apati e zhgënjim.
- Opozita konvencionale
Partia më e madhe e opozitës gjendet përballë një paradoksi: kjo është protesta më e madhe e periudhës postkomuniste, por ajo nuk po zhvillohet nën siglën e saj. Shoqëria në shesh po proteston po aq kundër qeverisë sa edhe kundër mënyrës së vjetër të të bërit politikë, pjesë e së cilës është edhe opozita tradicionale.
Opozita mund të përfitojë vetëm nëse kupton se deklaratat e “mbështetjes” nuk mjaftojnë. Ajo duhet të ndryshojë veten përpara se të pretendojë të riciklojë pushtetin. Kjo kërkon një hapje radikale ndaj figurave të reja, mbylljen e llogarive të vjetra të sherreve të brendshme dhe një program që rezonon me pjesën që deri dje nuk dilte në shesh.
Skenari më i rrezikshëm mbetet ai i status quo-së: përpjekja për ta injoruar, përqeshur, komprometuar apo grabitur protestën, duke pritur që ajo të shuhet nga konsumi i kohës apo lodhja.
- Radikalizimi
Ekziston një pikë thyerjeje ku strategjia e pushtetit për ta rraskapitur protestën kthehet në bumerang. Nëse vijohet me logjikën “ne punën tonë, ju tuajën”, situata mund të dalë jashtë kontrollit nga një incident sado banal.
Në momentin që qytetarët ndiejnë se me marshim nuk i dëgjon kush, mund të vendosin të ndryshojnë marsh dhe, kur askush nuk është më në gjendje të kontrollojë protestën, skena zhvendoset drejt një përplasjeje.
Në këtë pikë, kostoja nuk është më thjesht politike për një parti, por ekzistenciale për stabilitetin e vendit.
Çfarëdo ecurie të marrë, kjo protestë tashmë ka prodhuar një rezultat që nuk e zhbën koha: ka thyer frikën dhe apatinë dhe ka krijuar një klimë të re politike. Hapësira publike është rikonfiguruar dhe qytetarët kanë kuptuar se nuk janë vetëm.
Në këtë realitet të ri, nuk do të fitojë ai që reziston më gjatë, por ai aktor politik që do të kuptojë më shpejt se vendi ka ndryshuar përgjithmonë.





















