Për të pesëmbëdhjetën ditë me radhë, qytetarë të shumtë kanë vijuar protestën e tyre në rrugët e Tiranës, duke shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Edhe këtë të diel, mijëra protestues u mblodhën fillimisht përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkuan me thirrje të vazhdueshme largimin e qeverisë dhe ndryshim politik në vend.
Kolona e qytetarëve kaloi përgjatë Rrugës së Durrësit, zonës së Laprakës dhe ish-Sheshit Shqiponja, për të vijuar më pas drejt autostradës Tiranë–Durrës.
Për shkak të marshimit, qarkullimi në autostradë u bllokua për disa minuta, ndërsa drejtuesit e automjeteve nuk shfaqën shqetësim apo bezdi, duke pritur me qetësi kalimin e protestuesve.
Marshimi i gjatë përshkoi disa nga akset kryesore të kryeqytetit, mes pjesëmarrjes së lartë dhe thirrjeve të vazhdueshme të qytetarëve.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit u bënë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protesta kundër qeverisë Rama duket se po hyn në një fazë të re, me pjesëmarrje të lartë dhe me vendosmërinë e qytetarëve për të vazhduar çdo ditë në shenjë kundërshtimi ndaj mazhorancës socialiste.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.























