Protesta për Zvërnecin kalon kufijtë e Shqipërisë

Qindra qytetarë marshuan në plazhin e Dalanit kundër projektit të resortit në Nartë-Zvërnec, ndërsa protesta u shtri edhe në Londër, Milano, Berlin, Mynih dhe qytete të tjera europiane, duke e kthyer kauzën lokale në një mobilizim të diasporës.

11
Protesta në Nartë-Zvërnec
Credits: LSA - Protesta në Nartë-Zvërnec

Në bregun e ngushtë ranor ku Laguna e Nartës takohet me detin Adriatik, qindra qytetarë, banorë të zonës dhe aktivistë u mblodhën këtë të shtunë në një protestë që kishte më shumë pamjen e një marshimi qytetar sesa të një tubimi politik.

Nën thirrjet “Anulo projektin”, “Narta është e jona” dhe “Larg duart nga Zvërneci”, protestuesit kërkuan ndalimin e projektit të resortit turistik që parashikohet të ndërtohet në një nga zonat më të debatueshme të bregdetit shqiptar.

Protesta nisi në plazhin e Dalanit, në zemër të territorit ku planifikohet zhvillimi turistik. Pamja që shtrihej përpara protestuesve ishte ajo e një peizazhi të rrallë: një brez rëre që ndan detin nga laguna, pyje me pisha, dunat bregdetare dhe habitatet e shpendëve që e kanë bërë Nartën të njohur edhe përtej Shqipërisë.

Një simbol i përplasjeve të javëve të fundit, gardhi pranë Hidrovorit, tashmë ishte zhdukur. Pas protestave të mëparshme, telat me gjemba u hoqën dhe këtë të shtunë nuk kishte më as gardh dhe as makineri. Në vend të tyre, protestuesit gjetën një peizazh të hapur, që sipas tyre dëshmon se beteja për zonën nuk ka të bëjë vetëm me një projekt ndërtimi, por me vetë të ardhmen e këtij ekosistemi.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe Minella Balliu, banor i Zvërnecit, i cili pretendon se një pjesë e tokës së përfshirë në projekt është objekt i një konflikti pronësie ende të pazgjidhur.

“Pronën e ka blerë gjyshi im në vitin 1932. Ekzistojnë dokumentet dhe transkriptet. Kam kërkuar që të mos ndërtohet asgjë derisa të flasë gjykata”, tha ai gjatë protestës.

Përtej çështjeve të pronësisë, fokusi kryesor i protestës mbeti mjedisi. Flamingot dhe pelikanët, të kthyer prej vitesh në simbol të Lagunës së Nartës, u përmendën vazhdimisht nga protestuesit si arsye pse zona duhet të mbrohet nga ndërhyrjet masive.

“Këtu vijnë flamingot, këtu jetojnë breshkat e detit. Fëmijët tanë duhet ta gëzojnë këtë natyrë ashtu siç e kemi gëzuar ne”, tha një prej pjesëmarrësve.

Një ambientalist i pranishëm në protestë akuzoi se dëmtimet kanë nisur prej kohësh.

“Dunat shekullore janë sheshuar dhe është hedhur çakull. Nuk jemi kundër investimeve, por kjo është një zonë e mbrojtur. Nëse këtu ndërtohet në këtë shkallë, nuk do të mbetet më asgjë nga natyra që po përpiqemi të mbrojmë”, tha ai.

Në fund të marshimit, protestuesit u rreshtuan përgjatë vijës bregdetare dhe formuan me trupat e tyre mbishkrimin “SAVE NARTA”, një imazh që u bë menjëherë simboli i ditës.

Por ndërsa protesta zhvillohej në bregun e Nartës, jehona e saj po dëgjohej edhe qindra kilometra larg Shqipërisë.

Në Milano, dhjetëra shqiptarë u mblodhën në mbështetje të kauzës së Zvërnecit. Në Londër, protestues u pozicionuan para Ambasadës Shqiptare me flamuj kuqezi dhe pankarta ku shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje”. Në Berlin, një grup shqiptarësh marshuan me pankarta dhe kënduan himnin kombëtar.

Tubime të ngjashme u paralajmëruan në Oslo dhe Gjenevë, ndërsa një ditë më parë protesta ishte zhvilluar edhe në Mynih nën moton “Atdheu nuk shitet”.

Kjo shtrirje e protestës përtej kufijve tregon se debati për Zvërnecin po tejkalon kufijtë e një konflikti lokal. Për shumë prej pjesëmarrësve, çështja nuk lidhet vetëm me ndërtimin e një resorti, por me modelin e zhvillimit që po ndjek Shqipëria në zonat e saj më të ndjeshme natyrore.

Ndërkohë, projekti mbetet ende në proces shqyrtimi institucional. Varianti i parë është rrëzuar nga institucionet shqiptare, ndërsa një version i dytë është kthyer për ndryshime. Megjithatë, sipërfaqja e planifikuar për zhvillim mbetet e njëjtë: një territor që përfshin pyje me pisha, plazhet e Dalanit, Porto Novos dhe Hidrovorit, në një brez ranor që ndan Adriatikun nga Laguna e Nartës.

Për protestuesit, kjo është arsyeja pse mobilizimi nuk do të ndalet. Nga Dalani deri në sheshet e Europës, ata po përpiqen ta kthejnë Zvërnecin nga një konflikt lokal në një debat kombëtar mbi natyrën, pronën dhe mënyrën se si zhvillohet bregdeti shqiptar.

Protesta nisi si një kundërshtim ndaj projektit turistik dhe shqetësimeve për ndikimin e tij në ekosistemin e Nartës dhe Zvërnecit. Me kalimin e ditëve, ajo ka marrë edhe një dimension më të gjerë politik. Në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në marshimin e kësaj të shtune në Zvërnec janë dëgjuar jo vetëm thirrje për anulimin e projektit, por edhe slogane si “Edi Rama dorëhiqu”, “Rama në burg” dhe kritika ndaj mënyrës së qeverisjes.

Për një pjesë të protestuesve, beteja për lagunën është shndërruar në simbol të pakënaqësive më të gjera ndaj vendimmarrjes publike, transparencës dhe raportit të qeverisë me interesin publik. Ajo që nisi si një kauzë mjedisore po evoluon gradualisht në një lëvizje qytetare me kërkesa që tejkalojnë kufijtë e mbrojtjes së natyrës dhe prekin drejtpërdrejt përgjegjësinë politike të qeverisë së Edi Ramës.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.