Kryengritja e “Lekut”, ky sukses surreal i qeverisë

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sot më të larta se në vende si Holanda dhe Spanja, të cilat kanë një PBB për frymë dhe një nivel mirëqenieje familjare dukshëm më të lartë se Shqipëria.

37
Produket e shportës
Credits: shteg.org - Produket e shportës/Ilustrim

Tre ekonomistë, djem të talentuar, Azmi Stringa, Idlir Gjata dhe Alban Korbi, kanë bërë një studim shkencor mbi rritjen e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri dhe kanë arritur në disa konkluzione të rrezikshme, të cilat e bëjnë studimin e tyre të denjë që, sipas kutit të qeverisë, të klasifikohet te fletërrufetë.

Në vitin 2024, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri arritën në 100% të mesatares së BE-së, nga 68% që ishin në vitin 2012. Kjo rritje ka ndodhur paradoksalisht, edhe pse monedha vendase, leku, është vlerësuar me 30%.

Kjo ka qenë rritja më e madhe e çmimeve të ushqimeve e regjistruar në Ballkan gjatë kësaj periudhe, pavarësisht se vendi ka regjistruar norma të ngjashme të rritjes ekonomike me mesataren rajonale.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sot në nivele më të larta se në vende të tilla si Holanda dhe Spanja, të cilat kanë një PBB për frymë dhe mirëqenie familjare dukshëm më të lartë se Shqipëria. Pra, familjet shqiptare, të cilat harxhojnë 40% të të ardhurave të tyre për ushqim, përballen me nivele çmimesh të krahasueshme me ato të familjeve shumë më të pasura të BE-së.

Studimi, përveçse ofron një analizë krahasuese të bazuar te inflacioni i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri nga viti 2013 deri në vitin 2024, duke krahasuar trendet e lëvizjeve të tij me normat e inflacionit të ushqimeve në Bashkimin Evropian (BE), partnerët kryesorë tregtarë dhe vendet e rajonit, po ashtu vlerëson rolin e forcimit të lekut në përcaktimin e çmimeve vendase.

Rezultatet që dalin nga modelet shkencore ekonometrike (jo nga aritmetika me gishta e qeverisë), bazuar në të dhënat e harmonizuara të çmimeve të konsumit dhe modelet e regresionit të rregulluara sipas kursit të këmbimit, zbulojnë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur MË HERËT, MË SHPEJT, EDHE NË MËNYRË MË TË SHPESHTË se në vendet e rajonit, edhe pse leku është vlerësuar me 30% gjatë dekadës.

Ndërsa lëvizjet e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri duket se ecin në të njëjtin drejtim me trendet e BE-së, nëse merret parasysh efekti i kursit të këmbimit, korrelacioni i ndryshimit të çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, përkatësisht me ndryshimin e çmimeve në BE dhe në rajon, bie ndjeshëm, gjë që tregon se PËRFITIMI NGA FORCIMI I LEKUT NUK KA KALUAR TE KONSUMATORËT. Ndaj, sot, në tavolinën e punëtorit dhe të pensionistit ka më pak!

Këto gjetje ofrojnë prova të forta empirike se rezultatet e inflacionit në Shqipëri nuk janë thjesht të importuara, por çmimet rriten brenda vendit për shkak të problemeve strukturore ekonomike, konkurrencës së dobët të tregut, çmimeve jotransparente dhe mbikëqyrjes së kufizuar rregullatore.

Karshi këtyre konkluzioneve, ministrat kanë dy rrugë:

  • ose të kërkojnë me këmbënguljen që i karakterizon se përse këta djem janë kaq të mllefosur me lavdinë e tyre;
  • ose të na tregojnë se kush përfitoi nga “kryengritja e lekut”, meqë konsumatorët nuk kanë përfituar; përkundrazi, në vitin 2025, çmimet e ushqimeve tejkaluan me 3,8% mesataren europiane.

Njerëzit nuk ndryshojnë shumë në aftësinë për ta dalluar të keqen; ata ndryshojnë shumë në aftësinë që kanë për ta justifikuar atë.

Irena Beqiraj
+ posts

Irena Beqirajështë ekonomiste shqiptare, eksperte e financave publike dhe mbajtëse e titullit ndërkombëtar Chartered Financial Analyst (CFA). Ajo ka një karrierë të gjatë në administratën publike dhe në fushën e politikave fiskale, duke shërbyer si zëvendësministre e Financave në qeverinë shqiptare, ku ka mbuluar çështjet e fiskut dhe administrimit të financave publike. Për një periudhë ka ushtruar edhe detyrën e Drejtores së Përgjithshme në detyrë të Doganave.

Pas angazhimit në administratën shtetërore, Beqiraj është bërë një nga zërat më aktivë në debatin publik për ekonominë, qeverisjen, financat publike dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Përmes analizave, artikujve dhe komenteve të saj në media dhe rrjetet sociale, ajo trajton tema që lidhen me transparencën fiskale, politikat ekonomike, investimet publike, shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike.