Ekonomia e koncertit nuk matet me hamendësime

Nëse përfitimet prej 100 milionë eurosh do të ishin rezultat i një analize serioze, ato do të ishin pjesë e relacionit të Aktit Normativ dhe do të përbënin një objektiv zyrtar të matshëm.

16
Kryeministri Edi Rama dhe ministri Blendi Gonxhe duke inspektuar punimet në stadiumin ku do zhvillohet koncerti i Kanye West
Credits: kryeministria.al - Kryeministri Edi Rama dhe ministri Blendi Gonxhe duke inspektuar punimet në stadiumin ku do zhvillohet koncerti i Kanye West

Kur nuk ka përllogaritje zyrtare për përfitimet e një koncerti, le të luajmë kungulleshkash me Kryeministrin!

Kryeministri, si gjithmonë kur jep para publike apo pronë shtetërore duke mos zbatuar procedurat që i imponon ligji, na fton të luajmë kungulleshkash me miliona imagjinarë: pse aq, po sa?

Ai thotë: “Ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura!”

Pra, Kryeministri pretendon se ka përllogaritje, por një matje e tillë nuk paraqitet në relacionin e projektligjit të Aktit Normativ.

Nëse një llogaritje e ndikimit përfundimtar ekonomik do të ekzistonte, ajo do të shpjegohej me shifra në relacionin e Aktit Normativ, duke filluar me të dhënat e kapacitetit, përqindjen e vizitorëve jashtë qytetit dhe multiplikatorin ekonomik.

Nëse kjo matje do të ekzistonte, do të vendosej në relacionin e Aktit Normativ dhe, si e tillë, do të konsiderohej shifër zyrtare, duke u bërë automatikisht një target për t’u arritur.

Ndërsa relacioni nuk përmban asnjë përllogaritje apo vlerësim sasior, qoftë edhe një shifër të vetme të ndikimit në ekonomi të këtij eventi, i cili është financuar me para publike nëpërmjet një procedure ekstrabuxhetore, Kryeministri e deklaron atë në Facebook.

Si gjithmonë, matjet e ndikimit ekonomik të të gjitha projekteve të financuara apo të mbështetura nga paratë dhe prona publike, pa procedurë e pa garë, bazohen në qasjen tashmë të vjetëruar: “Në mos qofshin, do t’i sajojmë!”

100 milionë euro jo vetëm që nuk është shifër zyrtare, por, për turpin e gjithë qeverisë, është një hamendësim i dobët, i paedukuar, pra i bërë në mungesë të njohurive.

Them në mungesë të njohurive, sepse ekonomiksi i koncerteve tregon se përfitimet nga koncertet më gjigante, në stadiume me kapacitet më të madh se 80,000 persona, nuk i kanë kaluar 47 milionë dollarë.

Hamendësimet bombastike, pa laps e letër, të Kryeministrit tonë kanë vetëm një qëllim: të mbulojnë sjelljen e përsëritur destruktive të kësaj qeverie me financat publike dhe pronën publike. Ai refuzon të pranojë se qeverisja është një mandat jo për të vepruar sipas dëshirës, pa kufizime, por për të marrë dhe ekzekutuar vendime brenda procedurave të miratuara, si e vetmja mënyrë e pazëvendësueshme për të garantuar përfitimin publik.

Por Kryeministri Perandor i urren ligjet, procedurat, rregulloret, kufizimet, transparencën dhe llogaridhënien që ato imponojnë.

Aq shumë e bezdisin, sa në mënyrë aluçinante shkon deri aty sa, për të nxjerrë 4.2 milionë euro nga buxheti në mungesë të ndjekjes së procedurës normale, e klasifikon një koncert si emergjencë.

Ndërsa vërdallë tij, në Kryeministri, në Qeveri, në Kuvend, nuk ka mbetur më asnjë t’i thotë jo, i gjori ai është katandisur që argumenteve shteruese, aspak emocionale, u përgjigjet si ahengxhiu i dehur i dasmës.

Irena Beqiraj
+ posts

Irena Beqirajështë ekonomiste shqiptare, eksperte e financave publike dhe mbajtëse e titullit ndërkombëtar Chartered Financial Analyst (CFA). Ajo ka një karrierë të gjatë në administratën publike dhe në fushën e politikave fiskale, duke shërbyer si zëvendësministre e Financave në qeverinë shqiptare, ku ka mbuluar çështjet e fiskut dhe administrimit të financave publike. Për një periudhë ka ushtruar edhe detyrën e Drejtores së Përgjithshme në detyrë të Doganave.

Pas angazhimit në administratën shtetërore, Beqiraj është bërë një nga zërat më aktivë në debatin publik për ekonominë, qeverisjen, financat publike dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Përmes analizave, artikujve dhe komenteve të saj në media dhe rrjetet sociale, ajo trajton tema që lidhen me transparencën fiskale, politikat ekonomike, investimet publike, shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike.