11 organizata shqiptare në Britani mbështesin protestat 35-ditore në Shqipëri

Në një letër drejtuar qeverisë, ato dënojnë dhunën ndaj protestuesve dhe kërkojnë dialog, transparencë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

17
Letra nga 11 organizata shqiptare në Britani
Letra nga 11 organizata shqiptare në Britani

Njëmbëdhjetë organizata dhe shoqata shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë dërguar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që, sipas tyre, po vijojnë prej 35 ditësh në vend dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nismës i është bashkuar edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi, e cila e ka publikuar letrën në rrjetet sociale.

Protestat në Shqipëri kanë vijuar për më shumë se një muaj, me pjesëmarrje të përditshme të qytetarëve në disa qytete, ndërsa organizatorët i kanë cilësuar ato si një lëvizje kombëtare kundër, siç thonë ata, keqqeverisjes dhe vendimmarrjes për pasuritë publike.

Në letrën e tyre, organizatat në diasporë shprehin mbështetje për tubimet dhe dënojnë çdo formë dhune ndaj protestuesve paqësorë.

“Në protesta marrin pjesë të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, të cilët kanë dalë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet shtetërore. Për këtë arsye dënojmë me forcë çdo formë dhune, frikësimi apo represioni ndaj protestuesve paqësorë”, thuhet në dokument.

Organizatat i cilësojnë protestat si “shprehje e demokracisë në veprim” dhe si ushtrim i të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.

Në letër, ato i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me kërkesat e protestuesve, përfshirë transparencën e plotë për ligjet dhe kontratat që prekin mjedisin dhe pasuritë natyrore.

Po ashtu, kërkohet llogaridhënie për vendimet mbi pasuritë shtetërore dhe koncesionet, si dhe garantimi i konsultimit publik dhe mbikëqyrjes parlamentare.

Një tjetër kërkesë është mbrojtja e interesit publik si parim kryesor në politikat e zhvillimit ekonomik, si dhe hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e protestave.

“Protestat paqësore përfaqësojnë një shoqëri civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar,” thuhet në letër.

“Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të qytetarëve,” shtohet më tej.

Letra është nënshkruar nga UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Albanian Book Lovers Culture Club, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society, Diasporas Speaking, UCL Albanian Society, Successful Mothers dhe Gjurmë Iliriane.

Qeveria shqiptare nuk ka reaguar ende publikisht për këtë letër.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.