SPAK dërgon për gjykim dosjen e inceneratorit të Tiranës

Pas gjashtë vitesh hetime, SPAK akuzon biznesmenë, bashkëpunëtorë dhe dy kompani për mashtrim, korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa pretendon se miliona euro janë devijuar nga projekti publik.

19
Inceneratorët
Credits: exit.al - Inceneratorët

Pas afro gjashtë vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit, të lidhura me kontratat publike në Shqipëri, duke dërguar për gjykim 13 persona dhe dy shoqëri tregtare për atë që prokurorët e përshkruajnë si një skemë të organizuar mashtrimi, korrupsioni dhe pastrimi parash në koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Hetimet lidhen me kontratën e nënshkruar në vitin 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve në kryeqytet, një projekt me një vlerë investimi të parashikuar prej 128.2 milionë eurosh, pa TVSH.

Në kërkesën e depozituar në Gjykatën e Posaçme, SPAK pretendon se procedura e dhënies së koncesionit u ndikua nga veprime të kundërligjshme të zyrtarëve publikë dhe se, pas nënshkrimit të kontratës, një pjesë e konsiderueshme e fondeve publike u devijua përmes një rrjeti kompanish dhe transaksionesh financiare.

“Nga provat e administruara janë konstatuar veprime të kundërligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor… ku, në sajë të veprimeve të tyre në kundërshtim me detyrën, është shpallur fituese shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas prokurorisë, deri në vitin 2023, kur mbi asetet e kompanive u vendos sekuestro preventive, koncesionarja kishte arkëtuar 11.3 miliardë lekë, ndërsa kishte investuar vetëm 21 milionë euro në realizimin e projektit.

Hetuesit pretendojnë se dy biznesmenët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët SPAK i konsideron pronarë “de facto” të kompanisë koncesionare Integrated Energy BV SPV, përfituan në mënyrë të parregullt fonde të konsiderueshme nga kontrata, ndërsa shmangën investimet e parashikuara.

“Nga hetimi ka rezultuar se pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt vlera të mëdha monetare… duke mos bërë investime për realizimin e veprës”, thuhet në dosje.

Sipas akuzës, fondet janë nxjerrë nga kompania përmes faturave të rreme, shoqërive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe transfertave në para cash, me një vlerë që arrin në 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro.

“Të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare… në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive dhe shoqërive fiktive, të krijuara brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesës për gjykim, biznesmeni Mirel Mërtiri akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.

Për Klodian Zoton, SPAK ka ngritur gjithashtu akuzën për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, përveç akuzave për mashtrim, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Dashamir Ymeraj akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Arjola Kodra akuzohet për falsifikim dokumentesh me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Shtetasit Giuseppe Ciaffaglione, Marc Richard Lappat dhe Michael Peter Druijts, sipas SPAK, kanë qenë pjesë e skemës së dyshuar të pastrimit të parave dhe akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të tij.

Të njëjtat akuza për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal janë ngritur edhe ndaj Denisa Tollkuçit, Elton Buallit, Endrit Habilajt, Renardo Nallbanit dhe Ilir Dedjas, të cilët prokuroria pretendon se kanë luajtur role të ndryshme në qarkullimin dhe fshehjen e fondeve.

SPAK ka marrë të pandehura edhe dy kompani. Integrated Energy BV SPV, koncesionarja e projektit, akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa Integrated Technology Services përballet me akuza për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.

Prokuroria thotë se gjatë hetimeve ka konstatuar veprime të kundërligjshme nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i përgjithshëm, Alqi Bllako, dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të administratës publike, të cilët, sipas SPAK, krijuan kushtet që kompania koncesionare të shpallej fituese.

Ata nuk janë pjesë e këtij procedimi, pasi janë hetuar dhe gjykuar në dosje të ndara.

SPAK kujton se në procedimet penale të ndara janë dërguar më herët për gjykim Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj, të cilët tashmë janë gjykuar me vendime të formës së prerë.

Ndërkohë, me vendim të Gjykatës së Posaçme të korrikut 2023, u vendos sekuestro preventive mbi pasuritë e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, si edhe mbi kompanitë Integrated Energy BV SPV, Integrated Technology Services dhe F.M.O. sh.p.k.

Kalimi i dosjes në gjykim shënon fazën e fundit të hetimit penal dhe hap procesin, ku prokuroria do të duhet të provojë në gjykatë akuzat për atë që e konsideron një nga skemat më të sofistikuara të përvetësimit të fondeve publike në historinë e kontratave koncesionare në Shqipëri.

Afera e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro. Një numër i madh zyrtarësh janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Lora Dusha.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.