Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka zgjedhur sot me shumicë votash Klodian Brahon si kryetar të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me mandat trevjeçar. Zgjedhja e tij vjen në një moment kritik për sistemin e drejtësisë shqiptare, në një kohë kur presioni për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet ndër prioritetet kryesore të vendit, sidomos në kontekstin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë seancës së KLP-së për vlerësimin e kandidatëve për kreun e SPAK, Klodian Braho bëri një pasqyrë të qartë mbi qëndrimin e tij ndaj rolit të prokurorit dhe përgjegjësive ligjore të këtij institucioni. Ai u shpreh se konceptet e përdorura ndonjëherë në diskursin publik, si “Republika e Prokurorëve”, nuk reflektojnë realitetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Termi ‘Republikë e Prokurorëve’ s’më shkon dhe nuk e njoh këtë term. Nuk besoj se ekziston një realitet i tillë në Shqipëri. Prokurorët kanë detyrimin të zbatojnë Kodin e Procedurës Penale, ndërsa gjykata vlerëson nëse vendimet e tyre janë të drejta apo jo.” – deklaroi Braho.
Ai theksoi se pakënaqësitë ndaj vendimeve të gjykatave duhet të trajtohen përmes rrugës ligjore dhe se proceset gjyqësore janë filtrat kryesorë që tregojnë drejtësinë e veprimeve të prokurorisë.
“Nëse vendimi i gjykatave nuk na përshtatet, ekziston rruga ligjore për ta kundërshtuar ose shqyrtuar. Çdo vendim i prokurorisë vlerësohet nga gjykata, dhe çdo pakënaqësi duhet të trajtohet sipas ligjit.” – tha prokurori.
Braho tha se pika e tij të fortë që janë hetimet për korrupsionin.
“Si pikë të fortë do përmend faktin që kam eksperiencë të gjatë në hetimet për korrupsion. Që në 2012 jam marrë veprën penale të lidhur me korrupsionin. Kam patur qetësinë dhe qartësinë e duhur, edhe maturinë në kryerjen e hetimeve. Këto i vlerësoj si gjë pozitive” – tha Ai.
I pyetur nga anëtarja e KLP, Arta Mandro se çfarë do të merrte nga dy drejtuesit e kaluar, Altin Dumani dhe Arben Kraja, Braho tha se: “Nga Dumani do merrja pro-aktivitetin dhe vendosmërinë. Edhe nga Kraja do merrja qetësinë në kryerjen e detyrës”.
Braho përfundoi duke theksuar se roli i prokurorit është të veprojë brenda kuadrit ligjor dhe të sigurojë respektimin e procedurave, ndërsa gjykatat janë ato që vendosin mbi drejtësinë e vendimeve të marra.
Në seancën e KLP-së, Braho mori 7 vota nga 11 anëtarë, duke u bërë drejtuesi më i votuar deri më tani në historinë e SPAK. Konkurrentët e tij, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj, morën respektivisht 3 dhe 1 votë. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, njoftoi se procesverbali dhe vendimi i votimit do të shpallen në Fletoren Zyrtare, duke formalizuar kështu emërimin e Brahos.
Procesi i zgjedhjes së kreut të SPAK u monitorua nga afër nga përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare, duke përfshirë ambasadoren Nancy vanHorn, ambasadorin e Bashkimit Evropian Silvio Gonzato dhe ambasadorin britanik Nicholas Abbott.
Të pranishmit vlerësuan transparencën e procesit dhe rëndësinë që ka zgjedhja e një kryetari me integritet dhe pavarësi për funksionimin e SPAK.
“Kemi ardhur këtu për të treguar mbështetjen tonë për KLP dhe për të ndjekur nga afër procesin e emërimit. SPAK ka rol vendimtar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, një nga kërkesat kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presim që zoti Braho të vijojë punën e tij me pavarësi dhe integritet, duke përforcuar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë.” – deklaroi ambasadori Gonzato.
Me një karrierë që nis në vitin 2007, Braho do të marrë detyrën më 19 dhjetor, një ditë pas përfundimit të mandatit të kreut aktual të SPAK, Altin Dumanit.
Si prokuror, Klodian Braho është i përfshirë në disa nga hetimet më të ndjekura dhe më të diskutueshme të dekadës së fundit, si hetimi për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ku lëshoi urdhër-arreste për figura kyçe si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Hetimi u ndal edhe për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Po ashtu, Braho ka drejtuar dosjen e njohur “5D”, e cila çoi në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, si dhe hetimin e çështjes “Toyota Yaris”, e ndarë në disa fraksione dhe ende në proces hetimi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























