Vetëm një javë më parë, Asambleja Kombëtare (Parlamenti) e Serbisë miratoi ndryshimet në ligjet kryesore gjyqësore, të propozuara nga një deputet i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet (U. Mrdić). Kritikët në Serbi pretendojnë se këto ndryshime, të miratuara shpejt dhe pa konsultime publike, do të kufizojnë pavarësinë e gjykatave dhe prokurorëve; do të dobësojnë kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe do të rikthejnë në prokuroritë nga të cilat ishin transferuar përkohësisht 11 nga 20 prokurorët që aktualisht punojnë në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar (TOK), prokuroria homologe e SPAK-ut tonë.
Pasi këto ndryshime u njoftuan publikisht (sipas portalit https://europeanwesternbalkans.com/2026/01/28/controversial-amendments-to-the-key-laws-on-judiciary-approved-by-the-mps/) TOK lëshoi një deklaratë, e cila vlerësoi se miratimi i tyre do të paralizonte punën e saj dhe “do të bllokonte plotësisht procedurat në çështjet penale më komplekse dhe të ndjeshme”.
Sipas mendimit tim, analogjia me këtë rast konsiston në këto çështje kryesore:
1. Në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS) është në pushtet qysh nga viti 2012, ndërsa në Shqipëri PS është në pushtet qysh nga viti 2013. Dmth, në të dyja vendet, maxhorancat janë në pushtet prej një kohe të gjatë dhe të përafërt.
2. Të dyja vendet janë në procesin e integrimit në BE, gjë që nënkupton monitorim nga afër të ecurisë së këtij procesi nga ana e strukturave të Komisionit Europian.
3. Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar (TOK) në Serbi është ngritur qysh më 2002, por i është nënshtruar ndryshimeve ligjore në periudhën pas vitit 2016, dmth është një njësi e mbështetur nga BE dhe ka një funksion të ngjashëm me SPAK-un në procesin hetimor; është e fokusuar në krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit.
4. Mbështetja me burime njerëzore e TOK në Serbi, sipas këtij akti të parlamentit serb, është kufizuar, gjë që nuk mund të mos çojë në vështirësimin e përmbushjes së detyrave kushtetuese të këtij institucioni. Në Shqipëri pak është debatuar publikisht mbi kufizimet që parlamenti vendosi për burimet financiare dhe njerëzore në dispozicion të SPAK-ut. Kështu, edhe pse parashikimet kushtetuese kërkojnë që “Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë” (neni 148/dh), ndërsa volumet e punës duket se janë të shumë mëdha edhe për 17 prokurorët që janë aktualisht, sulmet e përsëritura publike mediatike të KM Rama për pagat e tyre të larta nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngjallin zemërim publik ndaj tyre, edhe pse SPAK nuk është aspak përgjegjës për stokun e dosjeve në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe vonesat e pafundme, pasi SPAK merret me një numër tejet të vogël çështjesh penale – ato që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar në vend, por që ky dallim pak ose aspak bëhet nga “qytetari mesatar”…
5. Nëse në Shqipëri SPAK ka në dorë disa dosje hetimore të zyrtarëve të lartë të vendit dhe vitin e kaluar u mor në hetim penal edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës B. Balluku, në Serbi po vitin e kaluar TOK ngriti akuza ndaj ish-ministrave të qeverisë së SNS-së, G. Vesić dhe T. Momirović, të cilët dyshohen për korrupsion në rastin e rindërtimit të hekurudhës Beograd–Budapest. Gjithashtu, edhe ministri aktual i Kulturës dhe anëtari i lartë i SNS-së, N. Selaković, u akuzua për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në rastin e Shtabit të Përgjithshëm.
6. Akuzat e TOK për korrupsion ose shpërdorim detyre ndaj ish-ministrave ose ministrave aktualë të qeverisë serbe janë përballur me një fushatë të gjerë kundër kësaj prokurorie nga ana e mediave proqeveritare, si dhe puna e gjyqësorit është kritikuar ashpër nga figurat kryesore të qeverisë, përfshirë Presidentin A. Vuçiç. Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Shqipëri me sulmet e koordinuara të maxhorancës, një pjese të opozitës ndaj SPAK-ut, si dhe të vetë KM Rama ndaj gjyqësorit në tërësi.
7. Burimet e medias bëjnë me dije se në Serbi amendimet ligjore të sipërcituara kanë ngjallur shqetësim të madh në Bruksel, aq sa Komisioni Europian i deklaroi një medieje serbe se “këto ndryshime mund të përfaqësojnë një hap të rëndësishëm prapa në angazhimin e Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE”. Në mënyrë eksplicite, propozuesi formal i këtyre amendimeve ligjore në Serbi shkoi më larg duke deklaruar se “miratimi i një sërë ligjesh gjyqësore është hapi i parë drejt kthimit të gjyqësorit të rrëmbyer te shteti dhe populli i Serbisë”, në mënyrë që ai të mos drejtohet më nga “qendra të alienuara nën kontrollin e qendrave të huaja të pushtetit”…
8. Është e paqartë skema që do të ndjekë maxhoranca në pushtet në Shqipëri dhe KM Rama në hapat për kufizimin e veprimtarisë së SPAK-ut, por ajo që dihet me siguri është se “qeveria” e prokurorisë (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) dhe “qeveria” e gjyqësorit (Këshilli i Lartë Gjyqësor) janë plotësisht nën kontrollin politik të tyre dhe, së bashku me Gjykatën Kushtetuese, po përgatiten për kryqëzatën ndaj SPAK-ut.
Gjithashtu, maxhoranca socialiste në Shqipëri, në heshtje, ka refuzuar kërkesën e përsëritur gjatë dy viteve të fundit të drejtuesit të SPAK-ut që Kuvendi të shihte mundësinë e ndryshimeve kushtetuese në lidhje me kufizimin e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, duke u dhënë atyre mundësinë që të rikandidonin për një mandat tjetër. Kjo kërkesë ka qenë artikuluar publikisht edhe nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Me sa duket, pezullimi i zbatimit dhe tërheqja nga amendamentet kontroverse në ligjet kryesore për gjyqësorin që deputetët serbë miratuan një javë më parë, i kërkuar fuqimisht nga Michael McGrath, Komisioneri i Bashkimit Europian për Drejtësinë (https://europeanwesternbalkans.com/2026/02/06/european-commissioner-for-justice-calls-for-revision-of-the-new-laws-on-judiciary/), dhe vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit mbi çështjen Balluku në Shqipëri do të jenë edhe “guri i provës” për dinamikën jo vetëm të vendosjes së shtetit të së drejtës në të dyja vendet, por posaçërisht për procesin e integrimit të tyre në BE.



























