Pas katër muajsh zvarritje, çështja Veliaj kalon për gjykim

Pas një viti në paraburgim dhe dhjetëra seancave të shtyra, Gjykata e Posaçme vendos kalimin për gjykim të çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe 29 të pandehurve të tjerë.

564
Erion Veliaj tek Gjykata Kushtetuese
Credits: LSA - Erion Veliaj tek Gjykata Kushtetuese

Një ditë para se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të mbushë një vit në paraburgim, Gjykata e Posaçme vendosi që çështja të kalojë për gjykim.

Pas më shumë se 10 seancash të shtyra, gjykata ditën e sotme, më 9 shkurt 2026, e kaloi për gjykim çështjen ndaj 30 të pandehurve, mes të cilëve edhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë seancës së sotme, gjyqtarja Etleva Deda shpalli vendimin, ndërsa kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm, ndryshe nga shumë seanca të mëparshme ku kishte zgjedhur të merrte pjesë.

As avokati i tij mbrojtës nuk mori pjesë në seancë, ndërkohë që ishte e pranishme avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.

Mungesa e avokatëve të kryebashkiakut Veliaj ka qenë një nga arsyet më të shpeshta për shtyrjen e seancave, konkretisht në datat 29 shtator, 10, 21 dhe 28 tetor, 2 dhe 17 nëntor, 12 dhjetor 2025, si dhe 5 janar, 19 janar dhe 2 shkurt 2026, duke e zvarritur çështjen për më shumë se katër muaj.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe mbahet në paraburgim në Durrës. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në nëntë episode, shpërdorim detyre, si dhe vepra të tjera penale.

Sipas hetimeve, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se kanë ndërtuar një skemë korrupsioni, fshehjeje pasurie dhe pastrimi parash, të cilat përfitoheshin përmes statusit të Veliajt si kryebashkiak i Tiranës. 

Hetuesit pretendojnë se çifti ka qenë i përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia e Tiranës janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave të lidhura me familjen e tyre.

Ishte denoncuesi anonim “Nesti Agoni” i cili bëri një kallëzim në SPAK, prej të cilit nisën edhe hetimet intensive të prokurorisë.

E pandehur është marrë edhe ish kryetatarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, si dhe një grusht biznesmenësh të rëndësishëm, si Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Gentian Sula, Meriman Palushi, Mirton Lika dhe Sokol Kryeziu.

Një nga rastet konkrete lidhet me biznesmenin Mirton Lika, i cili i ka vënë në dispozicion Ajola Xoxës një zyrë në godinën “Sky Tower” me kontratë “hua përdoruse”, që hetuesit e konsiderojnë si të dyshimtë dhe me qëllim pastrim parash.

Gjatë një viti në paraburgim, kryebashkiaku Veliaj ka paraqitur disa kërkesa në gjykatë, përfshirë edhe ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë, kërkesa që janë rrëzuar nga Gjykata e Posaçme.

Ndërkohë, në Tiranë pritej të mbaheshin zgjedhje të pjesshme më 9 nëntor 2025, pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, pasi qeveria kishte vendosur shkarkimin e Veliajt, duke argumentuar se ai ishte i pamundur për të ushtruar funksionin.

Këto vendime u kundërshtuan nga Veliaj dhe nga përfaqësues të mazhorancës, të cilët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se shkarkimi dhe thirrja e zgjedhjeve ishin bërë pa një vendim gjyqësor përfundimtar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt, duke rrëzuar vendimin e qeverisë dhe dekretin e Presidentit, si dhe duke sqaruar se paraburgimi nuk përbën shkak automatik për humbjen e mandatit, ç’ka e la atë ligjërisht në detyrë si kryebashkiak i Tiranës.

Gjykata riktheu Erion Veliaj në detyrë, por ai tani do të përballet me hetimin gjyqësor për akuzat që, nga qelia e paraburgimit dhe përmes avokatëve të tij, i ka mohuar, duke i cilësuar si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.