Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, arriti të bind Gjykatën e Posaçme për të shtyrë vendimin për fillimin e procesit ndaj tij. Mësohet se para trupës gjykuese Veliaj ka kërkuar të njihet me parë me aktet e dosjes, një e drejtë që pretendon se i është mohuar deri më tani.
Gjatë seancës, Veliaj paraqiti kërkesa që ai i konsideron elementare për garantimin e një procesi të drejtë. Sipas një deklarte të shpërndarë në media nga avokatët e tij, thuhet se Veliaj kërkoi heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, duke u bazuar në standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, të cilat e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.
“Unë jam këtu i thirrur nga ana Juaj, për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Dua ta them qartë, drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes,” thuhet se deklaratë.
Gjithashtu bëhet e ditur se Veliaj kërkoi dorëzimin e dosjes hetimore, që përmban mbi 60 mijë faqe, në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, për t’u njohur me akuzat dhe për të pasur kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes.
“Unë jam këtu si një qytetar i një vendi demokratik dhe të lirë që kërkon të drejtën e tij, por gjithashtu edhe si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet më themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend,” – vijon deklarata, sipas se cilës Veliaj ka kërkuar shtyrjen e procedurës, derisa të garantoheshin plotësisht të drejtat e tij për mbrojtje efektive.
“Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale,” pretendoi Veliaj.
Duket se këto argumente kanë bindur trupën gjyqësore të shtyjë vendimarrjen për seancën paraprake në GJKKO më 5 dhjetor 2025.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt 2025 dhe akuzohet për një seri veprash penale, përfshirë pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në këtë dosje të gjerë të cilën Veliaj pohon që nuk ka pasur mundësi t’a lexojë dhe kuptojë është marrë e pandehur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, për të cilën SPAK ngre akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, si dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Më 23 Shtator 2025, me votat unanime të këshilltarëve socialistë dhe demokratë, Erion Veliaj u shkarkua nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, detyrë të cilën ai e mbante prej 10 vitesh.
Pas shkarkimit, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e parakohëshme në Tiranë, por më 3 nëntor Gjykata Kushtetuese vlerësoi se shkarkimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ishte antikushtetues dhe politikisht të motivuar.
Më 27 nëntor 2025, Veliaj iu drejtua sërish Kushtetueses, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën “arrest me burg”.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























