Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës për zbutjen e masës së sigurisë u rrëzua, ndërsa procesi ndaj tij vijon në Gjykatën e Posaçme.

402
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Credits: LSA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Apelit të GJKKO-së.

Vendimi u mor këtë të enjte nga trupa gjykuese, e cila vendosi që Veliaj të vijojë të qëndrojë në paraburgim, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet e SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës me një alternativë më të lehtë, si garanci pasurore ose detyrim paraqitjeje. Sipas mbrojtjes së tij, çështja tashmë kishte kaluar për gjykim dhe nuk ekzistonte më rreziku për prishjen apo ndikimin mbi provat.

Kërkesa për lehtësimin e masës ishte depozituar më 6 maj, por Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e Apelit të Posaçëm, i cili më herët kishte konfirmuar vijimin e paraburgimit.

Vendimmarrja vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese riktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë një tjetër rekurs të Veliajt. Kushtetuesja kërkoi një vlerësim më të detajuar mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë në raport me funksionin e tij si kryebashkiak dhe ndikimin që paraburgimi ka mbi të drejtat e tij kushtetuese si i zgjedhur vendor.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ngriti shqetësime edhe mbi mënyrën e trajtimit të Veliajt gjatë seancave gjyqësore, duke kërkuar arsyetim lidhur me qëndrimin e tij në kafazin e xhamtë gjatë proceseve në gjykatë.

Ndërkohë, çështja penale ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij dhe disa biznesmenëve është dërguar për gjykim në themel që në shkurt të vitit 2026. Që prej nisjes së procesit janë zhvilluar gjashtë seanca gjyqësore, të shoqëruara me debate procedurale, kërkesa për ndarje çështjeje, përjashtim kompetence dhe kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes.

SPAK ka ngritur katër akuza të rënda ndaj kryebashkiakut, si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.

Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia e Tiranës janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave që kanë lidhje me familjen e tyre, prej të cilave dyshohet se familja Veliaj-Xoxa ka përfituar mbi 1.1 milionë euro.

Prokuroria thotë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka nënshkruar aktet që shpërndanin fondet publike, të cilat përfundonin më pas tek OJF të lidhura me Ajola Xoxën, shoqëri tregtare dhe individë të afërt me çiftin. Përveç shumave në para, dy të pandehurit kanë përfituar edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.