Shqipëria avancon drejt BE-së, por qytetarët mbeten mes protestave dhe pasigurisë

Miratimi i IBAR-it konsiderohet një hap historik në negociatat me Bashkimin Europian, ndërsa në terren shqiptarët përballen me konfliktet e pronës, emigrimin dhe mungesën e besimit tek institucionet.

367
Rruga e integrimit
Rruga e integrimit

23 vite pas nisjes së rrugëtimit europian që nga viti i largët 2003 kur nisën të merrnin formë negociatat e para, Shqipëria arriti të marrë dakordësinë e shteteve anëtare për miratimin e piketave ndërmjetëse mbyllëse për grupkapitullin “Themeloret”.

Në Bruksel, konferenca ndërqeveritare u shoqërua me deklarata optimiste për progresin e Shqipërisë dhe afrimin e saj me Bashkimin Europian. Por ndërsa në korridoret europiane flitej për reforma dhe standarte, kilometra më larg, në Shqipëri, situata reale mbetet kaotike.

Një valë protestash ka mbërthyer vendin me qytetarë që kundërshtojnë nisjen e punimeve në zonat e mbrojtura, të tjerë që janë të pakënaqur me cilësinë e jetës apo të tjerë që pretendojnë se toka e tyre po zaptohet padrejtësisht nga njerëz të lidhur me pushtetin.

Nga Brukseli qeveria deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa galopantë në forcimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit apo të drejtat themelore, por qytetarët dëshmojnë se shteti ka rezultuar jo pak herë i paaftë për të garantuar një prej elementëve më bazikë të një demokracie funksionale, atë të sigurisë mbi pronën dhe barazinë përpara ligjit.

Miratimi i IBAR-it konsiderohet sukeses për Shqipërinë, por vetë përmbajtja e tij në dokumentin e fundit, tregon se shqetësimet për standartet demokratike në vend mbeten të thella.

Duke përmendur me një gjuhë të drejtpërdrejtë “rrjetet e patronazhit” shqetësimet për presion ndaj SPAK-ut, korrupsionin, problemet e pronësisë apo shpronësimet pa kompensim të drejtë, bëhet e qartë se në fakt BE, sheh përtej asaj që deklarojnë në gjuhën e lustruar diplomatike.

Ekspertët e konsiderojnë miratimin e IBAR-it si një “dritë jeshile” për kalimin në një fazë të re të negociatave, me shpresën se fokusi do të zhvendoset nga përafrimi formal i ligjeve tek reformat që prodhojnë ndikim të prekshëm në jetën e qytetarëve. Por deri më tani, qytetari shqiptar ka mbetur kryesisht spektator i një procesi të gjatë, teknik, elitist dhe shpesh i pakuptueshëm për të.

Në emër të qytetarëve …

Ambjentalistët duke protestuar kundër ndërtimeve në Nartë
Credits: shteg.org – Ambjentalistët duke protestuar kundër ndërtimeve në Nartë

Që në vitet e para të demokracisë, qytetarët shqiptarë ishin ndër popujt më pro-evropianë të rajonit. “Edhe sot, pas më shumë se 35 vitesh demokraci, ata mbeten të tillë, ndërsa integrimi vijon të shihet si rruga e vetme për modernizimin e vendit dhe largimin nga modeli i një tranzicioni të zgjatur.

Këtë e konfirmoi edhe komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos, disa herë gjatë fjalimit të saj në konferencën e 8 Ndërqeveritare të 26 Majit.

“Më shumë se 95% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE.”

Por sot, kur integrimi po premtohet si më i afërt se kurrë, qytetarët janë lënë jashtë këtij rrugëtimi.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, thotë se integrimi vijon të trajtohet si një proces i mbyllur politik dhe jo gjithëpërfshirës.

“Mendoj se qeveria ka gabuar që po e trajton këtë si vendimmarrje elitash dhe nismë personale, duke përjashtuar shoqërinë nga informimi dhe përfshirja. Qytetarët duhet ta dinë çfarë po ndodh me interesin e tyre, me jetën e tyre, me shtetin e tyre, cilat janë kostot dhe përfitimet, çfarë do të ndryshojë dhe si do të ndryshojë.” tha ai.

Të papërfshirë në këtë proces, qytetarët shqiptarë ndihen larg së qenuri qytetarë evropianë, teksa ata protestojnë për të drejtat elementare.

Banorët e Rrjollit kanë protestuar çdo ditë prej 4 muajsh. Rreth 80 familje pretendojnë se tokat që u janë lënë trashëgimi, po merren padrejtësisht dhe pa kompensim, nga biznesmenë të pushtetshëm që kërkojnë të ndërtojnë resorte luksoze. Ata i janë drejtuar gjykatës, ndërsa punimet kanë vijuar nën kujdesin policor, ku këta të fundit për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve, kanë pasur edhe përleshje me banorët.

Ende, ngjarja nuk është zbardhur, por konfliktet e pronës nuk janë vetëm një problem lokal. Ato përbëjnë një prej simptomave më të dukshme të krizës së besimit ndaj institucioneve.

Këtë e pranoi edhe Kryeministri Rama në një konferencë rajonale 2 javë më parë, por për kreun e qeverisë, “çështja e pronave” është një pasojë e viteve 90’ e cila na shoqëron edhe sot, edhe pse kanë kaluar plot 36 vite demokraci.

“Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks saqë është realisht një nga vështirësitë më të thella me të cilat jemi përballur.” tha ai.

Në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro-Nartës, qindra qytetarë janë ngritur në protesta për pengimin e punimeve, por zona është rrethuar, makineritë punojnë në hapësirën e mbrojtur, ndërsa institucionet shqiptare nuk bëjnë transparencë, pavarësisht se këto protesta vijnë në një moment kur kapitulli 27 “Për mjedisin dhe klimën” është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE.

Një tjetër problematikë mbetet emigrimi. Raportet evidentojnë se vetëm gjatë periudhës 2022-2023, numri i emigrantëve arriti në rreth 49 mijë emigrantë, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me normën më të lartë të emigrimit në rajon. Shumica prej tyre, largohen në kërkim të një pashaporte europiane.

Për ekspertët, në këto çështje nis diferencimi midis anëtarësimit formal në Bashkimin Europian dhe ndërtimit real të një shoqërie europiane.

“Të jesh pjesë e BE-së formalisht është gjë e rëndësishme. Por të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian dhe të jesh qytetar europian është më e vështirë dhe tërësisht diçka tjetër.” thotë eksperti i Integrimit Europian Valmir Visha.

Sipas tij, Shqipëria vazhdon të përballet me sfida të mëdha strukturore në sektorë që përbëjnë vetë bazën e standardeve europiane, nga tregu i punës dhe arsimi, te bujqësia, transporti, mbrojtja e mjedisit dhe konkurrenca ekonomike.

Në këtë kuptim, integrimi europian nuk është thjesht një proces diplomatik apo teknik, por një transformim i thellë shoqëror.

Megjithatë, ekspertët argumentojnë se avancimi i negociatave do të shoqërohet me monitorim më të kujdesshëm në terren, nga pala europiane.

Meljana Bregu, eksperte e Integrimit Europian
Credits: Facebook – Meljana Bregu, eksperte e Integrimit Europian

Meljana Bregu, eksperte e Integrimit Europian, thotë se kjo fazë do shërbejë si një mekanizëm presioni për përmirësimin e demokracisë, respektimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

“Mendoj se përmiresimi i demokracisë ne Shqipëri, respektimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut mund të bëhet më mirë brenda një procesi dinamik dhe aktiv se sa me një proces të bllokuar, vazhdimi i procesit është nxitës për qeverinë. Pritet që mbyllja e kapitujve të kalojë një monitorim më të reptë për të evituar këto problematika.” argumenton ajo.

Kjo u sinjalizua edhe në vetë dokumentin final të miratuar të IBAR.

Krahasuar me draftin fillestar të muajit shkurt, versioni final mbajti qëndrime dukshëm më të ashpra ndaj problematikave të Shqipërisë.

Për herë të parë përmendeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë “rrjetet e patronazhit” duke i lidhur me deformimin e garës politike, përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e pushtetit mbi institucionet. Gjithashtu, janë forcuar kërkesat për autonominë e pushtetit vendor, konsultime reale dhe gjithëpërfshirëse për reformat, apo transparencë më e madhe në monitorimin e tyre.

Për ekspertët, kjo bën ndryshimin më të rëndësishëm të fazës së re të negociatave, duke kaluar nga përafrimi formal i ligjeve, tek presioni për zbatim real.

“BE e ka vendosur theksin, me procedurën e re të zgjerimit, tek zbatimi i reformave. Edhe në këtë rast, BE e bëri të qartë se nuk mjaftohet me përafrimin e ligjeve, por kërkon efekte të prekshme të zbatimit të reformave,” thotë Meljana Bregu.

“Vija e Kuqe” e Integrimit Europian

Afrim Krasniqi
Credits: Afrim Krasniqi

Çdo hap drejt Bashkimit Europian është deklaruar me bujë nga kryeministri, i cili nuk ka denjuar të marrë meritat. Por përtej deklaratave për “progres historik” rrugëtimi drejt europës është pjesë e një arene politike më madhe, ku përplasen interesa të ndryshme gjeopolitike.

Ishte lufta në Ukrainë, dhe tensionet e reja në Europë të cilat “zgjuan” Bashkimin Europian dhe rikthyen zgjerimin në qendër të axhendës së tyre. Ekspertët argumentojnë se Shqipëria po përfiton pikërisht nga ky moment.

“Vendimi i BE-së është më shumë gjeopolitik sesa vlerësim merite për ne. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po përfitojnë nga ndryshimet gjeopolitike dhe BE është nën presion të mbyllë këtë kapitull”, thotë eksperti Visha.

Sipas tij, vetë historia e Bashkimit Europian njeh raste kur zgjerimi është diktuar nga rrethana politike dhe strategjike më shumë sesa nga përmbushja perfekte e standardeve.

“Këto mundësi nuk trokasin dy herë në derë. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të mos humbasim, ndoshta, trenin e fundit që të çon në BE.” thotë ai.

Por ndërsa Brukseli duket i gatshëm të shtyjë procesin, ekspertët kritikojnë mënyrën se si qeveria shqiptare po e menaxhon këtë moment.

“Menduam se pas kalimit të IBAR-it qeveria do të bënte publike listën e angazhimeve, ligjeve dhe standardeve që duhen përmbushur. Në vend të kësaj morëm vetëm batuta, video të porositura dhe retorikë elektorale,” thotë politologu Afrim Krasniqi.

Edhe ky moment historik, është shoqëruar me momente tensioni, ku pavarësisht zotimit për të bërë gjithçka për aderimin, çështje politike rrezikuan të mbajnë peng procesin. Vija më e fortë e përplasjes mbetet raporti me drejtësinë dhe SPAK-un.

“Nuk është serioze të thuash se jemi gati për në BE, por të mos pranosh që të hetohen zyrtarët e tu,” thotë Krasniqi, duke argumentuar se pikërisht tensionet politike ndaj SPAK-ut ndikuan në shtyrjen për disa muaj të miratimit të IBAR-it dhe sollën kushte të reja nga shtete si Gjermania.

Sipas tij, paradoksi shqiptar qëndron tek fakti se ndërsa Bashkimi Europian e konsideron SPAK-un një prej rezultateve kryesore të reformës në drejtësi, ndërsa komisioneria Kos e përshkroi si “flamurtarin antikorrupsion” politika shqiptare e ka sulmuar publikisht.

Kryeministri, për të cilin Bashkimi Europian përbën kartën më të fortë politke kundrejt kundërshtarëve, sërish e ka bërë të qartë se edhe reformat për hir të integrimit nuk duhet të shkelin “vijën e kuqe”.

“Imagjinoni Spanjën, një vend model në BE, hetimi antikorrupsion përfshin partinë në qeveri, kryeministrin, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët. Imagjinohet të ndodh kjo në Shqipëri?

Publikisht, ndërsa SPAK po hetonte zyrtarët më afër kryeministrit, Rama u shpreh qartë se autoritetet, as nuk duhet ta mendonin një gjë të tillë.

“Dhe mos të bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim …” deklaroi ai. Për Krasniqin, kjo përbën pikërisht “zonën e minuar” ku askush nuk mendon të futet.

“Aktualisht kjo është e pamundur, madje qeveria publikisht ka paralajmëruar se do refuzojë bashkëpunimin nëse hetimet shkojnë te qëndra e pushtetit.” thotë ai. Ndërsa shton se vetëm në ditën kur kjo të pranohet, vendi është gati për në BE.

“Ditën kur kjo ndodh, pranohet e respektohet është dita kur Shqipëria bëhet realisht gati për në BE.” thotë politologu.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.