Bashkitë në fokus të BE-së, por nën hijen e hetimeve për korrupsion

Ndërsa Brukseli kërkon transparencë dhe institucione të forta vendore, bilanci i bashkive shqiptare vijon të shoqërohet me hetime, akuza për korrupsion dhe kritika edhe nga vetë kryeministri.

318
Silvio Gonzato Ambasadori i BE- së në Shqipëri
Credits: Bashkimi Europian në Shqipëri - Silvio Gonzato Ambasadori i BE- së në Shqipëri

Në një takim në Durrës me prezencën e përfaqësuesve qeveritarë paraditen e së premtës të 8 Majit, ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato lajmëroi zyrtarisht nisjen e programit strategjik “EU4Municipalities II”.

I fokusuar në rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit, në një takim ndryshe nga formatet ku diskursi dominohet nga deklaratat qeveritare, nëpërmjet mbledhjes së sotme BE përcolli mesazhin se tashmë “ka zbritur në terren”.

“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor. Këtu shndërrohen politikat në përmirësime të vërteta për jetën e qytetarëve.” tha në fjalën e tij Gonzato.

EU4Municipalities II është një nismë e Bashkimit Europian dhe Gjermanisë që synon forcimin e pushtetit vendor duke u fokusuar në investime konkrete për bashkitë në rang vendi si hallkë vendimtare në përafrimin me standardet e BE-së.

Në ndryshim nga qasja e zakonshme ku diskutimet përqendrohen në progres-raportet dhe reformat në nivel qendror, këtë herë vëmendja u zhvendos përtej dokumenteve dhe angazhimeve institucionale, duke u ndalur te impakti real i tyre në jetën e qytetarëve, dhe tek mënyra se si reformat përkthehen në shërbime konkrete në nivel lokal.

Këtë qasje e konfirmoi edhe vetë ambasadori i cili në renditjen e prioriteteve në kuadër të projektit, shërbimet për qytetarët i listoi të parat.

Nëpërmjet programit 11 milionë eurosh të “EU4Municipalities II” synohet forcimi i kapaciteteve të pushtetit vendor përmes investimeve konkrete dhe mbështetjes teknike, duke rritur aftësinë e tyre për të ofruar shërbime më efikase dhe më cilësore për komunitetet.

“Në të gjithë BE autoritetet vendore janë ato që kthejnë ligjet, investimet, reformat në vepra. Më shumë se 70% e legjislacionit të BE do të vihet në zbatim në terren në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë.” – tha ambasadori Gonzato.

Por ndërsa theksi vendoset tek roli i bashkive si struktura më e afërt me qytetarin duke u bërë pararojë të aderimit në Bashkimin Europian, perceptimi aktual në rolin e bashkive duket më së pakti, sfidues.

Sipas raportit të Prokurorisë së Posaçme për vitin 2025, në një periudhë prej 6 vitesh nga 61 bashki të vendit në rang vendi, 40 prej tyre kanë pasur dosje të hapura hetimore në këtë institucion.

Gjithashtu, nga 61 kryetarë të bashkive për mandatin e të cilëve qytetarët votojnë 4 vite, 16 prej tyre janë përballur me drejtësinë, nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa edhe 26 të tjerë janë paraqitur në SPAK si të dyshuar, nën hetim, apo për të dhënë deklarime.

Në total, gjatë vetëm gjashtë viteve të fundit, 36 kryebashkiakë kanë hyrë në ambientet e SPAK-ut, ose ndryshe rreth 59% e drejtuesve vendorë në vend.

Në kontrast me bilancin negativ, ambasadori Gonzato theksoi nevojën për institucione transparente, si kusht themelor për funksionimin e qeverisjes vendore.

“Duhet të ketë institucione më të forta dhe më transparente, sepse qeverisja e mirë nis me besimin,” deklaroi ai.

Ndërsa gjetjet e publikuara në raportet e institucioneve të drejtësisë evidentojnë problematika thelbësore, sidomos në proceset e prokurimeve publike të cilat përbëjnë format më klasike të korrupsionit.

“Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme.” – thuhet në Raportin e SPAK.

Por i pakënaqur për performancën e bashkive u shpreh edhe kryeminstri Rama, nën drejtimin e të cilit kryebashkiakët socialistë kanë fituar shumicën dërrmuese të mandateve në vend. Edhe për Ramën, pushteti vendor mbetet më sfiduesi.

“Bashkitë janë problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe nëse nuk fokusohemi sot tek adresimi. BE dhe anëtarësimi në familjen europiane janë bekim për Shqipërinë dhe sfidë në nivelin vendor…” – tha Rama.

Gjithashtu, ai nuk ngurroi të vinte në pah diferencën mes dy pushteteve. “Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme të dixhitalizimit në pushtetin qendror dhe vendor” – tha ai. Por kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama shfaq pakënaqësi për kryebashkiakët e vendit.

Në fillim të këtij viti, në mbledhjen e thirrur fill pas përmbytjeve që shkaktuan një emergjencë shtetërore, të ulur përballë kryeministrit, të 61 kryebashkiakët u vunë përballë kritikave të tij.

“Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti.” – ishin fjalët e Ramës në mbledhjen e 17 Janarit.

Në një moment kur Bashkimi Europian po e vendos fokusin e integrimit drejt pushtetit vendor si institucioni më afër qytetarëve, duke i konsideruar bashkitë si hallkën ku standardet europiane duhet të marrin formë konkrete, realiteti i tyre mbetet nën hijen e hetimeve, kritikave dhe problematikave të administrimit lokal, duke u shfaqur si ndër sfidat më të mëdha për Shqipërinë Europiane.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.