Kur prokurori Adnan Xholi nisi leximin e akuzave, Plaurent Dervishaj nuk ndodhej në sallën e Gjykatës së Posaçme. Ndërsa në ekranin procedural të drejtësisë po artikulohej kërkesa për “burgim të përjetshëm”, ai mungonte në atë hapësirë ku, në thelb, po vendosej fati i çështjes më të rëndë që e lidh me atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja.
Pas tentativave të shumta për për shtyrjen e procesit dhe përjashtimin e trupës gjykuese prokurori i çështjes arriti që gjatë seancës së 8 Majit 2026 të lexonte pretencën përfundimtare të SPAK, duke kërkuar dënimin maksimal për Dervishajn, të cilin e konsideron si një nga figurat kyçe të organizimit të atentatit të 1 nëntorit 2019. Por në atë moment kur u artikulua kërkesa për burgim të përjetshëm, Dervishaj, i akuzuar si një nga të pandehurit kryesorë zgjodhi të mos jetë fizikisht i pranishëm.
Ndryshe nga ai, Julian Meçe ishte në sallë, i vendosur përballë togave të zeza në një proces ku seancat zhvillimore të cilit kanë tensione të shumta mes palëve në gjykim.
Edhe seanca e së enjtës nisi me kërkesën e palëve të akuzuar për shtyrjen e procesit. Ishte mbrojtja e Meçes që kërkoi shtyrjen e gjyqit, duke iu bashkuar edhe vetë i pandehuri, ndërsa mungesa e avokatëve u kthye menjëherë në një tjetër element bllokues të procesit.
Një prej avokatëve kishte njoftuar mungesën, ndërsa tjetri nuk kishte paraqitur asnjë arsye. Për të shmangur kolapsin procedural, gjykata caktoi një mbrojtës kryesisht, por ky vendim u kundërshtua menjëherë nga Meçe, i cili refuzoi vijimin e seancës pa avokatin e zgjedhur prej tij.
Duke parë vijimin e procesit që të mos jetë avokati im që e kam zgjedhur, s’më duket e logjikshme, ju doni me heq qafe një çështje, por që ta bëni kaq lirshëm procesin tonë, ça të ju dojë qejfi. Mua më duhet avokati im.” – u shpreh Julian Meçe në sallën e gjyqit.
Edhe mbrojtja e Plaurent Dervishajt ndoqi pothuajse të njëjtën strategji.
Njëjtë si seancën e shkuar, avokati kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se procesi kishte vijuar edhe në mungesë të të pandehurit.
Avokati Ilia pretendoi se gjykata kishte vijuar më herët seanca pa praninë e klientit të tij dhe kërkoi revokimin e vendimeve të marra.
“Bëj përsëri kërkesë për përjashtimin e gjykatës, pasi keni zhvilluar një seancë pa prezencë të klientit tim Plaurent Dervishaj,” deklaroi ai në sallë.
Kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese, ndërsa avokati u largua në shenjë proteste, duke e lënë procesin sërish në një situatë të tensionuar.
Me leximin e konkluzioneve përfundimtare prokurori rikujtoi se procedimi penal për atentatin ishte regjistruar menjëherë pas ngjarjes së 1 nëntorit 2019.
“Më datë 1 nëntor 2019, është regjistruar procedimi 184, që ka të bëjë me ngjarjen Durrës-Tiranë, mbikalimi i Shkozetit … Janë goditur me armë nga një mjet që ka qenë në krahun e kundërt.”, vijoi të lexonte konkluzionet prokurori.
Ndërsa kërkesa për dënim maksimal u artikulua brenda sallës, kontrasti ishte i dukshëm: një i pandehur mungonte, tjetri kundërshtonte vijimin e procesit, dhe mbrojtja përpiqej të sfidonte vetë legjitimitetin procedural të gjykimit.
Procesi, që prej muajsh shoqërohet me tensione, dëshmi dhe përplasje, hyri kështu në një nga fazat e tij më vendimtare — aty ku akuza e rëndë e SPAK u përplas drejtpërdrejt me boshllëkun në sallë dhe me përpjekjet për ta zvarritur atë.
Sipas SPAK-ut, hetimet identifikuan Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen si pjesë të organizimit të atentatit, ndërsa për persona të tjerë procesi vijon në një çështje të ndarë.
“Me qëllim zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, janë identifikuar Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, si dhe të tjerë që kanë marrë pjesë për vrasjen”, deklaroi prokurori gjatë leximit të pretencës.
Organi i akuzës kërkoi burgim të përjetshëm për Plaurent Dervishajn, të cilin e konsideron organizator të atentatit, ndërsa për Julian Meçen kërkoi 35 vite burg. Ndërsa kërkesa për dënim maksimal u artikulua brenda sallës, kontrasti ishte i dukshëm: një i pandehur mungonte, tjetri kundërshtonte vijimin e procesit, dhe mbrojtja përpiqej të sfidonte vetë legjitimitetin procedural të gjykimit.
Procesi, që prej muajsh shoqërohet me tensione, dëshmi dhe përplasje, hyri kështu në një nga fazat e tij më vendimtare, aty ku akuza e rëndë e SPAK u përplas drejtpërdrejt me boshllëkun në sallë dhe me përpjekjet për ta zvarritur atë.
Ngjarja për të cilën akuzohen dy të pandehurit lidhet me atentatin e 1 nëntorit 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku u qëllua me breshëri arme drejt automjetit ku udhëtonte ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferi Andi Maloku.
Sipas hetimeve, sulmi ndodhi teksa automjeti po lëvizte në aksin Tiranë-Durrës dhe autorët hapën zjarr nga një makinë tjetër në lëvizje, duke shkaktuar një skenë të rëndë kriminale. Nga të shtënat humbi jetën Andi Maloku, ndërsa Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur. Për të njëjtën ngjarje, procesi vijon ende për Amar Shkëmbin dhe Bledar Polovinën.
Për ta rëndojnë akuza të rënda penale, mes tyre “vrasje me paramendim”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, disa prej të akuzuarve të tjerë për atentatin janë dënuar më herët me vendim të formës së prerë. Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramazan Rraja me 9 vite burg, dënim që iu ul në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite burg, Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani me nga 4.8 vite, ndërsa Julian Pjetri me 4 vite e 4 muaj burg.
Në lidhje me atentatin ka dëshmuar edhe vetë Arjan Ndoja, tashmë deputet i Partisë Demokratike, i cili në Gjykatën e Posaçme është shprehur se motivet e sulmit ndaj tij janë të qarta, por zbardhjen e plotë të ngjarjes ia ka lënë organit të akuzës.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























