Nishani në faqe, prova që mund të “shpëtojë” Indrit Rusin

Debati në GJKKO u përqendrua te dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe provat fotografike që, sipas mbrojtjes, rrëzojnë pretendimin për identifikimin në atentatin e vitit 2005.

815
Indrit Rusi
Credits: shteg.org - Indrit Rusi

Në seancën e kësaj të hëne në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i pandehuri Indrit Rusi kundërshtoi një nga elementët kryesorë të dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili e ka lidhur atë me vrasjen e Klodian Saliut përmes një nishani në faqen e djathtë.

Sipas dëshmisë së Reçit, identifikimi i Rusit është bërë pikërisht në bazë të këtij detaji fizik. Megjithatë, në sallën e gjyqit, Rusi e ka mohuar këtë pretendim.

“Më 2005 nuk kam pasur nishan. Mbaj mend edhe si kam qenë i veshur”, deklaroi Rusi në sallën e gjyqit.

Mbrojtja e tij kundërshtoi gjithashtu provat fotografike të paraqitura në proces, të cilat datojnë në vitin 2005 dhe janë realizuar nga autoritetet në Durrës gjatë një çështjeje tjetër penale. Sipas avokatit mbrojtës, fotot bardhë e zi nuk lejojnë identifikimin e qartë të nishanit që përmendet në dëshminë e Reçit.

“Materialet fotografike përbëjnë të dhëna personale. Ne kërkojmë që provat të paraqiten në mënyrë të rregullt dhe të qartë, jo në fotokopje të nxira”, tha avokati i Rusit, duke kërkuar versione më cilësore të materialeve.

Nga ana tjetër, prokurori i çështjes argumentoi se fotografitë origjinale janë të vjetra dhe se administrimi i tyre mund të bëhet vetëm përmes ekspertëve kompetentë, duke kërkuar vijimin e gjykimit.

Gjykata vlerësoi se kërkesa ishte ezauruar me dokumentacionin e sjellë nga Drejtoria Vendore e Durrësit dhe më pas vendosi të kalojë palët në diskutimet përfundimtare, duke shtyrë seancën për t’i dhënë kohë prokurorisë për përgatitjen e pretencës.

Seanca e radhës është caktuar më 8 qershor, në orën 09:00, ku pritet të jepet pretenca nga organi i akuzës.

Në seancë ishin të pranishëm Indrit Rusi, Viktor Ymeraj dhe Emiljano Shullazi, ndërsa mungonin Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Reçi.

Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështja lidhet me atentatet e ndodhura më 26 dhe 27 shkurt 2005 në Durrës dhe Tiranë, ku humbën jetën Klodian Saliu, Vajdin Lamaj, Osman Truma dhe Artan Arsi.

Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Reçi, ekzekutimi i Klodian Saliut u organizua nga Lulzim Berisha, ndërsa ai i Lamajt u planifikua nga Emiljano Shullazi me përdorimin e tritolit C4. Ngjarja e parë ndodhi në aksin Durrës-Maminas, ku Saliu u qëllua për vdekje, ndërsa një ditë më pas një shpërthim me lëndë plasëse në banesën e Vajdin Lamajt i mori jetën këtij të fundit dhe shoferit të tij, Artan Arsi.

Për këto akuza, që përfshijnë “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, “grup të strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, të pandehurit rrezikojnë dënime deri në burgim të përjetshëm.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.