Mëngjesin e 21 janarit 2026, Zvërneci u zgjua në një qetësi të pazakontë. Policia kishte bllokuar rrugët. Automjete tip SUV lëviznin në kolonë nëpër rrugë ku fëmijët kishin luajtur për breza të tërë në të njëjtin bregdet.
Ivanka Trump kishte mbërritur. Ajo ndezi qirinj në Manastirin e lashtë të Shën Marisë në ishullin e Zvërnecit. Ajo darkoi dy herë me Kryeministrin Edi Rama, fotografoi lagunën dhe fshatrat buzë Adriatikut, aty ku duket se edhe zotat vallëzojnë me flamingot, duke e kthyer zonën në një nga vendet më të lakmuara të Shqipërisë.
Ajo që pasoi gjatë katër muajve të ardhshëm do të ekspozonte një nga operacionet më të hapura të grabitjes së tokës në Evropën postkomuniste: një skemë që ndërthurte krimin e organizuar shqiptar, kapitalin e një miliarderi nga Katari, fuqinë e markës së familjes Trump dhe çmontimin e qëllimshëm të ligjeve mjedisore, të gjitha të lehtësuara nga një kryeministër që kishte nevojë për një fitore gjeopolitike aq urgjente, sa të dorëzonte një ligatinë të mbrojtur mesdhetare për ta siguruar atë.
Projekti luksoz në tokë të kontestuar

Rrethimi i qindra hektarëve tokë me gardh me tela zgjoi fillimisht shqetësimet e banorëve të zonës dhe ambientalistëve, të cilët u mblodhën në zonën e Akërnisë, pranë pyllit dhe hidrovorit.
“Unë sot jam këtu me ju për t’ju thënë që nuk meritojmë asnjë gjë nga këto që na bëjnë”, tha Brunela Mërtiri, një banore e zonave përreth.
“Babai im ka ecur 90 vjeç, është rritur këtu, unë jam 40 vjeç e jam rritur këtu. E fëmijët e mi s’kanë pse ikin prapë në Greqi”, deklaronte një tjetër banor, i cili kundërshtonte rrethimin e zonës pa asnjë transparencë.
“Babai im është peshkatar, i ka duart e çara nga puna, nuk ia merr tokën e asnjë njeriu detin”, shton Mërtiri, e cila i frikësohej zaptimit të zonës në të cilën ajo kishte kaluar çdo pushim vere.
Prezentë ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët artikulonin shqetësime se e gjithë zona do të betonizohej.
“Pra, e kuptoni që për shkak të indiferencës tonë, babëzia e tyre është rritur dhe është rritur: 600, 5,000 hektarë, 8,000 hektarë. Nuk kanë për të lënë asnjë centimetër në Shqipëri pa e betonizuar”, shprehej aktivisti Ervin Goci.
Protesta, e cila u iniciua nga shqetësimet për mjedisin, në fakt po mbahej në një zonë ku prej të paktën dy dekadash zhvillohet një betejë për pronësinë e tokës.
Minella Balliu është një prej rreth 250 kryefamiljarëve në Zvërnec që prej më shumë se 20 vitesh enden dyerve të gjykatave në kërkim të pronës së tyre, të cilën ata pretendojnë se iu është rrëmbyer nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe vendimeve të gjykatave.
“Kam 30 vjet që po merrem me këtë pronë, duke pasur edhe dokumente tepër të sakta. Që nga blerja, që nga transkriptimi në kohën e Zogut, që nga sekuestrimi i pronës në ’46-ën nga shteti komunist. Dokumente nga arkivi i shtetit që vërtetojnë që prona është e imja. Tani jam prapë, duan t’ia japin të tjerëve që janë me dokumente të falsifikuara”, tha ai.
Zonat kadastrale “3951” dhe “1007” pranë Zvërnecit dhe Pishë-Poros kanë qenë objekt betejash gjyqësore për më shumë se dy dekada. Banorët pretendonin se i kishin trashëguar këto prona dhe i kishin rifituar ato në bazë të ligjit shqiptar “7501” për ndarjen e tokës pas komunizmit.
Mes viteve 2006 dhe 2009, një seri vendimesh administrative rrëzuan këto pretendime dhe regjistruan pjesë të konsiderueshme të tokës në emër të Artur Shehut.
Ndihmësi i tij në terren ishte Pëllumb Petritaj, i cili është dënuar për falsifikim dokumentesh, është vendosur në arrest shtëpie dhe deri në mesin e vitit 2025 vazhdonte të ishte nën masa sigurie në pritje të apelimeve, ndërsa pronat e regjistruara me ndihmën e tij mbeteshin ligjërisht në emër të familjes Shehu.
“Është një person aty, Pëllumb Petriti, i cili ka bërë dokumente fallco në këtë mes, edhe çfarë bën? Ai e jep pronën, domethënë ‘sa t’i japësh një kafe’, siç thonë, vetëm merre, thotë, sepse dihet që s’është prona e tij”, tha Balliu për “shteg.org”.
Dy javë më pas, ato që nisën si protesta në lagunën e Nartës u zhvendosën në kryeqytet, ku mijëra qytetarë me parulla në duar marshuan në rrugë, ndërsa ata nuk kërkonin më vetëm transparencë për projektin.
“Anullo projektin!”, “Poshtë oligarkisë, liri Shqipërisë!”, “Pa Edi Ramën!”, “Dorëhiqu!”, brohorisnin qytetarët, të cilët kërkonin largimin e qeverisë Rama.
“Këto plagë që kam në kokë janë plagët e gjithë Shqipërisë! Janë plagët e çdo shqiptari që ndihet i përdhunuar, i përcudnuar nga kjo qeveri tradhtare!”, brohoriste një prej protestuesve.
Bileta për në “Ligën e Kampioneve”

E shtrirë në brigjet e Vlorës, mes shkurreve mesdhetare, dunave ranore dhe Manastirit të Zvërnecit, kjo zonë përbën një nga hapësirat e fundit të virgjëra bregdetare në Shqipëri dhe gëzon statusin e peizazhit të mbrojtur.
Në këtë ekosistem unik bën pjesë edhe Laguna e Nartës, e cila shërben si habitat për mijëra specie të florës dhe faunës, mes tyre flamingot, breshkat detare dhe pelikani kaçurrel.
Por dokumentet e siguruara nga “Shteg” tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e kësaj toke rezulton e regjistruar në pronësi të shoqërisë “Albania Land Development”, në pronësi të dy vëllezërve nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat.
Përmes kësaj kompanie, ata kanë blerë qindra hektarë tokë në sipërfaqet ku është planifikuar resorti luksoz, që sipas kryeministrit Edi Rama është bileta e Shqipërisë për në “Ligën e Kampionëve” të turizmit global.
Resorti parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe që përfshin jo vetëm ishullin e pabanuar të Sazanit, por edhe laguna dhe habitate bregdetare brenda Parkut Kombëtar Detar që e rrethon atë.
Kryeministri, për të vërtetuar seriozitetin e projektit dhe në tentativë për të sqaruar opinionin publik, theksin e një fjalimi të gjatë e vendosi në prezantimin e investitorëve, duke i shfaqur si liderë globalë në sektorin e turizmit, që do ta kthenin Zvërnecin në destinacionin e turizmit elitar.
“Dy bashkëpronarët e kompanisë ‘Power Holding’ nga Katari, një nga fuqitë më të mëdha të Lindjes së Mesme, një ‘holding’ që zotëron kompani të ndryshme dhe që portofolin e turizmit e ka ndër më të shkëlqyerit në botë. Futuni, kërkoni ‘Powerholding.com’. Shkoni te kompania ‘Assets’, që është edhe pjesë prapë këtu, e regjistruar, dhe do të shikoni se kush po vjen në Shqipëri ‘të shkatërrojë mjedisin, të vrasë pelikanët dhe të sjellë palestinezët’”, tha Rama.
Në përpjekje për të qetësuar protestat që nga Zvërneci ishin zhvendosur në Tiranë, Rama këmbëngulte se nuk ka asnjë projekt arkitektonik të miratuar. Leja e infrastrukturës, e dhënë në prill 2026, ishte thjesht për “rrugë kalimi të përkohshme”, që studiot mjedisore të vendosin pajisje për të studiuar biodiversitetin.
Resorti parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe që përfshin jo vetëm ishullin e pabanuar të Sazanit, ishullin e vetëm të Shqipërisë, por edhe laguna dhe habitate bregdetare brenda Parkut Kombëtar Detar që e rrethon atë.
Shqetësimi publik u shndërrua në zemërim kur punëtorët nisën ngritjen e një rrethimi me bazament betoni dhe tela me gjemba pranë Zvërnecit, u vendos një kompani private sigurie dhe makineritë e rënda filluan të shkatërronin dunat e vjetra ranore dhe pyjet me pisha mesdhetare për të hapur rrugë hyrëse. Gjatë përplasjeve, një protestues u mor me forcë nga rojet e sigurisë dhe u tërhoq zvarrë.
Ndërkohë, çdo mbrëmje mijëra qytetarë dalin në rrugët e Tiranës me pankarta në duar, duke kërkuar largimin e qeverisë. Disa prej tyre mbanin edhe figura të fryra të flamingove si simbol i dëmit të mundshëm mjedisor që, sipas tyre, rrezikon të shkaktojë projekti.
Kompanitë “guaskë”

Që nga nisja e protestës së parë, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin si një pikë kthese në transformimin e Shqipërisë nga një shtet me trashëgimi staliniste drejt një destinacioni turistik elitar. Ai propozoi të martën një takim me protestuesit në një përpjekje për të ulur tensionet. Megjithatë, ai ruajti të njëjtin qëndrim të prerë, se projekti nuk do të anulohet deri në ditën që ai do të jetë kryeministër.
“S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu”, deklaroi kryeministri në një konferencë për shtyp në prani të Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa.
Investimi është lidhur publikisht me kompaninë “Affinity Partners” të Kushnerit dhe investitorët nga Katari. Leja e zhvillimit është miratuar për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.
Por investigimi i Shteg tregon se kompania zhvilluese është vetëm maja e një strukture shumë më të gjerë, e ndërtuar përmes kompanish “guaskë” në Holandë dhe juridiksione offshore.
Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania, shpjegon se si kompanitë “guaskë” krijojnë boshllëqe serioze transparence lidhur me identifikimin e pronarëve fundorë.
“Në Republikën e Shqipërisë ne kemi një regjistër të biznesit, i cili gjykohet se ka pronësi direkte transparente. Por kur pronari i parë i kompanisë është i regjistruar në një vend ku regjistri nuk është transparent, por është i mbyllur, mund të jetë ‘shell’ apo mund të jetë edhe vend offshore, atëherë jemi në pikëpyetjen se cila është kompania, kush janë pronarët apo cilat janë interesat e tyre”, shpjegon ajo.
Investigimi nxori në pah se pas “Zvërnec South Adriatic Development” gjendej një tjetër kompani, në një strukturë që ekspertët e quajnë “matrioshkë”, ku pronësia kalon nga një kompani te tjetra, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë identifikimin e interesave reale që qëndrojnë pas investimit. Pronarët përfitues të deklaruar janë një shtetas rus, Nikita Vinogradov, dhe një shtetase bullgare, Zoya Gyurova.
Por ata nuk shfaqen si investitorë të njohur në sektorin turistik apo të pasurive të paluajtshme. Dokumentet e korporatave të siguruara nga Shteg tregojnë se të dy janë administratorë profesionistë të kompanive të tipit trust dhe fiduciar, struktura që përdoren gjerësisht për administrimin e interesave të palëve të treta.
“Kur kemi të bëjmë kryesisht me kompanitë fiduciare ose kompanitë që janë kompani besimi, ‘trustet’ që i quajmë zakonisht, atëherë në këtë rast neve na vjen emri i një titullari që e përfaqëson kompaninë dhe jo domosdoshmërisht emri i atij që është pronari real”, thotë Brahaj.
Sipas legjislacionit shqiptar, kompanitë janë të detyruara të deklarojnë pronarët përfitues vetëm kur ata zotërojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi të paktën 25% të aksioneve.
Kjo nënkupton se në rastet kur pronësia ndahet në disa struktura apo individë me përqindje më të ulëta, identifikimi i përfituesve realë bëhet më i vështirë.
Brahaj shpjegon se qeveria shqiptare duhet të kërkojë transparencë totale, sidomos për projektet me rëndësi strategjike.
“Qeveria shqiptare duhet të ketë më shumë informacion se ai kufiri 25%. Duhet 100% zbardhje të pronësisë, sepse këtu qëndron rreziku që ne nuk e dimë nëse jemi në konflikt të hapur interesi. Pas këtyre kompanive mund të qëndrojnë edhe njerëz që janë vendimmarrës në pushtet, pra vetë japin licenca dhe vetë janë përfitues”, thekson Aranita Brahaj.
Më 2 qershor 2026, SPAK urdhëroi sekuestrimin e 200 milionë dollarëve në llogaritë e “Albania Land Development”, kompania zotëruese e tokës ku do të ndërtohet projekti.
Brenda 24 orëve, ky bllokim u zhbë, pasi, sipas raportimeve, prokurorët e hoqën masën duke iu referuar arsyeve procedurale. Por “shteg.org” ka zbuluar se, përpara se këto prona të përfundonin në zotërim të dy vëllezërve nga Katari, sipërfaqe dërrmuese të territorit kontrolloheshin nga një mozaik përfituesish vendas, një aleancë e pazakontë mes bankave me histori të përgjakshme, biznesmenëve të lidhur me pushtetin, kompanive nën hetim për pastrim parash dhe emrave të skeduar për lidhje me mafian italiane.
Vasil Naçi, Samir Mane apo Gazmend Demi janë disa prej tyre, të cilët në periudha të ndryshme kanë kontrolluar sipërfaqe të konsiderueshme brenda këtij territori.
Gjithashtu, pjesë e këtij mozaiku pronësie ka qenë edhe kompania “Adhenis”, e lidhur me biznesmenin Artur Shehu, pronat e të cilit në bregdetin e Vlorës kanë qenë objekt hetimesh ndër vite, apo edhe individë të tjerë që janë përballur me hetime për transaksione të dyshimta.
Pishë-Poro-Narta, testi i Shqipërisë për BE

Përtej kompanive guaskë të dokumentuara nga investigimet dhe mungesës së transparencës mbi pronësinë, projektin apo edhe investitorët realë të tij, ambientalistët janë rreshtuar njëzëri kundër projektit në zonën Pishë-Poro-Nartë.
Drejtori i EcoAlbania, Olsi Nika, tregon se delta e Vjosës përbën një nga zonat më të ndjeshme ekologjike në vend.
“Po të të listoj vlerat, zona mbrohet nga Konventa e Bernës, është zonë Emerald, mbrohet nga të gjitha direktivat e BE-së, është zonë e rëndësishme për shpendët, është zonë kyçe për biodiversitetin dhe të gjitha këto janë të njohura ndërkombëtarisht.
Ndërhyrjet në Pishë-Poro-Nartë janë konsideruar si testi praktik për detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Në një përgjigje zyrtare për “Shteg”, Komisioni Europian ka shprehur shqetësime lidhur me projektet që prekin këtë territor, duke rikujtuar se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin e saj me direktivat europiane për mbrojtjen e habitateve dhe specieve të rrezikuara, në bazë të një prej kapitujve më të rëndësishëm, atij të mjedisit.
Për shumë kritikë, gjithçka nisi në vitin 2024, kur Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Amendimet e reja hoqën një sërë kufizimesh që më parë ndalonin zhvillime të caktuara në territore me status të veçantë mjedisor, duke hapur mundësinë për projekte turistike dhe infrastrukturore edhe brenda zonave të mbrojtura.
Ndryshimet krijuan bazën ligjore që investimet e shpallura strategjike të mund të zhvillohen në zona ku më parë ndërtimi ishte i kufizuar ose i ndaluar. Për ta, ky ishte momenti që shënoi një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si trajtohen dhe menaxhohen territoret e mbrojtura në Shqipëri.
Zona e Pishë-Poro-Nartës klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor” (Kategoria V), një status që, sipas kundërshtarëve, qeveria e ka interpretuar si të pajtueshëm me zhvillimin e projektit.
“Kategoritë 5 dhe, në rastin konkret, 6 janë të ndërtuara mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Për këtë arsye, kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim”, deklaroi kryeministri.
Por hidrobiologu Olsi Nika, i cili argumenton se vlerat e këtij territori nuk mund të reduktohen vetëm në kategorinë administrative që mban në hartë.
“Kategoria 5 e lejon ndërtimin vetëm me ndryshimin e ligjit të vitit 2024, dhe në këto zona lejohen veprimtari jo intensive si peshkimi, bujqësia ekstensive dhe aktivitetet rekreative, por asgjë tjetër nuk lejohet. Lejimi i ndërtimit të resorteve me 5 yje do ta shndërronte peizazhin në një zonë urbane që do të vendoset mbi habitatet natyrore të shpendëve. Pra, aty ku flamingot kanë sot foletë, nesër do të jetë pishina e një vile.”
“Revolucioni i flamigove”
As argumentet e aktivistëve, hetimi i SPAK-ut, paralajmërimet e Komisionit Europian dhe protestat e vazhdueshme të qytetarëve nuk kanë bindur Kryeministrin Edi Rama të rishikojë projektin, për të cilin ai vetë thotë se ende nuk ka nisur zyrtarisht.
Në deklaratat e tij publike, Rama ka lëvizur mes thirrjeve për dialog dhe përshkrimeve të protestuesve si “të kurdisur” apo “të çartur”, duke mbetur i palëkundur në mbështetjen e projektit.
Së fundmi, ai ka lënë të kuptohet se pas protestave mund të qëndrojnë ndikime të huaja, ndërsa në një intervistë për CNN ka deklaruar se vendi ndodhet në një “luftë hibride”.
“Dhe vetëm për të të korrigjuar, ju thatë protestë në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme, nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë, ka një protestë në kryeqytet. Ne jemi në një luftë hibride, Shqipëria është nën sulm nga armiq që ne i njohim shumë mirë, jemi nën sulm nga konkurrenca dhe është shumë, shumë e fortë në anën tonë në Mesdhe”, deklaroi Rama për CNN.
Sipas mbështetësve të projektit, përpjekjet e Kryeministrit Edi Rama për të tërhequr investitorë të nivelit të lartë janë të domosdoshme për të shmangur pasojat e turizmit masiv.
Ndërsa kundërshtarët thonë se debati rreth resortit ka rritur pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Por kur kamerat fiken dhe zërat treten në një ritëm tjetër të ditës, në kujtesë nuk mbetet më as retorika politike, as shifrat e miliona eurove të projekteve, por një imazh i vetëm që duket se ka rikthyer shpresën.
Ajo që nisi si gjest ironik u ngjit shpejt në një gjuhë kolektive. Flamingoja, simbol i një peizazhi ku qielli dhe uji nuk kanë kufij, u shkëput nga habitati i saj dhe u kthye në metaforë të një vendi që nisi të protestojë për veten, për tokën, për ujin, për kufirin mes zhvillimit dhe humbjes.
Mosbesimi ndaj mënyrës se si merret vendimi për të ardhmen bashkoi mijëra shqiptarë në “revolucionin e flamingove”.
Nga brigjet e ulëta të lagunave të kripura, ku toka dhe uji humbasin kufijtë e tyre, flamingot u shndërruan në një vijë ndarëse mes dy vizioneve për Shqipërinë.
Një vend që kërkon të zhvillohet me shpejtësi dhe një shoqëri që kërkon të mos humbasë përgjithmonë një botë ku drita, kripa dhe balta shkrihen në një ritëm të ngadaltë dhe të përjetshëm.
Dhe pikërisht nga ky peizazh ku flamingot jetojnë në paqe, njerëzit i kanë marrë zë.
Dhe në këtë ndërthurje mes natyrës dhe protestës, historia mbetet e hapur, si laguna vetë, në kufi mes qëndrueshmërisë dhe zhdukjes.
Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).






























