Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pretencën për një nga fraksionet e dosjes së njohur si “Revanshi”, duke kërkuar dënime të rënda për disa prej personave të akuzuar për pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, kultivim të lëndëve narkotike dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.
Dënimi më i lartë i kërkuar nga SPAK është ai ndaj Durim Bamit. Prokuroria ka kërkuar 21 vite burg për të, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar reduktohet në 14 vite heqje lirie.
Pas tij, SPAK ka kërkuar 20 vite burg për Oltion Zefin, të cilat me gjykim të shkurtuar zbresin në 13 vite e 4 muaj. Për Edson Jozwik është kërkuar dënimi me 15 vite burg, ose 10 vite pas uljes së një të tretës së dënimit. Ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, rrezikon 13 vite e 6 muaj burg, që reduktohen në 9 vite, ndërsa për Aldo Avdylin dhe Jozi Krajën janë kërkuar nga 10 vite burg secili, ose nga 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar. Për ish-drejtuesin e Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, prokuroria ka kërkuar 9 vite burg, dënim që zbret në 6 vite.
Pretenca vjen pas përfundimit të hetimeve për një nga dosjet më të mëdha të SPAK kundër krimit të organizuar. Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria njoftoi mbylljen e hetimeve, duke deklaruar se kishte dokumentuar 12 ngjarje kriminale të ndodhura, të planifikuara ose të mbetura në tentativë gjatë vitit 2020. Sipas dosjes, aktiviteti kriminal zhvillohej nga shtatë grupe që operonin në disa qytete të vendit, mes tyre Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli.
Më 1 mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kaloi për gjykim çështjen.
Në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”, SPAK lëshoi 50 urdhër-arreste, ndërsa aksioni policor u zhvillua në mbarë vendin. Deri më tani është ekzekutuar pothuajse gjysma e masave të sigurisë, ndërsa një pjesë e të dyshuarve vijojnë të jenë në kërkim.
Një pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me përfshirjen e personave me lidhje me strukturat e policisë. Sipas akuzës, ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, dyshohet se ka ndihmuar grupin e Durim Bamit në kultivimin e kanabisit, duke siguruar informacione për operacionet policore dhe duke lehtësuar shmangien e kontrolleve në parcelat e drogës. Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, Henerigert Mitri, ish-drejtues në Policinë e Lezhës, akuzohet se ka përdorur pozicionin e tij zyrtar për të favorizuar kultivimin e lëndëve narkotike dhe për të informuar grupet kriminale mbi aksionet e policisë. Hetimet pretendojnë se ai përdorte edhe aplikacionin e enkriptuar SkyECC për komunikime të fshehta, ndërsa akuzohet për shpërdorim detyre dhe tolerim të aktiviteteve të paligjshme.
Sipas dosjes hetimore, një pjesë e akuzave lidhen me ngjarje të vitit 2021, kur dyshohet se janë ndërmarrë hapa për eliminimin e disa personave, mes tyre ish-deputeti Arben Ndoka, si edhe shtetasit Tori Xheçuku dhe Erigers Mihasi. Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer në bashkëpunim me individë të njohur të botës së krimit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një aktivitet të organizuar në kultivimin e kanabisit në zonat e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019-2020, ku sipas SPAK rolet brenda grupit ishin të ndara mes organizimit, financimit dhe sigurimit të informacionit për shmangien e ndërhyrjeve policore.
Një nga episodet më të rëndësishme të dosjes lidhet me përplasjen mes grupeve rivale kriminale. Sipas prokurorisë, një strukturë me rreth 16 persona ishte mobilizuar për eliminimin e Durim Bamit dhe vëllait të tij, Valter Bamit. Ky i fundit u arrestua në Dubai në tetor të vitit 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri vetëm pak ditë më parë.
SPAK pretendon se grupi vepronte për llogari të ish-deputetit Arben Ndoka, ndërsa financimi dhe mbështetja logjistike siguroheshin nga Ervis Martinaj. Motivi i dyshuar lidhej me vrasjen e Aleksandër Ndokës në vitin 2017, për të cilën ekzistonin dyshime se mund të ishte përfshirë edhe Durim Bami.
Sipas hetimeve, Bami ishte gjurmuar për një kohë të gjatë, nga Nikla deri në Sarandë, ndërsa ishte planifikuar edhe të tërhiqej në një takim në Shkodër që do të përfundonte me eliminimin e tij. Prokuroria ka detajuar ndarjen e roleve brenda grupit, duke identifikuar organizatorë, financues, koordinatorë dhe persona të angazhuar në terren për lokalizimin e objektivit dhe krijimin e kushteve për atentat.
Dosja përshkruan përdorimin e metodave të ndryshme për realizimin e planit, përfshirë vëzhgimin e vazhdueshëm, sigurimin e armëve dhe automjeteve, si dhe tentativa për infiltrimin e një personi pranë objektivit në rolin e informatores. Megjithatë, sipas SPAK, të gjitha përpjekjet për eliminimin e Durim Bamit rezultuan të dështuara.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Posaçme njoftoi se në maj 2024 janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro. Mes tyre përfshihen automjete luksoze të blinduara, armë zjarri, bizhuteri dhe ora të shtrenjta, sasi floriri, para cash në euro, sisteme vrojtimi me kamera, tavolinë pokeri dhe sende të tjera me vlerë, të cilat dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i personave nën hetim.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























