Mijëra protestues marshuan drejt Kryeministrisë në ditën e pestë të protestave kundër projekteve të ndërtimit në zonën e Zvërnecit. Ata mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u drejtuar në mënyrë të organizuar drejt godinës së qeverisë, ku kërkuan anulimin e çdo projekti që prek zonën dhe dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Gjatë marshimit, protestuesit brohorisnin njëzëri thirrje si “Ju erdhi fundi”, të drejtuara si ndaj Ramës, ashtu edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa nuk munguan edhe slogane të ashpra si “Edi Rama o hajdut” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Pjesëmarrja në protestën e sotme ishte më e lartë krahasuar me ditët e mëparshme, duke shënuar një mobilizim në rritje të qytetarëve dhe aktivistëve.
Protestuesit deklaruan se do të vijojnë tubimet çdo ditë, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për ndalimin e projektit dhe largimin e qeverisë. Ata paralajmëruan se protesta nuk do të ndalet dhe se do të rikthehen sërish edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, teksa protesta vijonte përpara Kryeministrisë, Edi Rama reagoi nga Mali i Zi përmes një postimi në rrjetet sociale. Në një video të publikuar nga Porto Montenegro, të cilin e prezantoi si një histori suksesi zhvillimi, Rama la të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projektet e planifikuara, pavarësisht kundërshtimeve publike.
Në reagimin e tij, ai e krahasoi zhvillimin e Porto Montenegros me mundësitë që, sipas tij, Shqipëria ka humbur në të kaluarën për shkak të vendimmarrjeve të gabuara.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.































