Protestat përshkallëzohen, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit

Qytetarët në Tiranë kanë vijuar protestat për disa ditë radhazi, duke e zhvendosur fokusin e kërkesave drejt dorëheqjes së kryeministrit, ndërsa në bulevard janë regjistruar edhe momente tensionesh mes protestuesve dhe policisë.

268
Në ditën e katërt të protestës, qytetarët u përballën me kordonin policor
Credits: LSA - Në ditën e katërt të protestës, qytetarët u përballën me kordonin policor

Mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Tiranës në ditën e katërt të protestës kundër projektit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, por situata është përshkallëzuar ndjeshëm, me tensione që në nisje të tubimit dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

Qytetarët u përballën me kordonin policor të vendosur në zonën e Urës së Lanës, ku një pjesë e protestuesve arritën të çajnë gardhin metalik dhe të avancojnë drejt qendrës së kryeqytetit. Në përgjigje të situatës, policia përdori ujëhedhëse për të frenuar lëvizjen e turmës.

Sipas autoriteteve, kalimi drejt Kryeministrisë u kufizua për shkak të masave të sigurisë dhe organizimit të qarkullimit në zonë, ndërsa në stadiumin “Air Albania” po zhvillohej ndeshja Shqipëri–Izrael.

Megjithatë, një pjesë e madhe e protestuesve arritën të zhvendosen dhe të qëndrojnë përpara Kryeministrisë, ku vijuan tubimin me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa politike.

Në podiumin e improvizuar, protestuesit akuzuan qeverinë për mungesë transparence në projektet zhvillimore dhe për rrezik ndaj pasurive natyrore, duke përmendur edhe “Paketën e Maleve” si një nga shqetësimet kryesore.

Një prej pjesëmarrësve deklaroi se “Shqipëria po shitet” dhe se institucionet nuk po garantojnë mbrojtjen e interesit publik, ndërsa ngriti akuza për keqmenaxhim të pronës dhe investimeve strategjike.

Ndërkohë, gjatë protestës u dëgjuan edhe thirrje të forta politike, përfshirë kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, si dhe slogane kundër figurave të ndryshme të politikës shqiptare.

Një banore nga Rrjolli i bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin provokimet, duke theksuar se protesta duhet të mbetet paqësore dhe e bashkuar deri në përmbushjen e kërkesave.

“Këtu do rrimë sërish deri sa ai të japë dorëheqjen… dialogu është sheshi”, u shpreh ajo.

Në kulmin e protestës së ditës së katërt, Kryeministri Edi Rama reagoi sërisht në rrjetet sociale duke publikuar dy foto nga projekte të realizuara nga investitorë nga Katari, të cilët sipas tij janë pjesë e zhvillimeve të ngjashme që pritet të zbatohen edhe në Shqipëri.

Në postimin e tij, Rama mbrojti idenë e investimeve të mëdha ndërkombëtare, duke i cilësuar si projekte të certifikuara dhe në harmoni me natyrën dhe zhvillimin. Ai theksoi se kundërshtimet ndaj tyre shpesh vijnë nga keqkuptime ose interpretime politike, duke i krahasuar me projekte të mëparshme që fillimisht janë kundërshtuar, por më pas janë pranuar si të suksesshme.

Protestat për Zvërnecin vijojnë prej katër ditësh, ndërsa situata në qendër të Tiranës mbetet e tensionuar dhe me prani të shtuar të forcave të rendit.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.