Reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, ka dëshmuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut dhe personave të tjerë të dyshuar për vendosjen e tritolit në biznesin e tij në Durrës në vitin 2022.
Gjatë dëshmisë së tij, artisti rrëfeu momentet pas shpërthimit, duke theksuar se natën kur ndodhi ngjarja ndodhej në të njëjtin pallat ku ishte vendosur lënda plasëse.
“Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi. Kam qenë në gjumë, dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi. Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv”, deklaroi Noizy para trupit gjykues.
Ai tregoi se kur zbriti në vendngjarje konstatoi dëme të konsiderueshme materiale në bizneset dhe pronat e tij.
“Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Hyrja ishte komplet e shkatërruar. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit”, tha reperi.
Sipas Noizyt, dyshimet e para për autorësinë e ngjarjes lidhen me një konflikt që kishte pasur vetëm një ditë më parë me Kleviol Ahmetin, person për të cilin tha se prej vitesh e kishte shqetësuar me fyerje dhe kërcënime në rrjetet sociale.
“Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar. Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri tek shtëpia”, u shpreh ai.
Në dëshminë e tij, Noizy rrëfeu se Ahmeti kishte shkuar në lokalin e tij një ditë para shpërthimit i shoqëruar nga një grup personash, çka sipas tij çoi në një konflikt fizik.
“Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar. Vjen me 20 vetë. Fjala e parë që thotë është ‘Ku është ai legeni’. Dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli”, deklaroi ai.
Artisti pretendoi gjithashtu se pas kësaj ngjarjeje iu dogj edhe një automjet, duke akuzuar Ahmetin si personin që qëndronte pas këtij episodi.
“Pas kësaj ngjarje, ai më dogji edhe një automjet. Iku në Dubai, pagoi disa çuna nga Vlora dhe më dogjën makinën. Nga ana ime nuk ka situatë konfliktuale, nga ana e tij po”, tha Noizy.
Lidhur me Laert Haxhiun, reperi deklaroi se nuk kishte pasur asnjë njohje apo informacion për të deri në momentin kur çështja e tritolit u bë publike.
“Për Laert Haxhiun nuk kam dëgjuar ndonjëherë. E dëgjova emrin e tij më vonë, kur u bë publik rasti im”, dëshmoi ai.
Sipas dosjes hetimore, pas vendosjes së tritolit në lokalin e Noizyt qëndronte grupi i Laert Haxhiut. Autoritetet kanë identifikuar si të dyshuar Laert Haxhiun, Artan (Marjus) Tafanin, Lulzim Spahijan (Arapi) dhe Erisiano Abedinin. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 qershorit 2022 në Durrës dhe, fatmirësisht, shkaktoi vetëm dëme materiale.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.

























