Dëshmia që lidh konfliktet e reperëve Noizy dhe Cllevio me grupet kriminale

Bashkëpunëtori i drejtësisë përshkruan në dëshmi dinamikën e ngjarjeve të dyshuara kriminale, nga vendosja e lëndës shpërthyese deri te rastet e gjobëvënieve me shuma të mëdha parash.

332
Bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani
Credits: shteg.org - Bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani

Në seancën gjyqësore ndaj grupit të dyshuar kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani ka vijuar dëshminë e tij, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që, sipas tij, lidhen me aktivitetin e grupit, përfshirë edhe vendosjen e një lënde shpërthyese në një biznes në një biznes të reperit Noizy.

Sipas dëshmisë së tij në gjykatë, ngjarja është planifikuar pas një konflikti që ka nisur pas përplasjeve në rrjetin social TikTok, ku janë shkëmbyer ofendime mes Kleviol Ahmetajt dhe Noizy.

Në dëshminë e tij, Tafani ka rrëfyer përgatitjet e ngjarjes, përdorimin e tritolit, si dhe mënyrën e vendosjes së tij pranë një objekti biznesi, duke përshkruar edhe lëvizjet e grupit natën e ngjarjes dhe largimin pas shpërthimit.

“Kleviol Ahmetaj me Noizyn janë zënë, janë ofenduar nëpër TikTok. Pastaj ka shkuar në Durrës Klevioli. Laerti i ndiqte në TikTok, e kishte shok Kleviolin. Po diskutonim dhe po thoshte Laerti t’i bënin diçka Noizyt se ka rrahur Kleviolin, t’i vendosnim tritol.

Atë natë mori e ëma Laertin, dhe po e pyeste që pse e goditën Kleviolin. E vunë në sedër, nga e ëma.

“Kaloi pak dhe tha, çohuni, vendosini tritol. E bëmë gati. Kishim tritol te shtëpia. E merrnim në Tepelenë. U çuam e bëmë gati, disa 100 gramshe. E izoluam me ngjitës, e bëra unë” deklaroi dëshmitari i drejtësisë.

Tafani ka dëshmuar se vendosja e tritolit është kryer në një kohë shumë të shkurtër dhe se më pas autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

“Jemi nisur nga ora 3 e mëngjesit, shkuam rreth orës 4, e dinte Lulzimi ku ishte lokali. Më orientoj Lulzimi, parkova në një rrugë te lokali i Noizyt, Laerti na tha ta hedhim në lokal.

Meqë s’gjeti dot hyrjen te lokali, e vendosi te dera e dyqanit poshtë, meqë lokali ishte në kat të dytë. Ndeza fitilin edhe ika” – tregoi Tafani mbi mënyrën se si iu vendos tritoli në lokalin e zotëruar nga Noizy.

Në dëshminë e tij, Tafani ka vijuar më tej duke u ndalur edhe te një rast tjetër që lidhet me gjobvënie ndaj një biznesmeni në Lushnje, duke sqaruar se ngjarja, sipas tij, ka ndodhur nën presion dhe organizim të grupit.

Sipas tij, fillimisht biznesmeni ishte futur në një konflikt me persona të tjerë, ndërsa më pas grupi ka ndërhyrë duke shfrytëzuar situatën për ta detyruar të paguante një shumë të madhe parash.

“Ne i kishim vënë gjobë një biznesmeni në Lushnje, një djali me emrin Enea, mbiemrin s’ja mbaj mend. Unë rrija aty, i kemi kërkuar 1 milonë euro. Ky biznesmeni kishte probleme me ca gango, land shyti, i thonë ‘mustaqe kuqi’. Ata ishin vrarë e prerë, Laerti kërkonte biznesmenin ta kapte, si përfundim ai erdhi vetë kërkoi ndihmë, pasi kishte probleme me ‘mustaqe kuqin’. Atij biznesmeni në total i kemi marrë 360 mijë euro. Ai është Enea, por mbiemrin s’ja kujtoj”, ka rrëfyer ai.

Tafani thekson se gjithçka është zhvilluar në kushte frike dhe presioni.

“Ai (Laerti) njeri ishte i frikshëm, jetonim në terror se na shante, na rrihte, edhe mund të na vriste. Sa zgjohej, jetonim me frikë, me mua sillej pak më mirë se isha më i madh si moshë, por jetonim nën terror prej tij. Por unë kisha vrarë tre vetë. Dhe ma kishte pak më shumë hatrin.”

Në dëshminë e tij janë përmendur gjithashtu emra personash të tjerë të lidhur me hetimet, si dhe episode të tjera që lidhen me ngjarje kriminale të pretenduara, për të cilat ai ka dhënë versionin e tij para trupit gjykues.

Seanca vijon në kuadër të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve, ndërsa dëshmia e Tafanit pritet të jetë pjesë e provave që do të vlerësohen nga gjykata në vijim.

Laert Haxhiu përballet me akuza për 14 episode kriminale, që përfshijnë vrasje, shpërthime me eksploziv, vjedhje me armë dhe sigurim kushtesh për vrasje. Sipas dosjes së prokurorisë, aktiviteti i dyshuar kriminal shtrihet në periudhën prill 2021 – maj 2023 dhe përfshin një sërë ngjarjesh të rënda në disa qytete të vendit.

Ndër episodet kryesore përmenden vrasjet në Tepelenë, Korçë dhe Peqin, disa shpërthime me eksploziv në Lushnjë, si dhe grabitje të armatosura dhe tentativa vrasjeje, të cilat sipas akuzës janë pjesë e një zinxhiri të organizuar veprimesh kriminale.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.