Lefter Koka do të vuajë sërish burgun për incineratorin e Tiranës

Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzon vendimin e shkallës së parë dhe rikthen në fuqi masën “arrest në burg” për Lefter Kokën në dosjen e incineratorit të Tiranës, duke e detyruar atë të vuajë edhe 6 muaj burgim.

297
Edi Rama dhe Lefter Koka
Credits: Facebook - Edi Rama dhe Lefter Koka

Pas më shumë se dy orësh pritje në ambientet e Gjykatës së Posaçme, trupi gjykues i Apelit të GJKKO-së i përbërë nga gjyqtaret Iliriana Olldashi, Nertina Kosova dhe Daniela Shirka hyri në sallë rreth orës 15:20 për të shpallur vendimin mbi dosjen e incineratorit të Tiranës.

Lefter Koka do të rikthehet në burg, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë që kishte shuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Apeli la në fuqi pjesën më të madhe të vendimit të mëparshëm, por ndryshoi pikën që kishte interpretuar si të konsumuar masën e sigurisë nga qëndrimi i mëparshëm në paraburgim.

Me këtë vendim, gjykata rrëzoi argumentin e shkallës së parë dhe vendosi që masa “arrest në burg” të rikthehet në fuqi, duke e detyruar Kokën të vuajë edhe rreth 6 muaj të mbetur në qeli për dosjen e incineratorit të Tiranës.

Në shkallë të parë, Koka ishte dënuar me 3 vite burgim për “shpërdorim detyre”, dënim që ishte reduktuar në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe pse gjykata kishte urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë, ai nuk kishte dalë nga qelia për shkak të proceseve dhe dënimeve të tjera që lidhen me incineratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Apeli ndyshoi dhe masat për Jetmir Llapaj, i cili në shkallë të parë ishte shpallur i pafajshëm me argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale”. Apeli e rrëzoi këtë vendim dhe e deklaroi fajtor për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, duke e dënuar me 1 vit burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj burg, ndërsa iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Për pjesën tjetër të të pandehurve, Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Erjon Murataj, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Taulant Tusha dhe Valbona Ballgjini mbetën me dënimet prej 2 vitesh burgim të reduktuara nga gjykimi i shkurtuar, ndërsa Sidita Kopliku me 80 orë punë në interes publik.

Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 dhe ka qëndruar në paraburgim për rreth tre vite, periudhë që sipas interpretimit të gjykatës së shkallës së parë përbënte kufirin maksimal të lejuar nga ligji për masën e sigurisë “arrest në burg”. Për këtë arsye, dënimi 2-vjeçar për dosjen e incineratorit të Tiranës konsiderohej i konsumuar përmes kohës së kaluar në paraburgim.

Për incineratorin e Fierit, Koka u dënua fillimisht me 10 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 6 vite e 8 muaj. Më pas çështja u kthye për rigjykim dhe masa e paraburgimit humbi fuqinë për shkak të tejkalimit të afatit maksimal ligjor.

Edhe për incineratorin e Elbasanit, ish-ministri u dënua me 6 vite e 8 muaj burg pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por në korrik të vitit 2025 iu njoh e drejta e lirimit me kusht, duke shmangur vuajtjen e mëtejshme të dënimit në qeli.

Në total, Lefter Koka ka kaluar rreth tre vite në paraburgim, ndërsa dënimet e dhëna ndaj tij për aferën e incineratorëve kapin në total mbi 15 vite burg, të reduktuara ndjeshëm përmes gjykimit të shkurtuar dhe vendimeve lehtësuese.

Afera e incineratorëve nisi me kontratën koncesionare të Elbasanit dhe më pas u zgjerua në Fier dhe Tiranë, nën argumentin e qeverisë Edi Rama se vendi kishte nevojë emergjente për impiante moderne të trajtimit të mbetjeve.

Të tre kontratat u fituan nga kompani të lidhura me të njëjtin grup biznesmenësh, mes tyre Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, përmes shoqërive tregtare të krijuara posaçërisht për projektet koncesionare.

Sipas hetimeve të SPAK, kompania “Integrated Energy BV SPV” kishte dijeni paraprake për procedurat dhe kushtet e tenderit dhe ishte favorizuar nga zyrtarë publikë gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit. Hetimet dyshojnë se kontratat koncesionare të tre incineratorëve kanë shkaktuar mbi 150 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ndërsa disa prej zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë u hetuan dhe u gjykuan për akuza që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.