Pesë muaj pasi la qelinë e burgut, Lefter Koka do të duhet të rikthehet sërish pas hekurave. Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë që i kishte shuar masën e sigurisë “arrest në burg”, duke rikthyer në fuqi detyrimin që ish-ministri i Mjedisit të vuajë edhe rreth gjashtë muaj të mbetur nga dënimi për dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Koka kishte fituar lirinë në dhjetor të vitit 2025, pasi GJKKO konstatoi se ai kishte qëndruar në paraburgim përtej afateve të lejuara nga ligji. Nga momenti i lirimit deri në vendimin e sotëm të Apelit, ish-ministri qëndroi rreth pesë muaj jashtë burgut.
Avokati i mbrojtjes, Maksim Sota, ka kundërshtuar vendimin e Apelit, duke argumentuar se gjykata nuk mund të marrë funksionin e organit të ekzekutimit për të llogaritur si dënim i mbetet një personi.
“Gjykata e Apelit nuk mund të merret me llogaritjen e një dënimi, sa duhet të vuajë personi pa u dhënë vendim. Në çdo vendimmarrje të formës së prerë nxirret urdhër ekzekutimi. Përllogaritjet i përkasin fazës së ekzekutimit.” – u shpreh mbrojtja e Kokës.
Më tej ai shton se në praktikë janë ngatërruar dy faza të ndryshme të procesit penal.
“Gjykata e shkallës së parë jep vendimin, Apeli e ndryshon ose e lë në fuqi, por shuarja e masës nuk mund të ngatërrohet me themelin e çështjes. Këtu është ngatërruar shuarja e vendimit me ekzekutimin.” – u shpreh avokati Sota.
Para se të lirohej, ai kishte kaluar afro katër vite në paraburgim, që prej arrestimit më 29 mars 2022 në kuadër të hetimeve të SPAK për aferën e inceneratorëve. Gjatë kësaj kohe, Koka u përball me disa procese paralele për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, ndërsa përfitoi ulje dënimesh për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Apeli la në fuqi pjesën më të madhe të vendimit të mëparshëm, por ndryshoi pikën që kishte interpretuar si të konsumuar masën e sigurisë nga koha e kaluar në paraburgim. Me këtë vendim, gjykata rrëzoi argumentin e shkallës së parë dhe vendosi që masa “arrest në burg” të rikthehet në fuqi.
Sota ka paralajmëruar se vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Lartë, duke e konsideruar çështje të pastër ligjore dhe jo vlerësim faktesh. Sipas tij, problematika lidhet me interpretimin e gabuar të kompetencave mes gjykatave dhe fazës së ekzekutimit të dënimit.
“Do ta ankimojmë në Gjykatën e Lartë për shkaqe ligjore, sepse Apeli nuk merr funksionin e ekzekutimit. Gjykata jep vendim, ndërsa prokurori bën përllogaritjen sa duhet të vuajë personi.”
Në shkallë të parë, Koka ishte dënuar me 3 vite burgim për “shpërdorim detyre”, dënim që ishte reduktuar në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata kishte arsyetuar se kjo masë konsiderohej e konsumuar përmes kohës së kaluar në paraburgim.
Në dhjetor 2025, gjyqtari Bib Ndreca urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Kokës, duke argumentuar se “kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet”, çka e bënte të paligjshëm vijimin e masës së sigurisë. Vendimi lidhej kryesisht me çështjen e inceneratorit të Fierit, e kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë.
Për inceneratorin e Fierit, Koka ishte dënuar fillimisht me 10 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 6 vite e 8 muaj. Edhe për inceneratorin e Elbasanit ai mori një dënim prej 6 vite e 8 muaj burg pas bashkimit të dënimeve, por në korrik 2025 fitoi lirinë me kusht.
Në total, dënimet e dhëna ndaj tij për aferën e inceneratorëve kapin mbi 15 vite burg, megjithëse të reduktuara ndjeshëm nga gjykimi i shkurtuar.
SPAK ka pretenduar se përmes kontratave koncesionare të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës janë favorizuar kompani të lidhura me biznesmenët Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, duke i shkaktuar shtetit dëme që llogariten në mbi 150 milionë euro.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























