Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin për lirimin nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, duke konstatuar se ai kishte ezauruar afatin maksimal ligjor të paraburgimit.
Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 dhe ka qëndruar në paraburgim për rreth 3 vite, periudhë e cila, sipas gjykatës, përbën kufirin maksimal të lejuar nga ligji për masën e sigurisë “arrest në burg”. Për pasojë, ish-ministri i akuzuar për korrupsion në aferën e inceneratorëve i shpëton vuajtjes efektive të dënimit me burg, pavarësisht se është dënuar në disa çështje penale.
Vendimi u mor nga trupi gjykues monokratik i Apelit të GJKKO, pas ankimimit të bërë nga SPAK, e cila kishte kërkuar vijimin e masës shtrënguese, duke argumentuar rrezikun e cenimit të hetimeve dhe rëndësinë e veprave penale.
Për inceneratorin e Fierit, Lefter Koka u dënua fillimisht nga GJKKO me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 6 vite e 8 muaj. Megjithatë, çështja u kthye për rigjykim dhe përfundimisht masa e paraburgimit humbi fuqinë për shkak të tejkalimit të afatit ligjor.
Edhe për inceneratorin e Elbasanit, Koka u dënua me 6 vite e 8 muaj burg pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por në korrik 2025 iu njoh e drejta e “lirimit me kusht”, duke mos vuajtur dënim të mëtejshëm në qeli.
Ndërsa dënimi 2-vjeçar për inceneratorin e Tiranës konsiderohet i shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim.
Në total, Lefter Koka ka kryer vetëm rreth 3 vite paraburgim, ndërkohë që dënimet e dhëna në letra për aferën e inceneratorëve kapin mbi “15 vite burg”, të reduktuara ndjeshëm përmes procedurave gjyqësore dhe vendimeve lehtësuese.
Afera e inceneratorëve nisi me dhënien e koncesionit të Elbasanit dhe u zgjerua më pas me Fierin dhe Tiranën, nën argumentin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama se vendi kishte nevojë emergjente për impiante të djegies së mbetjeve. Incineratori i Fierit ishte kontrata e dytë koncesionare e dhënë nga qeveria, ndërsa e treta u firmos për Tiranën.
Të tre kontratat u fituan nga kompani të kontrolluara nga i njëjti grup biznesmenësh të ndërlidhur, konkretisht Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, përmes shoqërive të ndryshme tregtare të krijuara posaçërisht për këto projekte.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u akuzua për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash në lidhje me aferën e të 3 inceneratorëve. Ai dyshohej se kishte përdorur detyrën e tij për të favorizuar kompanitë koncesionare dhe për të lejuar përfitime dhe transferime të paligjshme parash tek persona ose kompani të lidhura me të. Akuza lidhnin të trija kontratat koncesionare, të cilat sipas hetimeve kishin shkaktuar mbi 150 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ndërkohë që disa nga biznesmenët dhe zyrtarët përfitues përfunduan gjithashtu nën hetim dhe u gjykuan po për akuza të rënda që kanë lidhje me korrupsionin.
Sipas hetimeve, tre skemat koncesionare i kanë kushtuar deri tani taksapaguesve shqiptarë të paktën 150 milionë euro, ndërkohë që impiantet nuk kanë funksionuar sipas qëllimit të shpallur.
Hetimet penale nisën në vitin 2020, pas një kallëzimi të Partia Demokratike, që çoi në hapjen e dosjes për incineratorin e Elbasanit. Në vitin 2021, ish partia “Lëvizja Socialiste për Integrim” akuzoi publikisht ish-ministrin e saj të Mjedisit, Lefter Koka, për korrupsion, duke denoncuar një skemë të transferimit të parave nga kompanitë e inceneratorëve drejt subjekteve apo personave të lidhur me të.
LSI depozitoi kallëzim penal në prokurori, ndërkohë që Koka kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nën siglën e Partisë Socialiste, ku fitoi një numër të lartë votash, dha dorëheqjen si deputet dhe u arrestua disa muaj më vonë.
Pavarësisht hetimeve për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dhe pavarësisht numrit të lartë të zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë, deri më tani një nga figurat kryesore politike të kësaj afere i ka shpëtuar vuajtjes reale të dënimit me burg, duke e mbyllur përballjen me drejtësinë me disa vite paraburgim dhe masa alternative.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























