Dritat që që çuan vota për PSD-në

Gjykata e Posaçme shqyrton dëshmitë mbi ndërtimin e rrjetit elektrik dhe akuzat për ndikim të paligjshëm mbi votuesit nga kryebashkiaku i Vaut të Dejës. Kristian Shkreli dyshohet që ofroi përfitime materiale në këmbim të votave për PSD-në.

423
Kristian Shkreli
Credits: shteg.org - Kristian Shkreli SPAK

Në Gjykatën e Posaçme për Krimet e Rënda nisi sot procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i dyshuar për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

Sipas SPAK, Shkreli ka shfrytëzuar nevojat e banorëve për ndihmë materiale dhe rikonstruksion të rrjetit elektrik në fshatin Stajkë për të favorizuar Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Gjatë seancës së sotme, u paraqitën 12 dëshmitarë kryesorë, përfshirë banorë të fshatit Stajkë dhe punonjës të OSHE-së, të cilët dhanë dëshmi lidhur me pretendimet për korrupsion zgjedhor nga kryebashkiaku i Vaut të Dejës.

Banorët e fshatit, që për dekada ishin mbajtur pa energji elektrike të rregullt, deklaruan se ajo që ligjërisht etiketohet si korrupsion zgjedhor për shumë prej tyre ishte thjesht një nevojë e përditshme: drita dhe rrugët e fshatit.

Alfred Martini nisi dëshminë e tij duke treguar se ai dhe disa të afërm kishin shkuar tek Shkreli për t’u ankuar për mungesën e energjisë:

“Nuk kam për çfarë të përgjigjem për votën, ne kemi shkuar tek Shkreli për dritat. Ai na i ka sjellë. Nuk kemi diskutuar për politika,” deklaroi Martini, duke shtuar se takimi ishte vetëm për zgjidhjen e problemit me energjinë dhe jo për orientim politik.

Dëshmitari u pyet nga prokuroria lidhur me përgjimet e regjistruara më 13 dhe 18 prill, si dhe për referencën ndaj “Toma-s” në biseda.

“Toma është Tom Doshi. Nuk kemi folur për interesa. Shkuam në miting vetëm për respekt. Nuk kishim asnjë interes politik,” tha Martini.

Në gjykatë u lexuan mesazhe të tjera, ku Shkreli diskutonte për organizimin e punimeve të energjisë, por dëshmitarët deklaruan se interesi i tyre i vetëm ishte sjellja e energjisë elektrike në fshat.

Dëshmitarë të tjerë, si Nikolin Martini, Kol Koleci, Filip Bardheli dhe Jak Bardheli, konfirmuan versionin e ngjashëm. Ata deklaruan se janë ankuar për mungesë të energjisë ose për rrugë të paasfaltuara dhe Shkreli ka ndërhyrë për të zgjidhur problemin, pa kërkuar vota në këmbim.

“Ai na ka sjellë dritat. Nuk na ka mësuar për kë do të votonim,” tha Kol Martini.

Sajmir Zavani dhe Edmir Dedaj, punonjës të OSHE-së dhe ekspertë teknikë, pohuan se investimet në rrjetin elektrik ishin pjesë e një remondi të planifikuar dhe se çdo veprim ishte marrë në bazë të kërkesave për përmirësimin e furnizimit, jo për përfitime politike. Armand Zhuka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të OSHE Shkodër, shtoi se çdo vendim për remondet u mor me bazë institucionale dhe teknike:

“Çdo gjë është bërë me vendimmarrje të kompanisë, jo për zgjedhje,” deklaroi ai para gjykatës.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) pretendon se Shkreli ka shfrytëzuar pozicionin e tij si kryebashkiak për të ndikuar votuesit në fshatin Stajkë. Sipas njoftimit zyrtar, Shkreli ka ofruar përfitime materiale – kryesisht rregullimin e rrjetit elektrik – në këmbim të votave për PSD-në e Tom Doshit gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025. SPAK e përshkruan këtë veprim si “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke argumentuar se investimi elektrik ishte kryer gjatë fushatës elektorale dhe jo si pjesë e një plani të rregullt investimesh.

Të dhënat e mbledhura nga SPAK tregojnë se Shkreli kishte ndërmjetësuar kontaktet për organizimin e takimeve dhe mitingjeve, duke përdorur banorët si urë lidhëse për strukturën elektorale të PSD-së.

Vetë Shkreli mohon çdo lidhje me korrupsionin zgjedhor.

Zona e Vaut të Dejës ka shënuar mbështetje të lartë për PSD-në në zgjedhjet e majit, gjë që ka rritur vëmendjen e mediave dhe institucioneve ndaj Shkrelit. Banorët e fshatit Stajkë konfirmuan se ndihma e kryebashkiakut ishte e drejtpërdrejtë për përmirësimin e infrastrukturës dhe nuk përfshinte asnjë presion politik.

Gjykata e Posaçme do të vazhdojë shqyrtimin e provave dhe dëshmive, duke u fokusuar në përcaktimin e lidhjes mes investimeve lokale dhe pretendimeve për ndikim të paligjshëm mbi votuesit. Deri tani, provat janë të përziera dhe dëshmitarët e shumtë pohojnë se veprimet e Shkrelit kishin karakter praktik dhe social, ndërsa Prokuroria vazhdon të argumentojë për motivin politik.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.