Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
20 ditë pas komunikimit të akuzës, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka bërë kërkesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për kalimin e dosjes në proces gjyqësor. Vendimi për këtë kërkesë do të shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Shkreli u shpall zyrtarisht i pandehur më 3 tetor, me akuzën se u kishte ofruar banorëve të mira materiale në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas njoftimit të SPAK, ai ndërtoi rrjetin elektrik në fshatin Stajkë si pjesë e këmbimit të votave, duke iu komunikuar zyrtarisht akuza për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka konkluduar se Shkreli, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Vau Dejës, përfshihet në veprimtari të kundërligjshme që synonin ndikimin e votuesve në zonën e fshatit Stajkë.
Nga provat e mbledhura rezulton se ai ka shfrytëzuar pozicionin publik dhe nevojat e banorëve për ndërtimin e rrjetit të energjisë elektrike, një investim i realizuar gjatë fushatës elektorale. Në këmbim të këtyre shërbimeve, dyshohet se kryetari i bashkisë ka kërkuar që banorët të votojnë për PSD.
Në maj, GJKKO sekuestruar celularin e Shkrelit dhe iu ushtrua kontroll, ndërsa SPAK ka sekuestruar edhe telefonat e eksponentëve të tjerë të PSD-së që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë e shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Tre ditë më parë, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme u paraqit edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi. Ai nuk dha përgjigje konkrete për arsyen e vizitës dhe pas rreth 50 minutash deklaroi se ishte thirrur për një çështje që nuk kishte lidhje me të, duke shtuar edhe një koment ironik.
Kjo ishte hera e dytë që Doshi paraqitet në SPAK. Herën e parë ishte më 24 shkurt, kur u pyet për rreth 90 minuta.
“U pyeta për një çështje që nuk kishte lidhje me mua, ashtu siç ka thënë Erjoni (Veliaj): kolegët të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty”, – tha Doshi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.


























