Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar nisjen e një procedimi penal për dyshime abuzimi me fondet e programit IPARD II, program i akredituar në Shqipëri në vitin 2018 për grante bujqësore.
Më herët, shteg.org kishte raportuar për skemën e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian.
Institucioni thekson se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japë detaje shtesë mbi ecurinë e hetimit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal dhe çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjë publike informacione të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Fondet e IPARD kanë qenë në fokus të mediave vendase dhe ndërkombëtare që prej vitit 2021, pas zbulimeve të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për keqpërdorim të 33 milionë eurove grante. Raporti i Komisionit Evropian i korrikut 2023 tregoi se Shqipëria kishte parregullsi të mëdha në zbatimin e programit, me 71 milionë euro financim nga BE dhe 23.6 milionë euro nga shteti shqiptar.
Hetimet e OLAF ndaj Shqipërisë, nisën menjëherë pas ankesave të marra nga fermerët e përjashtuar nga skema financuese.
Ishte rasti i fermerit Romeo Nazarko, i cili denoncoi padrejtësinë dhe dyshimet për korrupsion në procesin e përfitimit të fondeve IPARD II, u bë shkaku që “zgjoi” Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për të nisur hetimet në Shqipëri.
Denoncimet e tij për kërkesa korruptive dhe zvarritje burokratike çuan në hetime të gjera të OLAF-it, të cilat zbuluan parregullsi në ndarjen e granteve nga AZHBR dhe kompanive të lidhura me të.
Nga të dhënat zyrtare konkudoi se subjektet përfituese të skemës së financimit nga IPARD në vendin tonë ishin 435 subjekte, mes tyre dhe persona publikë si politikani Elvis Roshi.
Në 2021 Roshi fitoi nga AZHBR-ja një kontratë prej 85 mijë euro për ndërtimin e një sere diellore për kompaninë e quajtur “Kavaljon” me në fokus bujqësinë.
Këtë kompani ai e kishte hapur dy vite para fitimit të tenderit, por nga kërkimet disaditore të “shteg.org” rezultoi se Roshi kishte abuzuar me sipërfaqen e tokës e cila në realitet ishte dyfish më e madhe sesa metrat e dokumentuara në letra, dhe ecuria e punimeve për realizimin e objektit në fjalë ishte stopuar prej kohësh, duke rënë ndesh me kontratën që ai kishte firmosur.
Rikonstruksioni i shtëpive tradicionale në jug të vendit ishte gjithashtu pjesë e një projekti për nxitjen e turizmit në rivierën shqiptare. Dokumente zyrtare zbuluan se kompania “Coast to Coast” përfitoi rreth 204 mijë euro për restaurimin e pesë banesave në Dhërmi, të kthyer më pas në bujtina me 24 shtretër.
E themeluar në vitin 2009 nga Florenc Gjikuria dhe Jorgji Ruci, kompania ka ndërruar disa herë ortakë, mes të cilëve ka qenë edhe Besnik Dervishi, ish-zyrtar i lartë, aktualisht Komisioner për të Drejtën e Informimit.
“Coast to Coast” rezulton në pronësi të plotë të Xheni Gjikuria, e cila mori statusin “investitor strategjik” në vitin 2021, por kompania ndodhet në listën e subjekteve që duhet të kthejnë grantet dhe është paditur nga institucioni përkatës.
Pas zbulimit të parregullsive në ndarjen e granteve, OLAF sugjeroi ndërprerjen e programit me vlerë 112 milionë euro deri në një moment të dytë kur të jenë siguruar masat mbrojtëse për interesat financiare të BE-së.
Për rrjedhojë, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor e Rural nisi menjëherë auditimin e projekteve të financuara nga skema financiare e IPARD. Pasi hetimet e kryera nga OLAF nxorrën në pah parregullsi, AZHBR-ja kërkoi që 159 subjekte të kthenin fondet e përfituara.
Mirëpo të dhënat e siguruara nga “shteg.org” nxorrën në pah se deri në dhjetorin e 2024 agjencia dështoi në grumbullimin e këtyre parave.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmoi regjistrimin e një procedim penal lidhur me dyshimet për abuzime me fondet e programit IPARD II në Shqipëri.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.
























