Lumi i Vlorës, aty ku zëri i këmborëve po zhduket

Lumi i Vlorës, tufat po zhduken për shkak të mungesës së subvencioneve, pronësisë së paqartë dhe braktisjes masive. Labëria mbetet në heshtje.

1230
Barinj të Labërisë dhe peizazhe malore në Lumin e Vlorës, që ilustrojnë zhdukjen e tufave dhe braktisjen e fshatrave blegtorale.
Pamje simbolike nga Labëria që pasqyron traditën e çobanëve dhe rënien e blegtorisë në Lumin e Vlorës.

Në malet e Labërisë, zhurma e këmborëve dhe fishkëllimat e barinjve që dikur shoqëronin çdo mëngjes, sot është zëvendësuar nga qetësia e erës që përshkon kullotat e zbrazëta. Blegtoria, dikur shtylla e ekonomisë bujqësore, po shuhet për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore, burokracisë dhe emigrimit të të rinjve. Shumica e fermerëve të vegjël mbeten jashtë skemave të subvencioneve, të cilat shpesh përfitohen nga bizneset e mëdha, duke rritur ndjeshëm pabarazinë në zonat rurale.

Statistikat zyrtare të pesë viteve të fundit tregojnë se nga 2.43 miliardë lekë të shpërndara për blegtori, bujqësi dhe peshkim, vetëm një pjesë e vogël janë përfituar nga fermerët e Lumit të Vlorës. Ndërkohë, kostot reale për ushqimin e bagëtive tejkalojnë shumë ndihmat, duke i bërë subvencionet simbolike dhe jo të qëndrueshme.

Numri i bagëtive dhe shtëpive që merren me blegtori ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, duke e bërë aktivitetin gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë dhe familjet e mbetura.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare ka shpallur një paketë të integruar mbështetëse për sektorin e bujqësisë.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond prej 20 milionë eurosh në grante, e ndërthurur me Kredinë e Butë të garantuar nga shteti me interes vetëm 2%. Këto të qeverisë synojnë rritjen e standardeve të prodhimeve blegtorale dhe bujqësore sipas standardeve të BE-së me objektivin për të eksportuar 1 miliard euro produkte bujqësore deri në 2030-ën. Por pavarësisht masave të ndërmarra nga qeveria, realiteti në fshatrat e Lumit të Vlorës është shumë i zymtë dhe i pashpresë. Tufat po shuhen çdo ditë e nga pak, ndërsa dhentë thuajse janë boshatisur.

Labëria pa tufat e saj

Në fshatin Velçë të Lumit të Vlorës, Sako Xhaferaj, bari i vjetër, po përpiqet të mbajë gjallë një histori që duket se po shuhet çdo ditë. Nga 200 dele që kishte dikur, tani i kanë mbetur vetëm 80. Të gjithë të tjerët janë larguar. Kanë shitur bagëtinë dhe kanë ikur ku të mundin.

“Kam pasur 200 krerë dele, tani më kanë mbetur vetëm 80. Të gjithë të tjerët i kanë shitur bagëtitë dhe janë larguar, sepse nuk jetohet më këtu. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti. Thonë se nuk plotësoj kushtet, po unë këto mundësi kam” – tregon bariu.

Sipas informacionit nga Drejtoria e Bujqësisë në Vlorë, për të përfituar subvencione një fermer duhet të ketë të paktën 10 krerë lopë për të marrë 100 mijë lekë të vjetra për krerë, 50 koshere bletësh për të përfituar 10 mijë lekë të vjetra për kosherë, ose mbi 100 krerë bagëti të imta për të marrë 10 mijë lekë të vjetra për krerë.

Sipas fermerëve të zonës, shumica e tyre nuk e arrijnë dot numrin e kërkuar të krerëve për shkak të vështirësive ekonomike.

“Ne që kemi më pak, nuk mund të bashkojmë tufat vetëm për të marrë një ndihmë,” thotë Sakoja, duke theksuar se burokracitë dhe kriteret e ngurta i kanë lënë jashtë çdo forme mbështetjeje nga organet vendore.

Nga sa na thonë blegtorët në fshatrat e Lumit të Vlorës si Brataj, Gjorm, Lepenicë, Matogjin, Sevaster dhe Shkozë, numri i bagëtive ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.

Sot, më pak se 7 mijë krerë gjedhë dhe rreth 18 mijë dele e dhi mbeten — pothuajse gjysma e numrit që kishte zona në vitin 2010.

Të dhënat tregojnë se në fshatra të tjerë si Lapardha, Mavrovë e Kotë, situata është po aq dramatike, me tufat që pakësohen çdo vit dhe stallet që kthehen në rrënoja.

Asim Bonaj, banor dhe bari nga fshati Shkozë në Sevaster, duke rrëfyer rënien e bagëtive dhe braktisjen e zonës.
Credits: Armandi Xhelilaj – Asim Bonaj nga fshati Shkozë kujton kohët kur zona kishte qindra krerë bagëti dhe shtëpi të mbushura me jetë, ndërsa sot përballet me braktisjen dhe mungesën e ujit.

Në Shkozë të Sevasterit, Asim Bonaj, 68-vjeçar, kujton kohët kur çdo shtëpi kishte tufën e vet dhe kur fusha ishin plot jetë.

“Kam 50 krerë. Edhe në vitin 1944, në kohë lufte, kemi pasur 120 krerë dhi dhe 98 krerë dele. Më pas i dorëzuan në kooperativë. Në këtë zonë, në fillim të demokracisë, kishte njerëz dhe kishte edhe bagëti. Por tani kanë ikur. Nga 150 shtëpi që ka pasur, kanë mbetur vetëm rreth 50, dhe as ato nuk quhen më shtëpi, sepse aty jetojnë vetëm të moshuarit. Janë shumë të rrallë ata që mbajnë bagëti” – tregon Asimi, sipas të cilit fshati është totalisht i braktisur dhe i shkretë.

“Këtu tek ne nuk ka ujë. Unë vetë s’kam ujë as për të pirë, jo më për bagëtitë. Të gjithë kanë hapur puse për t’u furnizuar me ujë. Edhe ata që mbajnë bagëti nuk kanë as vend, as kushte. Ka pasur më shumë mirëqenie në kohën e komunizmit se sa tani” – shton  Asimi.

Ish-kryetari i kooperativës së Sevastarit, Naim Selami, rrëfen se si dikur toka pjellore dhe kooperativat e organizuara ushqenin gjithë komunitetin, ndërsa së fundmi gjithçka po shkretohet dita ditës.

“Asgjë tjetër nuk funksionon. Vetëm nëse shteti investon, kjo zonë mund të zhvillohet. Jam i bindur se grantet nga AZHBR i kanë marrë për vete, ta siguroj unë për këtë. Ne këtu nuk kemi parë asnjë ndihmë, asnjë përfitim, asnjë projekt,” thotë Naim Selami, sipas të cilit i vetmi subvencion që marrin banorët e zonës janë disa litra naftë.

“Na japin nga 10 deri në 50 litra naftë, dhe as ajo nuk del për asgjë. Unë kam 1 hektar e 7 dynym, dhe çfarë do të bëj me 30 mijë lekë për dy dynym që na japin? Nuk na del për asnjë punë” – tregon agronomi.

Edhe në fshatin Shkozë banorët përballen me të njëjtat sfida për mbijetesë.

Andon Kasaj ka më se 20 vjet që merret me mbarshtimin e dhënve. 53-vjeçari së bashku me të birin kujdeset për to ditë e natë, ndërkohë që zor se i shohin hairin.

“Kam 350 krerë bagëti dhe prej 20 vitesh merrem me blegtori. I kam çuar në Korçë, sepse këtu fusha nuk i mban më, vjen sezoni dhe për 6 muaj thahet. I mbaj në vatha, jo në stalla, dhe gjatë dimrit ushqimin e blejmë, sepse shteti ndihma e dhënë është vetëm për naftën” – tregon çobani.

Çobenërit 2030

Andon Kasaj, blegtor nga fshati Shkozë në Sevaster, duke folur për vështirësitë e mbajtjes së tufave dhe mungesën e mbështetjes shtetërore.
Credits: Armandi Xhelilaj – Andon Kasaj, 53 vjeç, kujdeset për 350 krerë bagëti dhe rrëfen se mungesa e ujit, kostot e larta dhe mungesa e subvencioneve po e bëjnë të pamundur mbijetesën e blegtorisë në Shkozë.

Në korrik të 2025-ës qeveria shqiptare miratoi skemën e veçantë të garancisë shtetërore të huasë me një vlerë totale prej 3 miliardë lekësh, e cila do të lëvrohet në sektorin e bujqësisë.

Qëllimi i skemës është të stimulojë huadhënien nga bankat tregtare në sektorin e bujqësisë, ku shteti është garantues i 70% të vlerës së kreditimit.

Kjo skemë, e cila siguron kredi të butë, integrohet me skemën kombëtare të investimeve 2025, me fond prej 20 milionë euro, duke krijuar një paketë të plotë për zhvillimin e fermave dhe përmirësimin e kritereve të prodhimit sipas standardeve të BE-së.

Për të përfituar nga kjo skemë dhe për t’u integruar me masat e granteve, fermerët apo blegtorët duhet të plotësojnë dy kritere kryesore: Të mos kenë pasur detyrime tatimore apo kredi të pashlyera.  Të jenë subjekte të regjistruara dhe të pajisura me certifikatën e NIPT-it të fermerit

Ndërsa skema e qeverisë është e dizajnuar për t’i shërbyer zhvillimit, ajo rrezikon të lërë jashtë loje blegtorët e vegjël dhe tradicionalë që operojnë në informalitet, si në Lumin e Vlorës.

Në fshatrat e Lumit të Vlorës “shteg.org nuk gjeti një çoban të regjistruar në zyrat tatimore.

Ajo çka gjen aty janë barinj që bëjnë gjithçka munden për të mbajtur tufën në një tokë që shkretohet çdo ditë, por që mbi të gjitha nuk kanë një dokument që vërteton pronësinë mbi të.

“Nuk e kemi tokën me certifikatë pronësie, sepse në Shkozë nuk është bërë kurrë azhornimi. Pa certifikatë, nuk përfitojmë dot fondet që na duhen. Ndoshta nëse do të kishte një fond apo një staf që të merrej me këtë çështje, gjendja do të ishte më ndryshe” – thonë banorët e mbetur të fshatit me 75 shtëpi, nga 270 që numëronte pak vite më parë.

Mos-pasja e një dokumenti pronësie i përjashton automatikisht ata nga çdo projekt mbështetës apo mundësi për të përfituar grante.

“Kam mbi 25 vite që merrem me blegtori, por si këtë gjendje s’kam parë kurrë,” tregon Viktor Naka, teksa rregullon rrethojat e vathës.

 “Çmimet e ushqimit janë bërë të papërballueshme. Vetëm për jonxhën e barin më shkojnë mbi 150 mijë lekë në muaj, pa llogaritur misrin, sojën e krundet. Shteti na jep 10 mijë lekë në vit për krerë, po çfarë bëhet me ato? As për një javë ushqim nuk dalin. Unë kam 300 krerë dele, por në këtë ritëm vitin tjetër mund të më mbeten përgjysmë. Nuk është vetëm puna e lekëve , është lodhja, mungesa e shpresës.”

Naim Selami, banor i fshatit Sevaster, duke folur për braktisjen e blegtorisë dhe mungesën e mbështetjes për fermerët.
Credits: Armandi Xhelilaj – Naim Selami, ish-kryetar i kooperativës në Sevaster, tregon sesi mungesa e projekteve, investimeve dhe subvencioneve ka çuar në shkreton e zonës.

Subvencionet që ofron shteti për fermerët rezultojnë thuajse simbolike kur krahasohen me kostot reale që kërkon mbajtja e një krere bagëtie gjatë vitit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë në Vlorë, për të përfituar 10 mijë lekë në vit për çdo lopë apo 1 mijë lekë për çdo dele, fermerët duhet të kenë të paktën 10 krerë lopë ose mbi 100 krerë bagëti të imta , një kriter që përjashton shumicën e blegtorëve të vegjël.

Ndërkohë, kostot reale të ushqimit arrijnë rreth 295 mijë lekë në vit për një lopë dhe mbi 54 mijë lekë për një dele, çka do të thotë se subvencioni mbulon vetëm 2–3 për qind të nevojave ushqimore.

Mungesa e financimeve reale, puna e vështirë dhe mbi të gjitha mungesa e shpresës çdo ditë e më shumë ka çuar në pakësimin e tufave në bregun e Lumit të Vlorës.

“Dikur këtu dëgjohej zhurma e këmborëve që në agim. Tani dëgjon vetëm qetësinë e braktisjes” – thotë Sako Xhaferaj.


Shënim: “Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinioni i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së”.

Armandi Xhelilaj
+ posts

Ai është gazetar me përvojë shumëvjeçare në median vizive dhe të shkruar, i specializuar në raportimin nga terreni dhe trajtimin e çështjeve sociale e komunitare. Ai është diplomuar në Gazetari–Komunikim dhe ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në disa televizione, duke u dalluar për qartësi, seriozitet dhe angazhim të pandërprerë në informimin e publikut.

Aktualisht, Armandi punon prej disa vitesh në Report TV, ku mbulon ngjarjet në qarkun e Vlorës dhe në zonat e Jugut të Shqipërisë, duke ofruar reportazhe të drejtpërdrejta dhe analiza të detajuara që reflektojnë realitetin e komuniteteve lokale.