SPAK ka mbyllur hetimet për një prej dosjeve më të rëndësishme të ngjarjeve kriminale të Shkodrës dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018, një ekzekutim që lidhet me një zinxhir konfliktesh mes grupeve rivale në qytet.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme, SPAK ngre akuza të rënda ndaj Behar Brajoviq, Safet Rustemi, Astmer Bilali dhe Eria Ago, të cilët sipas hetimeve, kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, tensionet mes të pandehurve dhe familjes Lici kishin nisur vite më parë, duke u ushqyer nga lufta për zonat e influencës në Shkodër. Situata u përkeqësua në korrik të vitit 2018, kur u vranë Boran Bërcana dhe bashkëshortja e tij, Silvi Ndoci. Ngjarje që, sipas SPAK, Behar Brajoviq ia atribuonte Ibrahim Licit, nipit të Fatbardh Licit.
Vetëm pak javë më vonë, më 10 gusht 2018, përplasja mori formën e një hakmarrjeje duke ekzekutuar Fatbardh Licin.
SPAK thotë se Behar Brajoviq organizoi atentatin, ndërsa ekzekutimin e ndërmorri Astmer Bilali, i shoqëruar nga Safet Rustemi. Dyshja lëvizte me një automjet të vjedhur të tipit Benz, me targa AA 760 FX.
Sipas hetimeve të kryera nga grupi hetues, vrasja e Fatbardh Licit është inskenuar nga Behar Bajri, i cili kërkonte të hakmerrej ndaj Ibrahim Licit.
“Nga komunikimet e kryera rezulton se shtetasi Boran Berçana ka qenë njohje e personit nën hetim Behar Bajri dhe shtetasit Gjin Boriçi, ku ky i fundit ka deklaruar se e ka pasur vëlla. Personi nën hetim i’a ka atribuar vrasjen e shtetasit Boran Bërçana shtetasit Ibrahim Lici dhe për këte arsye ka filluar të planifikojë dhe të përgatisë një konflikt ndërmjet shtetasit Ibrahim Lici dhe Astmer Bilali. Duke qenë se nga komunikimet e kryera me Ibrahimin rezulton se ky i fundit është vështirë të takohet, ai ka përgatitur vrasjen e familjarëvë të shtetasit Ibrahim Licit, konkretisht, xhaxhain e tij Fatbardh Lici, pasi ky i fundit konsumonte vazhdimisht kafen në orarin e zakonshëm, në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Sokol Lici” – argumenton prokuroria.
Në orarin e përditshëm kur Fatbardh Lici pinte kafenë tek lokali i vëllait të tij, në Shkodër, automjeti gri u afrua pranë tavolinës ku qëndronte viktima.
Nga vendi i pasagjerit, sipas SPAK, doli Astmer Bilali, i cili hapi zjarr me armë automatike ndaj Licit, duke e lënë të vdekur në vend.
Mjeti më pas u largua me shpejtësi drejt zonës së Dobraçit, ku u gjet i djegur pak më vonë. Sipas hetimeve, Bilali dhe Rustemi janë futur në rrugicën pranë banesës së këtij të fundit, për të humbur gjurmët.
Ndërsa Rustemi qëndroi në Shkodër pas atentatit, Bilali u largua menjëherë drejt Tiranës.
Ai shoqërohej nga e pandehura Eria Ago, e cila, sipas SPAK, ofroi ndihmë të konsiderueshme për largimin e autorit.
Të pandehurit përballen me akuza të rënda që përfshijnë, vrasje me paramendim në bashkëpunim, për motive hakmarrjeje, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale. Ndërsa për Eria Agon, SPAK ka ngritur akuzën për përkrahje të autorit të krimit.
Në shkurt të 2025, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka siguruar “prova se Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10 gusht 2018 në qytetin e Shkodrës vrasjen me armë të njeriut të afërt të Ibrahim Licit”.
Policia, arrestoi Safet Bajrin ndërsa përmes një njoftimi për shtyp sqaroi se ndaj tij ishte miratuar një masë “arresti me burg” nga Gjykata e Posaçme për akuzat e “vrasjes me paramendim” si dhe akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.























