Tre automjete të blinduara u nisën nga zona e Dobraçit drejt fshatit Rranxë në Bushat të Vaut të Dejës, aty ku ndodhej banesa e Aleksandër Prendit. Të armatosur dhe të organizuar, personat që ndodheshin në automjete dyshohet se kishin si qëllim eliminimin fizik të Prendit. Por sapo mbërritën pranë banesës, situata degradoi në shkëmbim zjarri mes palëve.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ngjarja ka ndodhur më 23 gusht 2024, rreth orës 17:00. Në njoftimin zyrtar thuhet se të pandehurit “së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar nga hetimi janë nisur me tre automjete të blinduara nga zona e Dobraçit në drejtim të fshatit, Rranxë”, ndërsa “motivi besohet se lidhet me mosmarrëveshje të mëparshme”.
SPAK thotë se “personat e përfshirë kanë qenë të armatosur dhe kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim eleminimin fizik të shtetasit Aleksandër Prendi”. Gjatë përplasjes pati shkëmbim zjarri, por pa persona të plagosur. Nga incidenti u konstatuan vetëm dëme materiale në automjetet e përdorura nga të dyshuarit.
Megjithëse një pjesë e personave që morën pjesë në ngjarje nuk janë identifikuar ende, prokuroria thotë se provohet që Aleksandër Prendi “ka qëlluar të paktën në drejtim të dy apo më shumë personave, me qëllim vrasjen e tyre, e mbetur në tentativë”.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendngjarje u dëmtuan disa automjete të blinduara. Sipas SPAK, është dëmtuar një Audi A8 i blinduar me targa gjermane SWAG276, i gjetur në vendngjarje në gjendje të fikur, si dhe një tjetër Audi A8 me targa AA021RU, në pronësi të Franko Lekës, i cili më pas ishte larguar nga zona. Automjeti u sekuestrua si provë materiale dhe gjatë këqyrjes janë konstatuar dëmtime nga armë zjarri.
Gjithashtu, është konstatuar një Mercedes Benz S600 i blinduar me targa AB857LV, i cili është larguar nga vendngjarja dhe është ndaluar më vonë nga policia, nën drejtimin e Safet Bajrit.
Në vendngjarje është gjetur i dëmtuar edhe një BMW me targa AB216LL, e marrë me qira nga Aleksandër Prendi. Sipas SPAK, “nga të dhënat hetimore dhe ekspertimet e telefonit”, dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim katër persona: Aleksandër Prendin, Franko Lekën, Izmir Sakicajn dhe Samuel Troshanin.
Aleksandër Prendi akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Ndërsa Franko Leka, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani akuzohen për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Izmir Sakicaj, Samuel Troshani dhe Franko Leka “dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal, i përfshirë në veprimtari kriminale, si: kryerje e veprave penale të dhunshme, tentativë për vrasje, mbajtje dhe përdorim të armëve të zjarrit si dhe përfitim të të ardhurave pa origjinë të ligjshme”.
Prokuroria shton se Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani “rezultojnë të jenë përfshirë edhe më herët në ngjarje kriminale për vepra kundër jetës, rendit dhe sigurisë publike”.
Megjithatë, SPAK thekson se “nuk është bërë e mundur identifikimi i të gjithë personave, pjesëtarë të grupit kriminal që ndodhej në vendin e ngjarjes”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























